STAMBOLL - Aston Villa është fituese e trofeut të Europa League për herë të parë në histori. Klubi nga Birminghami fitoi këtë të mërkurë 3-0 kundër gjermanëve të Freiburgut në finalen e zhvilluar në stadiumin e Besiktasit në Stamboll.
Anglezët ia dolën që të fitonin një trofe evropian pas 43 vitesh, pasi për herë të fundit e bënin në vitin e largët 1983 me Superkupën e Evropës, pasi vinin si fituesit në fuqi të Champions League.
Finalja në Stamboll ishte pa shumë histori, pasi anglezët shënuan dy herë brenda pjesës së parë. Fillimisht ishte Tielemans në minutën e 41-të që kaloi Aston Villan në epërsi pas asistit të Rogers, ndërsa në minutën e tretë shtesë (45+3’) supergoli i Buendia ‘vulosi’ praktikisht fituesin e trofeut.
Edhe fraksioni i dytë kishte të njëjtën melodi, teksa Aston Villa gjeti edhe golin e qetësisë me Rogers në minutën e 58-të, pas pasimit final të Rogers. Freiburgu duket të kënaqet me pjesëmarrjen në finalen e parë evropiane.
Rekord për trajnerin e Aston Villas, Unai Emery, pasi ai bëhet trajneri i vetëm që ka fituar pesë herë trofeun e Europa League, tre herë me Sevillan, një herë me Villarrealin dhe tanimë me ekipin anglez. Spanjolli i bashkohet legjendave të trajningut si Carlo Ancelotti, Giovanni Trapattoni dhe Jose Mourinho që kanë nga pesë trofe të fituar në garat evropiane.

Moment nga fillimi i ndeshjes
Komente








