Bashkimi Europian ka nisur operacionin më të madh të koordinuar ndonjëherë për përballimin e zjarreve në pyje, duke vendosur në gatishmëri qindra zjarrfikës dhe dhjetëra mjete ajrore në vendet më të rrezikuara të Europës Jugore përpara sezonit veror.
Komisioni Europian njoftoi se 777 zjarrfikës nga 14 vende do të dislokohen në mënyrë strategjike në Greqi, Qipro, Itali, Francë, Spanjë dhe Portugali, vende që konsiderohen me rrezik të lartë për shpërthimin e zjarreve gjatë muajve të verës.
Operacioni do të mbështetet nga 22 avionë zjarrfikës dhe pesë helikopterë të flotës së përbashkët europiane të emergjencave, të cilët do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë shpejt në rast krizash.
Qendra Europiane e Koordinimit të Reagimit Emergjent do të monitorojë situatën 24 orë në ditë dhe do të koordinojë operacionet në bazë të të dhënave meteorologjike dhe vlerësimeve të rrezikut.
Për monitorimin e zjarreve do të përdoren edhe sistemet satelitore të programit europian Copernicus, si dhe Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje, që ofrojnë hartëzim dhe parashikime në kohë reale.
Brukseli ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë vitit 2026 do të hapet në Qipro një qendër rajonale për koordinimin e operacioneve kundër zjarreve. Struktura e re do të shërbejë si bazë për avionët zjarrfikës, trajnimet e personelit dhe forcimin e kapaciteteve në rajonin e Mesdheut Lindor.
Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile, i cili koordinon ndihmën ndërkufitare mes vendeve anëtare, aktivizohet sa herë që kapacitetet kombëtare nuk mjaftojnë për të përballuar emergjencat e mëdha.
Dislokimi rekord i forcave vjen në një kohë kur Europa po përballet gjithnjë e më shpesh me temperatura ekstreme dhe sezone zjarresh më të gjata, të lidhura me ndryshimet klimatike
Komente





