MONACO - Këtë të premte në orën 13:00 nisi në Monaco shorti për fazën e ligës së Europa League. 36 skuadrat pjesëmarrëse kanë mësuar rivalët, ndërsa këtë sezon në këtë turne marrin pjesë edhe Juventusi dhe Milani.

Juventusi ka mësuar rivalët. Bardhezinjtë do të përballen në shtëpi kundër Real Sociedad, Rennes, Omonias dhe NEC Nijmegen, ndërsa në udhëtim ka përballë AZ Alkmaar, Ferencvaros, Celta Vigo dhe Hapoel Beer Sheva.

Nga ana tjetër Milani do të luajë në shtëpi kundër Benficas, Ferencvaros, Sunderlandit dhe Ararat Armenias, ndërsa në udhëtim do të luajë kundër Olympiacos, Salzburg, Bournemouth dhe Levskit të Sofies.

Për të tretin vit radhazi, Europa League do të garojë në fazën e ligës me formatin e ri, 36 skuadra dhe një renditje e përgjithshme. Secili nga 36 ekipet do të luajë 8 ndeshje kundër rivalëve të ndryshëm, 4 në shtëpi dhe 4 jashtë fushe. Ekipet nga i njëjti vend nuk mund të përballen drejtpërdrejt me njëra-tjetrën në këtë fazë dhe çdo klub mund të përballet me një maksimum prej dy kundërshtarësh nga e njëjta shoqatë kombëtare.

Tetë skuadrat e para në renditje do të kualifikohen direkt në 1/8-at, ndërsa ekipet nga vendi i 9 deri në të 24-tin do të luajnë në play-off për një vend në fazën me eliminim direkt. Skuadrat nga vendi i 25-të e deri në të 36-in eliminohen nga gara.

Faza e ligës së Europa League do të fillojë më 16 dhe 17 shtator 2026, ndërsa finalja do të luhet më 26 maj 2027 në stadiumin e Frankfurtit.