Edison Ypi: Qafa e Martës

Edison Ypi: Qafa e Martës

Koka në majë të Ostrovicës, gjerdani me perlën e madhe Backën varur poshtë gushës, ca perla më të vogla rrotull qafës, pylli i flokëve, supet e lëmuara, gusha e mermertë, qafa më e bukur e botës, Qafa e Martës, i ngjan qafës së femrës.

Po ashtu si qafa e femrës lëviz vazhdimisht në kërkim të Dashurisë, edhe Qafa e Martës ndryshon çdo çast, bëhet ashtu si e do ai që e sheh, ai që e adhuron, ai dashuron.
Ta zemë, dëshiron të shikosh ushtritë e huaja që kanë kaluar nga Qafa e Martës. Bujrum, të thotë Qafa e Martës. Ja pushtuesat, ja ndërluftuesat, kryqtarët, fituesat, humbësat, kërcënuesat. Ja ku janë: Greku, sërbi, austriaku, italiani, francezi, rusi, bullgari, e të tjerë e të tjerë. Dhe ti kënaqesh duke i kqyrur si vinë e ikin ata djaj.

Vetëm të huaj, vetëm pushtuesa. Po shqiptarë a kaluan nga Qafa e Martës ?

Sigurisht që kaluan. Ja ku i ke, ja ku po kalojnë, ja ku po marshojnë: udhëtarët, karvanët, çobenët, hallexhinjtë, zengjinët, fukarenjtë, hyzmeqarët, dervishët, priftërinjtë, kurbetlinjtë, kaçakët, komitët, hajdutët, karvanët, partizanët, ballistët, fashistët, mbretërorët, heroikët besnikët.

Ç'u bë gjatë shekujve në Qafën e Martës ?
Plot gjëra u bënë. Mjaft të keshë dëshirë t'i shohësh. Ja ku po kalojnë kalorës mbi kuaj që lexojnë urdhëra mbi pergamenë, dekrete sulltanore, apo romane, apo veneciane, dhe edhe më të largëta po deshe. Te Qafa e Martës u bënë kërcënime, u shpallën luftra, paqe, u nënëshkruan armëpushime, u kryen bisedime, u bënë pajtime, u realizuan beslidhje.

Po gostira a janë shtruar te Qafa e Martës ?
Po. Janë shtruar sofra madhështore për një mijë e më tepër burra. Ku ja merrnin këngëve tronditëse, mbanin ison mahnitëse, hidhnin valle, ndiznin zjarr, shkonin deshë hell, mal pilafi, lumë rakia, bromp dollia.

Vetëm festa, ahengje, këngë e valle, mish e raki ?
Ç'ësht ay llaf. Ku kthehej rakia e ngrihej dollia, jepej dhe Besa. Pa kishte dhe helmime. Në Qafën e Martës vrasje janë bërë, pusira janë zënë, dëshmorë kanë rënë, tradhëtarë që lëviznin si minj nga njëra qoshe në tjetrën ka patur. Heronj të lavdishëm, gjithashtu. Lace Backa, për shembull, trimi që i ngritën këngën me iso, ja ku e ke, ndiqe me kujdes, ja ku po ngjitet nga stani i vet te Qafa e Martës. Ku do i thërrasi Backës dhe backallinjve: Hej, djemtë e Backës, sot o kurrë. Përndryshe na mori greku përgjithmonë. Dhe pas pak Lacen e këngës e vrau pabesisht greku.

Veç ushtarë, oficerë, komandantë, jeniçerë, mamlykë, andartë, Qafën e Martës, që është më e zilepsura e të tëra qafave, e kanë vizituar edhe shkencëtarë, gjeologë, gjeofizicienë, gjeodedë, matematicienë, astronomë, astrologë, fallxhorë, magjistarë. Si dhe politikanë, gjeopolitikanë, ekonomista, janë takuar te Qafa e Martës. Por dhe metereologë, klimatologë, mjekë, endokrinologë, kardiologë, neurologë, sociologë, psikologë, psikiatër  psikanalistë. Erdhën, hodhën sytë rrotull. Ata pak që nuk u çmendën nga Bukuria, u kthyen nga erdhën.

Me gjithë këto të mira, a s'më thua, ore si është, çfarë karakteri ka Qafa e Martës ?
Qafa e Martës është qafë më serioze dhe më dinjitoze se Qafa e Pazarit,  Qafa e Buallit, Qafa eThorës, Qafa e Thirrës, Qafa e Thiut, Qafa e Gjarprit, Qafa e Barit. Qafa e Nëpërkës, Qafa e Sharrit, Qafa e Derrit, Qafa e Skiles, Qafa e Lopës, Qafa e Qenit, Qafa e Zagarit, Qafa e Thanës, Qafa e Krrabës, Qafa e Kiçokut, Qafa e Qarrit, Qafa e Nazelies. Qafa e Qeflies. Qafa e Shkrimtarit, Qafa e Poetit, Qafa e Llapaqenit. Qafa e Spiunit, Qafa e Hashashit, Qafa e Trafikantit, Qafa e Hajdutit, Qafa e Rrenacakut.
Qafa e Martës është, madje edhe më serioze dhe më dinjitoze se qafa e qafave, qafa e mitrës së femrës.
Qafa e Martës është më e madhja, më spektakolarja, më e bukura, më seriozja, më e rëndësishmja nga të gjitha qafat.
Para Qafës së Martës, qafat e tjera janë qafa qesharake.

Qafën e Martës kush nuk e ka parë, turp t'i vijë, të niset urgjent ta shohi e t'i falet.
Qafa e Martës kujt nuk i pëlqen, jazëk i qoftë, të bëjë Autokritikë në Mbledhjen e Kolektivit.
Pikturë më të bukur se Qafa e Martës s'e kap dot asnjë penel, sado gjenial.
Nuk ka në botë skulpturë më madhështore se Qafa e Martës që e ka gdhenduar era dhe shiu, dhe e ka bekuar Baba Fetahu.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare