Replika mes kryeministrit Edi Rama dhe European Democrats për protestën para Kuvendit ka vijuar edhe këtë të mërkurë.

Pasi Rama akuzoi përfaqësuesit europianë se po heshtnin ndaj dhunës që u ushtrua ndaj deputetes socialiste e cila u përndoq në një qendër tregtare nga disa aktiviste, ata iu përgjigjën në rrjetin social X, me një postim të gjatë ku dënojnë pa asnjë mëdyshje çdo akt dhune ndaj deputetëve, por nga ana tjetër, theksojnë se një gjë e tillë nuk mund të përdoret për të delegjitimuar protestën, për të cilën janë treguar shumë të zëshëm ditën e fundit.

Postimi i plotë në X

'Shqipëria meriton përgjigje, kryeministër Rama. Jo një tjetër përplasje me ata që bëjnë pyetje legjitime.

Kryeministër Rama, dënimi i dhunës ndaj përfaqësuesve të zgjedhur dhe mbrojtja e së drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore nuk janë qëndrime që bien ndesh me njëri-tjetrin. Ne i mbështesim të dyja, qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme.

Asnjë parlamentar nuk duhet të përballet me dhunë apo kërcënim gjatë ushtrimit të mandatit të tij. Ne e dënojmë një sjellje të tillë pa asnjë mëdyshje. Por raste të izoluara dhune nuk mund të përdoren për të diskredituar një lëvizje të tërë proteste, për të hedhur poshtë shqetësimet legjitime apo për të shmangur pyetjet mbi ngjarje të tjera të dokumentuara.

Protestuesit paqësorë nuk duhet të përballen me përdorim të tepruar të forcës, ndalime arbitrare apo forma frikësimi. Edhe pamjet ku persona të paidentifikuar ndërhyjnë ndaj demonstruesve kërkojnë një shpjegim të qartë. Një qeveri që udhëheq një vend drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian duhet të jetë e para që kërkon transparencë dhe llogaridhënie të plotë.

Shqipëria nuk është nën sulm. Përkundrazi, Shqipëria ka rëndësi për Europën dhe ne duam ta shohim të suksesshme në rrugën e saj europiane. Pikërisht për këtë arsye, liria e shprehjes, e drejta për tubim paqësor, përgjegjshmëria e policisë dhe shteti i së drejtës janë shqetësime legjitime europiane, jo ndërhyrje të huaja.

Kanë kaluar gati një javë që kur aktivistë shqiptarë, figura të opozitës dhe organizata mediatike panë llogaritë e tyre në rrjetet sociale të bllokuara ose të kufizuara. Ju mohuat çdo përfshirje të qeverisë dhe ne e kemi marrë parasysh këtë deklaratë. Por ajo që ende mungon është i njëjti vendosmëri nga ana juaj për të kërkuar transparencë dhe përgjigje për ata që janë prekur.

Ju reagoni me forcë kur kritikat drejtohen ndaj jush. Ne do të prisnim të njëjtën forcë edhe në mbrojtje të të drejtave të atyre që ju kritikojnë" 


Lajmi kryesor:

Protesta te Kuvendi, Rama u përgjigjet ‘Demokratëve Europianë’ me videon e Luarasit: S’flisni për dhunën! Gurët e vezët drejt deputetëve, sjellje e neveritshme!