"EUROSIG" blen për 16 mln €
 'INSIG', ja vendimi i qeverisë

 'INSIG', ja vendimi i qeverisë">
Këshilli i Ministrave ka vendosur dje kalimin e pronësisë së kompanisë së vetme të sigurimeve me pronar shtetin tek një operator tjetër, që vepron në tregun e sigurimeve, për 15.9 milionë euro. Në VKM të marrë sot thuhet se qeveria vendosi shitjen e paketës së aksioneve prej 100 për qind, të zotëruara nga shteti në shoqërinë “INSIG”, sh.a., Tiranë, dhe shpalljen fitues të tenderit shoqërinë “EUROSIG”, sh.a.

Fituesit të tenderit i kërkohet që brenda 30 ditëve nga data e lëshimit të autorizimit përkatës në ministrinë e Financave, të bëjë pagesën e plotë të vlerës së ofruar në tender. Në të kundërt, nëse kjo shoqëri nuk paguan brenda afatit të sipërpërmendur vlerën e plotë të ofruar në tender, humbet të drejtën e blerjes dhe pagesa e ngurtësuar prej 30 tridhjetë milionë lekësh për pjesëmarrje në tender nuk i kthehet.

Në hapjen e ofertave u paraqitën disa subjekte. Kompania që ka ofruar më shumë ka qenë Eurosig, me 2.2 miliardë lekë. Më pas janë renditur Konsorciumi Duraku me 2.1 miliardë lekë dhe Balfin me 1.6 miliardë lekë. 

INSIG kishte në Shqipëri, në fund të dhjetorit 2015, vetëm 5.8% të tregut të sigurimeve të jo jetës, duke u renditur e dyta nga fundi në një segment që qarkulloi gati 100 milionë euro. Në tregun e sigurimeve të jetës, që gjithsej realizoi 7.3 milionë euro prime sigurimi në 2015-n dhe ka tre operatorë, INSIG mori vetëm 8.4% të tij.

INSIG vlerësohet sot më pak se gjysma e vitit 2003 (e indeksuar vetëm me inflacionin vjetor, 25 milionë euro të asaj kohe vlejnë sot rreth 33 milionë euro), ndërkohë që përveçse në mars 2000 kishte hapur degë në Kosovë, në 2004-n filloi dhe aktivitetin në Maqedoni. Vetëm vlera e këtyre licencave shkon deri në 10 milionë euro, në rast se do të kërkohej që të aplikohesh nga e para për t’i marrë ato.
 
Vendimi i Këshillit të Ministrave
 
* * *
V E N D I M
PËR

 
MIRATIMIN E PROCEDURËS SË TENDERIMIT PËR SHITJEN E PAKETËS SË AKSIONEVE (100 PËR QIND), TË ZOTËRUARA NGA SHTETI NË SHOQËRINË “INSIG”, SH.A., TIRANË, DHE SHPALLJEN FITUES TË TENDERIT SHOQËRINË “EUROSIG”, SH.A.
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të nenit 3, të ligjit nr.8334, datë 23.4.1998, “Për privatizimin e shoqërive tregtare që veprojnë në sektorët jostrategjikë”, të ndryshuar, të nenit 1, të ligjit nr.8831, datë 22.11.2001, “Për pronësinë shtetërore në shoqëritë tregtare financiare me kapital tërësisht shtetëror”, të ndryshuar, të vendimit nr.529, datë 21.08.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e tenderimit të paketave të aksioneve të shoqërive tregtare që zotërohen nga shteti”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.546, datë 18.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të aksioneve të shoqërisë “INSIG”, sh.a.”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e procedurës së tenderimit për shitjen e paketës së aksioneve prej 100 për qind, të zotëruara nga shteti në shoqërinë “INSIG”, sh.a., Tiranë, dhe shpalljen fitues të tenderit shoqërinë “EUROSIG”, sh.a.
 
2. Fituesi i tenderit, shoqëria “EUROSIG”, sh.a., do të pajiset nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, me autorizimin për kryerjen e pagesës së plotë të vlerës së ofruar në tender, ku përcaktohen qartë detyrimet e blerësit.
 
3. Fituesi i tenderit, shoqëria “EUROSIG”, sh.a., është i detyruar që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e lëshimit të autorizimit, të bëjë pagesën e plotë të vlerës së ofruar në tender.
Në të kundërt, nëse kjo shoqëri nuk paguan brenda afatit të sipërpërmendur vlerën e plotë të ofruar në tender, humbet të drejtën e blerjes dhe pagesa e ngurtësuar prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh për pjesëmarrje në tender nuk i kthehet.
 
4. Ngarkohet Ministria e Financave, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, të lidhë kontratën e shitjes së paketës së aksioneve të “INSIG”, sh.a.-së, Tiranë, me fituesin e tenderit, shoqërinë “EUROSIG”, sh.a.
 
      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?