Eurovision 2027 do të zhvillohet në Burgas të Bullgarisë. Unioni Evropian i Transmetimit (EBU) dhe Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT) konfirmuan se edicioni i ardhshëm i konkursit do të mbahet nga 12 deri më 15 maj në Arena Burgas, impianti më i ri sportiv dhe i argëtimit në vend, i hapur në vitin 2023.
Bullgaria fiton të drejtën për ta organizuar festivalin pasi këngëtarja Dara triumfoi në Eurovision 2026 në Vjenë me këngën “Bangaranga”, duke i dhënë vendit fitoren e parë në historinë e konkursit.
Drejtori i Festivalit të Këngës në Eurovision, Martin Green, tha se Burgasi u zgjodh sepse është një qytet me identitet të fortë muzikor e kulturor dhe me infrastrukturën e nevojshme për të mirëpritur një ngjarje të këtyre përmasave. Sipas tij, synimi është që edicioni i parë i Eurovisionit në Bullgari të ketë një identitet të qartë bullgar, pa humbur frymën karakteristike të konkursit.
Në garën për të pritur festivalin ishin edhe Sofja, Varna dhe Plovdivi, por EBU bëri të ditur se Burgasi u vlerësua më lart falë kombinimit të kapaciteteve të arenës, infrastrukturës teknike, hoteleve, transportit dhe lidhjeve ndërkombëtare.
Drejtoresha e BNT-së, Milena Miltenova, u shpreh se Bullgaria do të prezantojë kulturën, mikpritjen dhe profesionalizmin e saj para miliona shikuesve në mbarë botën. Ndërsa kryetari i bashkisë së Burgasit, Dimitar Nikolov, e cilësoi organizimin e Eurovisionit si një “nder të jashtëzakonshëm” për qytetin.
EBU pret gjithashtu një ndikim të rëndësishëm ekonomik nga organizimi i konkursit. Sipas saj, Liverpooli përfitoi rreth 66 milionë euro nga Eurovision 2023, Malmö rreth 40 milionë euro në vitin 2024, ndërsa Bazeli rreth 58 milionë euro në vitin 2025.
Në të njëjtën kohë, EBU ka ndryshuar edhe rregullat për vendin fitues. Sipas rregullores së re, nëse shteti fitues ndodhet në një konflikt të armatosur ose përballet me një situatë të ndjeshme gjeopolitike që prek sigurinë dhe stabilitetin, ai nuk do të jetë automatikisht organizatori i edicionit pasardhës.
Ky ndryshim është parë gjerësisht në kontekstin e debatit për pjesëmarrjen e Izraelit, mes kritikave ndërkombëtare për operacionet e tij ushtarake në Gaza dhe Lindjen e Mesme. Megjithatë, rregulli i ri nuk prek vetëm Izraelin, por mund të zbatohet edhe për vende të tjera, si Ukraina, e cila nuk mundi të organizonte Eurovision 2023 pas fitores në vitin 2022 për shkak të luftës, duke bërë që konkursi të zhvillohej në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar.








Komente
Komento