Çdo verë mijëra shqiptarë që jetojnë në Evropë nisen me makinë drejt vendlindjes, duke kaluar nëpër disa nga rrugët më të ngarkuara të Ballkanit. Por një studim i fundit tregon se pikërisht disa prej këtyre vendeve kanë edhe bilancin më të rëndë të aksidenteve rrugore në kontinent.

Analiza e publikuar nga Vignette Switzerland, kompani që  menaxhon shërbime online për pagesat e autostradave në Zvicër, e vendos Serbinë në krye të listës së vendeve me rrezikun më të lartë në trafik. Sipas të dhënave, atje regjistrohen 74 viktima në aksidente rrugore për çdo një milion banorë, një nivel dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian.

Pas saj vijnë Bullgaria me 71 viktima dhe Rumania me 68 për një milion banorë. Të tre këto vende janë pjesë e korridoreve që përdoren shpesh nga shqiptarët dhe mërgimtarët gjatë udhëtimeve drejt Evropës Perëndimore ose në kthim për pushime.

Studimi lidh këtë situatë me një kombinim faktorësh, si infrastruktura rrugore, zbatimi i rregullave të qarkullimit dhe numri i aksidenteve me pasoja fatale. Megjithatë, në Serbi është regjistruar një ulje e lehtë e viktimave krahasuar me një vit më parë.

Në mesin e dhjetë vendeve me më shumë viktima në trafik përfshihen edhe disa destinacione shumë të vizituara nga turistët, si Portugalia, Greqia, Italia dhe Franca.

Në krahun tjetër të renditjes qëndrojnë Norvegjia dhe Suedia. Të dyja vendet regjistrojnë vetëm 19 viktima në aksidente rrugore për një milion banorë, duke u renditur si më të sigurtat në Evropë për drejtuesit e automjeteve.

Studimi tregon gjithashtu se disa shtete kanë bërë përparim të ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit. Lituania ka ulur numrin e viktimave me 43%, ndërsa përmirësime të konsiderueshme kanë shënuar edhe Letonia, Bullgaria, Greqia dhe Hungaria.

Ndryshe paraqitet situata në Portugali dhe Francë, ku  përmirësimi ka qenë shumë më i ngadaltë. Sipas të dhënave, Portugalia ka ulur viktimat në trafik me vetëm 1% që nga viti 2015, ndërsa Franca me 6%.

Për ata që planifikojnë të udhëtojnë me makinë këtë verë, ekspertët këshillojnë respektimin e rregullave të qarkullimit, planifikimin e itinerarit dhe kujdes të shtuar gjatë kalimit në rrugë të panjohura.