Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po shton rrezikun për shëndetin e fëmijëve, veçanërisht të më të vegjëlve. Pediatrit paralajmërojnë se mjaftojnë vetëm 20 minuta në një makinë të mbyllur që temperatura brenda saj të arrijë nivele të rrezikshme, edhe nëse automjeti nuk është i parkuar nën rrezet e diellit.

Sipas Rino Agostinianit, president i Shoqatës Italiane të Pediatrisë, fëmijët kanë aftësi më të kufizuar për të rregulluar temperaturën e trupit dhe rrezikohen më shumë nga dehidratimi sesa të rriturit. Për më tepër, sidomos në vitet e para të jetës, ata nuk janë në gjendje të kuptojnë apo të shprehin shenjat e para të rrezikut.

"Në temperatura shumë të larta, edhe një ekspozim i shkurtër pa mbrojtje mund të shkaktojë dehidrim ose goditje nga i nxehti te fëmijët. Organizmi normalisht e mban temperaturën e trupit mes 35 dhe 37.5 gradë Celsius përmes djersitjes, por kur vapa është e fortë ky mekanizëm mund të mos funksionojë më siç duhet, duke bërë që temperatura e trupit të arrijë nivele të rrezikshme", shpjegon ai.

Goditja nga i nxehti konsiderohet një urgjencë mjekësore dhe mund të rrezikojë jetën. Ajo ndodh kur organizmi nuk arrin më të kontrollojë temperaturën e trupit, e cila mund të kalojë 41.1 gradë Celsius. Nëse nuk trajtohet menjëherë, mund të shkaktojë dëmtime të rënda në tru ose edhe vdekje.

Ekspertët theksojnë se kjo gjendje mund të ndodhë edhe kur një fëmijë lihet ose mbetet i mbyllur brenda një makine në një ditë të nxehtë, pa qenë e nevojshme që automjeti të jetë nën diell. Kur temperatura jashtë është 34 gradë Celsius, ajo brenda makinës mund të arrijë deri në 52 gradë për vetëm 20 minuta.

Për të ulur rrezikun, pediatrit këshillojnë që fëmijët të mos vishen me rroba të trasha gjatë ditëve me temperatura të larta, të shmangin aktivitetin fizik intensiv në orët më të nxehta të ditës dhe të konsumojnë mjaftueshëm lëngje për të parandaluar dehidratimin.

Ata theksojnë se kujdesi dhe disa masa të thjeshta mund të bëjnë diferencën për ta kaluar verën në siguri, ndërsa u bëjnë apel prindërve që të mos lënë asnjëherë fëmijët vetëm brenda automjeteve, qoftë edhe për pak minuta.