Kokainë nga Amerika Latine në BE, kreu i grupit kapet në Shkodër, kunati në kërkim, bllokohen dy thasë me euro, biznes e makina mbi 1 mln €

Arrestohet në Shkodër kreu i një grupi kriminal gjatë një operacioni të nisur nga Danimarka, në bashkëpunim me pesë vende të tjera të Bashkimit Europian dhe Shqipërinë, që çoi në pranga edhe 42 persona të tjerë, mes të cilëve edhe shqiptarë dhe u bllokuan 40 kg kokainë, biznese dhe 800 mijë euro (200 mijë në Shqipëri). Kreu i grupit kriminal që u arrestua në Shkodër është Astrit Beqiri 51 vjeç. Ai u prangos mëngjesin e sotëm në banesën e tij pas hetimeve disa mujore, ndërsa akuzohet për pastrim parash, grup të strukturuar kriminal dhe kryere e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal. Gjithashtu u shpall në kërkim një tjetër person, emrin e të cilit policia nuk e ka publikuar, por gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno raporton se ai është kunati i Beqirit, Jetmir Kastrati. Në Danimarkë ai njihej si Sokol Krasniqi me pasaportë kosovare.

Nga operacioni u sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro dhe 7 objekte banimi në Velipojë. Biznesi është pularia në Bërdicë në pronësi të kreut të grupit kriminal Astrit Beqiri, 7 vilat ndodhen në Velipojë, ndërsa 7 automjetet e luksit që janë sekuestruar janë në pronësi të 51-vjeçarit, kunatit dhe familjarëve të tij. 200 mijë eurot ishin të fshehura në dy thasë në objektet e sekuestruara. Autoritetet daneze ranë në gjurmët e trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Holandë në vitin 2015, ndërsa më pas lënda narkotike shpërndahej në vendet e tjera të Europës. Astrit Beqiri në Shkodër njihet si biznesmen dhe nuk kishte lidhje direkt me trafikun, por bënte pastrimin e parave në Shqipëri.

Por si nisi operacioni? Operacioni ndërkombëtar antidrogë  i koduar "Goldfinger" nisi dhe u drejtua nga autoritetet e hetimit në Danimarkë. Operacioni ishte i shtrirë në Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni dhe Shqipëri në tre qytete, në Tiranë, Shkodër dhe Korçë. Autoritetet daneze të hetimit bashkëpunuan me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, që në fazën e hetimit proaktiv, i cili kishte në fokus goditjen e grupit kriminal që vepronte në shtetet e mësipërme, në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, etj.

Procedimi u regjistrua në vitin 2019, ndërsa sot në koordinim me EUROPOL, autoritet e hetimit të Danimarkës, ato të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Sllovenisë dhe Shqipërisë u realizua goditja në një kohë, të këtij grupi kriminal. Sipas policisë është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së prej 2015. Si rezultat i operacionit u arrestuan 42 persona në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim, që nga nisja e procedimit, po ashtu u sekuestruan 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, arme zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Nuk ka plane për një takim mes Putin dhe Trump

Kremlini: Nuk ka plane për një takim mes Putin dhe Trump