TIRANË - Punimet për rinovimin e fushës së stadiumit “Air Albania” po avancojnë sipas planit të parashikuar, ndërsa investimi ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare.

Ndërhyrja në impiant ka qenë rrënjësore, duke nisur nga rindërtimi i plotë i bazamentit të fushës, një proces i realizuar nga e para për të garantuar standardet më të larta teknike dhe funksionale.

Paralelisht është përfunduar edhe shtrimi i tapetit të ri hibrid, i cili do t’i ofrojë stadiumit një sipërfaqe loje moderne, të qëndrueshme dhe në përputhje me kërkesat e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Pas përfundimit të kësaj faze, është realizuar edhe mbjellja e barit natyral, ndërsa specialistët vijojnë procesin e mirëmbajtjes dhe monitorimit të vazhdueshëm të fushës, me qëllim që ajo të arrijë parametrat optimalë për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare.

Sipas afateve të planifikuara, fusha e re e stadiumit “Air Albania” do të jetë plotësisht e gatshme për përdorim gjatë muajit shtator 2026.

Ky investim lidhet drejtpërdrejt me përgatitjet për finalet e Kampionatit Europian U-21 2027, që Shqipëria do të organizojë së bashku me Serbinë.

Përfundimi i punimeve në “Air Albania” do t’i japë Shqipërisë një nga sipërfaqet më moderne të lojës në rajon, duke krijuar kushtet ideale për zhvillimin e ndeshjeve të ekipeve kombëtare dhe finaleve të UEFA EURO U-21 2027.