Partizani luan sot takimin e kthimit ndaj Maribor në orën 20:15 në stadiumin “Ljudski” në Slloveni, pas asaj humbje 0-1 në Tiranë. Të kuqtë tashmë nuk kanë asgjë për të humbur dhe do të kërkojnë deri në fund mrekullinë kundër një skuadre si Maribori, që sezonin e shkuar ishte pjesë e fazës së grupeve në Champions League.
Trajneri Skënder Gega do të jetë i detyruar të bëjë pa mbrojtësin e qendrës Egzon Belicën, i cili nuk arriti të rikuperohej nga një dëmtim në gju, vendin e tij ka gjasa ta marrë futbollisti i ardhur nga Tomori gjatë merkatos së verës, Eneo Bitri, pjesa tjetër nuk do të ndryshojë me Ibrahimin në të djathtë, Gojgoviç e më tej Kalarin në të majtë.
Në mesfushë me shumë mundësi do të vendosen Hila, Esat Mala e Telushi, kurse Asani, Progni e Trashi do të përbëjnë “tredhëmbëshin” ofensiv. Në anën tjetër trajneri Milaniç do t’i besoj sërish dyshes sulmuese Luca Zahovic-Tavares.