Golat u shënuan të gjithë në pjesën e dytë me Napolin që kaloi në avantazh me Ounas ndërsa më pas erdhi përmbysja e madhe e skuadrës gjermane me dygolëshin e Timo Werner dhe golin e shënuar nga Bruma. Hysaj luajti 54 minuta si mbrojtës i majtë dhe më pas u zëvendësua ndërsa Napoli golat i pësoi pas largimit nga fusha të shqiptarit.
Ajo që siguron një vend në fazën e 1/8 të Europa League është Atletico Madrid e cila ka mundur në Danimarkë Copenhagen 4-1. Megjithëse vendasit shënuan të parët me Fischer djemtë e Simeones përmbysën gjithçka falë golave të shënuar nga Saul Niguez, Gameiro. Grizmann dhe të spanjollit Vitolo.
U mposht Lazio e Strakoshës në Bukuresht nga Steaua vendase me rezultatin 1-0 falë golit të shënuar në pjesën e parë nga Gnohere.
Nga skuadrat italiane ajo që thuajse siguron kualifikimin është Milani që fitoi në Bullgari pastër 3-0 ndaj Ludogorets. Në fundin e pjesës së pare shënoi për kuqezinjtë Cutrone dhe në pjesën e dytë erdhën edhe golat e Rodriguez me penallti dhe Borinit që shënoi në kohën shtesë.
Atalanta e Etrit Berishës ishte e pafat pasi u mposht vetëm në kohën shtesë nga Dortmundi në Gjermani. Borussia vendase e fitoi ndeshjen e vajtjes së 1/16 të Europa League 3-2 ku vendosi dygolëshi i shënuar nga sulmuesi Batshuayi ndërsa për Atalantën golat i realizoi Ilicic. Gjithsesi kualifikimi mbetet i hapur në ndeshjen e kthimit që luhet pas një jave. Në ndeshjet e tjera fitoi Arsenali, Lyon mposhti 3-1 Villareal dhe Celtic mposhti 1-0 Zenitin.
d.c./shqiptarja.com











