TIRANE- Aksioni i paralajmëruar kundër evazionit fiskal ka rritur në masën 30%-40% blerjen e kasave tatimore në kryeqytet. Nga një vrojtim i kryer nga “Shqiptarja.com” në njësitë e tre prej pesë subjekteve të licencuar për shitjen e kasave fiskale, rezultoi se fluksi është rritur ndjeshëm pikërisht gjatë dy ditëve të fundit, pas deklaratave të përsëritra të zyrtarëve të lartë për afrimin e aksionit. Kompanitë kanë shpjeguar se fluksi më i madh i blerjeve ka ardhur nga subjekte që gjenden në zona periferike, apo jashtë Tiranës. Nga ana tjetër, kompanitë e kanë pasur të pamundur të përballojnë të gjitha kërkesat, duke shtyrë për disa ditë instalimin e pajisjeve, pavarësisht lidhjes së menjëhershme të kontratave me blerësit.

330 euro
Sipas kompanive, pjesa dërrmuese e subjekteve kanë blerë modelin më të lirë që gjendet aktualisht në treg dhe që kushton 330 euro. Ky model ka të bashkangjitur kartën SIM, që shërben për dërgimin e veprimeve të kasës në serverin e tatimeve dhe bashkangjitur modemin që bën të mundur eksesin në internet të pajisjes.