James Bond do të ishte krenar. Po ashtu edhe "kolegu" i tij Smiley, si dhe Ian Fleming, John le Carré, Somerset Maugham dhe Graham Greene, mjeshtrit e romaneve dhe sagave britanike të spiunazhit.

Kjo sepse Britania e Madhe ka triumfuar në atë që përfaqësuesit e shërbimeve të inteligjencës e quajnë "Eurovizioni i spiunëve".

Vlerësimi është bërë nga revista franceze L'Express, e cila ka pyetur 60 veteranë të shërbimeve sekrete, në detyrë dhe në pension, nga 25 vende. Në fund, vendin e parë e ka zënë MI6 (shërbimi sekret britanik që vepron jashtë Mbretërisë së Bashkuar), i vlerësuar si shërbimi më i fuqishëm dhe më efektiv i inteligjencës së jashtme në Europë, me 251 pikë. MI6 është vlerësuar veçanërisht për aftësinë në rekrutimin e agjentëve të huaj dhe infiltrimin në regjimet e Kinës, Rusisë dhe Iranit.

Veçanërisht Moska i druhet shumë spiunëve britanikë, që nga koha kur ata u përpoqën të sabotonin Revolucionin Bolshevik. Me këtë mund të lidhet edhe obsesioni i Vladimir Putinit ndaj ish-spiunëve ose agjentëve të dyfishtë në territorin britanik, si në rastin e vrasjes së Aleksandër Litvinenkos dhe helmimit të Sergei Skripalit.

Në Iran, ndërkaq, dyshimi dhe njëkohësisht admirimi ndaj shërbimit sekret britanik janë edhe më të thella, kujton The Times. Këto ndjenja datojnë që nga koha kur Britania Perandorake dhe Rusia Cariste rivalizonin për ndikim në rajon, si edhe nga grushti i shtetit kundër Mohammad Mossadeghut në vitin 1953, i organizuar përmes komplotit të MI6 dhe CIA-s. Në Iran, edhe sot fjala "Inglis" (anglez) lidhet me dinakërinë dhe mashtrimin.

Shërbimi francez i inteligjencës së jashtme, Direction Generale de la Securite Exterieure (DGSE), u rendit në vendin e dytë me 169 pikë. Pas tij vijnë Holanda, Ukraina dhe Gjermania. Italia u rendit e 15-ta me 11 pikë, në të njëjtin nivel me Belgjikën dhe Republikën Çeke.

Megjithatë, L'Express vlerëson se agjentët italianë kanë aftësi të konsiderueshme për depërtim operacional dhe kompetenca të forta në Afrikën e Veriut, veçanërisht në Libi, ku për nga ndikimi tejkalojnë si britanikët ashtu edhe francezët në atë rajon.

Në fund të renditjes u pozicionua Sllovakia, e vlerësuar si shërbimi më pak efektiv i spiunazhit në Europë, me zero pikë.

MI6 shërbimi më i vjetër i inteligjencës në botë

I themeluar në korrik të vitit 1909 si Foreign Section e Secret Service Bureau, MI6 është shërbimi më i vjetër i inteligjencës në botë që ka vijuar aktivitetin pa ndërprerje, kujton The Times.

"Shtetet e Bashkuara nuk kishin as një shërbim sekret të inteligjencës së jashtme. 'Zotërinjtë nuk lexojnë postën e të tjerëve', deklaroi me krenari një zyrtar i Departamentit të Shtetit. Vetëm në vitin 1942, me ndihmën e Britanisë së Madhe, u krijua Office of Strategic Services (OSS), i cili më vonë u shndërrua në CIA."

Pas procesit të dekolonizimit, MI6, që sot e ka selinë në një ndërtesë monumentale në brigjet e lumit Tamiz, në Vauxhall, pranë Parlamentit të Ëestminsterit, trashëgoi një rrjet jashtëzakonisht efektiv inteligjence nga MI5, shërbimi i sigurisë së Perandorisë Britanike.

Ruajtja dhe zgjerimi i këtij rrjeti u bë thelbësor për inteligjencën britanike, duke i sjellë avantazhe të mëdha gjatë Luftës së Ftohtë dhe edhe më pas. Edhe sot, aleanca Five Eyes, që konsiderohet partneriteti më i rëndësishëm ndërkombëtar i inteligjencës në botë dhe përfshin Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re, shihet pjesërisht si trashëgimi e ndikimit anglofon të Perandorisë Britanike.

Sipas gazetës britanike The Times, shërbimi sekret francez është mbështetur shpesh te korrupsioni, shantazhi dhe atentatet. Ndërsa inteligjenca britanike ka rekrutuar me vetëdije atë që Ëinston Churchill i quante "mendje në formë tapash": amatorë të talentuar, ekscentrikë, mendimtarë jokonvencionalë, shkrimtarë dhe, në mënyrë të pashmangshme, edhe një numër të caktuar të çmendurish, mashtruesish, tradhtarësh dhe kriminelësh.

"Fitorja në dy luftërat botërore varej pjesërisht nga artet e errëta të mashtrimit, falsifikimit, manipulimit dhe përgjimit. Deshifrimi i mesazheve të Enigmës, pushtimi i Siçilisë dhe zbarkimi në Normandi u mbështetën të gjitha nga veprimtaria e spiunëve."

Në vitet 1970, drejtuesit e inteligjencës britanike hartuan edhe një raport ku arrihej në përfundimin se britanikët janë mashtrues nga natyra.

"Ekziston një dallim i madh në karakteristikat kombëtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Për një qytetar britanik është pothuajse një mënyrë jetese të përdorë dinakërinë në pothuajse çdo marrëdhënie me njerëzit e tjerë, qofshin miq apo armiq. Për britanikët mund të thuhet se prirja për mashtrim është një burim natyror që e kanë të lindur."/LaRepubblica