Finale anglo-gjermane në Europa League. Pas ndeshjeve të kthimit gjysmëfinale të zhvilluara të enjten, Freiburgu dhe Aston Villa kanë marrë të drejtën për ndeshjen e madhe finale e cila do të zhvillohet mbrëmjen e 20 majit në stadiumin e Besiktasit në Stamboll.
Aston Villa përmbys Nottinghamin
Në Birmingham, Aston Villa fitoi 4-0 kundër bashkëkombasve të Nottinghamit duke përmbysur humbjen 1-0 të ndeshjes së parë. Me një ekspert si Unai Emery në stol, vendasit shënuan me Watkins, Buendia (11 m) dhe dopietën e John McGinn. Nëse më herët Emery bënte mrekulli me Sevillan në këtë kompeticion, tanimë kërkon të përsërisë suksesin me Aston Villan. Një ‘mjeshtër’ i madh në këtë kompeticion, Unai Emery kualifikohet në finalen e Europa League për herën e gjashtë në karrierën e tij si trajner. Deri më tani ai ka fituar 4 nga 5 finalet që ka zhvilluar.
Freiburgu për herë të parë në një finale evropiane
Në stadiumin 'Europa-Park', vendasit e Freiburgut fituan 3-1 kundër Bragës duke përmbysur humbjen 2-1 të ndeshjes së parë në Portugali dhe marrë biletën për një finale evropiane, e para për klubin në histori. Ndeshja nisi 'malore' për miqtë të cilët mbetën me një lojtar më pak pas vetëm gjashtë minutash lojë, pasi Dorgeles u largua me karton të kuq. Brenda pjesës së parë Freiburgu shënoi dy herë me Kubler dhe Manzambi, ndërsa po Kubler gjeti golin për 3-0 në minutën e 72-të. Miqtë shkurtuan me Victor 11 minuta nga fundi, por gjermanët ia dolën të mbanin epërsinë dhe të bënin që fansat të 'pushtonin' fushën pas fërshëllimës finale.
Të mërkurën më 20 maj në orën 21:00 në stadiumin e Besiktasit në Stamboll, Freiburgu dhe Aston Villa do të diskutojnë mes tyre trofeun e Europa League në një finale që pritet e zjarrtë.
Komente







