Evazioni, me fitimet e aksionit
zerohet taksa për biznesin e vogël
'Vendim historik'

TIRANË - Lufta ndaj informalitet prodhon rezultatet e para të cilat shkojnë në mbështetje të taksa-paguesve. Me të ardhurat e siguruara nga aksioni kundër informalitetit të bizneseve që nisi në shtator qeveria ka vendosur ta zerojë tatim fitimin mbi biznesin e vogël që ka xhiro vjetore deri në 50 milionë lekë të vjetra dhe për biznesin nga 50 deri në 80 milionë lekë xhiro në vit, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin do të ulet nga 7.5 % në 5 %. Në çdo rast biznesi i vogël duhet të ketë kasën fiskale dhe të bëjë deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve vjetore një herë në vit. Më herët qeveria zeroi taksat për bizneset me xhiro deri në 20 milionë lekë të vjetra.
...

Një tjetër lehtësi për biznesin e vogël u prezantua këtë të hënë nga kryeministri Edi Rama. Ai tha se të gjitha bizneset e vogla me xhiro vjetore nga zero deri në 50 milionë lekë të vjetra nuk do të paguajnë me asnjë taksë. Këta biznese do të çregjistrohen nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, ndërsa u duhet të paguajnë vetëm sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, siç bëjnë aktualisht.

"Rezultati i parë është një rezultat që do të gëzojë sot që flasim të gjithë ata që merren me biznes të vogël. Sepse ne jemi gati që këtë rezultat të parë, pra, këtë ndryshim të dukshëm që do të vazhdojë, por që në këtë fazë është i mjaftueshëm për të kuptuar se kemi kthyer fort rrugën në drejtimin e duhur, ta kthejmë në një përfitim për ju në radhë të parë. Atëherë, kemi sot një fashë xhiroje nga 0-2 milionë, pra 0-20 mijë dollarë po e themi apo 20 milionë lekë të vjetra në vit, të cilën do ta ndryshojmë dhe do të kalojmë në një fashë nga 0-50 milionë, pra deri 50 mijë dollarë në vit dhe të gjitha bizneset nga 0 deri në 50 milionë lekë xhiro në vit, do të çregjistrohen nga tatimi thjeshtuar mbi fitimin, pra nuk do të paguajnë më asnjë taksë. Deri sot, ata që ishin deri 20 milionë paguanin 250 mijë lekë tarifë vjetore, ata që ishin nga 20-50 paguanin 7,5% taksë mbi fitimin, nuk do të paguajnë më asgjë, zero taksë. Këto biznese duhet të dorëzojnë 1 herë në vit një deklaratë të të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre vjetore. Nuk kanë më historirat që kishin deri më sot. Deklarata duhet të dorëzohet brenda 28 shkurtit të vitit pasardhës", - tha kryeministri Rama. 

km biznesi vogel

Ndërkohë për bizneset të cilat arrijnë nga 50 deri në 80 milionë lekë të vjetra xhiro në vit, tatimi mbi fitimin do të ulet me 2.5 %.
 
"Të gjitha bizneset midis 50 deri në 80 milionë lekë të vjetra, ju e dini që 80 milionë lekë të vjetra është kufiri për tu konsideruar biznes i vogël, nëse sot fasha nga 50-80 milionë lekë ishte subjekt i TVSH, mbetet subjekt i TVSH, por për këto biznese do të ulim tatim fitimin nga 7.5 % në 5 %. Të gjitha bizneset e vogla nga 0 deri në 80 milionë lekë të vjetra xhiro vjetori do të duhet të paraqesin fatura të rregullta tatimore për blerjen e çdo malli", - u shpreh shefi i mazhorancës.

Në një takim në kryeministri me përfaqësues të biznesit të vogël kreu i qeverisë tha se kjo lehtësi vjen si rezultat i të ardhurave të mbledhura nga operacioni anti-informalitet të nisur në muajin shtator.
 
"Rezultatin e parë të këtij operacioni jua dedikojmë juve. Nuk është se e kemi mirë arkën e shtetit, për të pasur mundësira të mëdha, por besoj se këto para duhet të shkojnë tek ju, tek të gjithë ata që vetëpunësohen. Me hyrjen në fuqi javët e ardhshme të këtij plani, ne i konsiderojmë bizneset e vogla aleatë në betejën kundër informalitetit për të bllokuar shkarkimin e paligjshëm të TVSh-së nga të mëdhenjtë", - tha Rama.

Siç kreu i Tatimeve Briseida Shehaj bëri publike në një intervistë për Shqiptarja.com pak ditë më parë, edhe kryeministri Rama konfirmoi se nuk do të ketë gjoba për punonjësit e pasiguruar nga e njëjta familje. Një shqetësim ky që është ngritur më herët nga përfaqësuesit e biznesit të vogël, një pjesë e madhe e të cilëve gjatë kohës së pushimit linin në dyqan fëmijët e tyre ose të afërm të tjerë për t'i zëvendësuar.

"Bizneset nga 0-50 milionë nuk do të gjobiten më për mosdeklarim për punonjësit e papaguar të familjes. Është një çështje që e kemi ndeshur në mënyrë të vazhdueshme, që janë dy prindër që kanë një dyqan, mamaja shkon të bëjë darkën, babai ka ndenjur gjithë ditën aty, djali kthehet nga shkolla rri në banak, vjen inspektori dhe e gjobit biznesin sepse e konsideron punonjës të padeklaruar. Këtë do ta heqim, nuk do të jetë më kjo gjë", - tha Rama.

Shembujt e dhene nga kryeministri per te kuptuar edhe me qarte lehtesite per biznesin e vogel
Marrim rastin e një dyqani, market ushqimor apo të tjera. Ka një të vetëpunësuar të vetëm. Për vitin 2015 ka paguar 250 mijë lekë, faturën e përvitshme të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, faturën fikse. Nuk do ta paguajë më. Do të paguajë vetëm sigurime shëndetësore dhe sigurime shoqërore, siç i ka paguar edhe deri sot.

Fasha e xhiros 2-3 milionë,  një shërbim fast-food, burrë e grua të vetëpunësuar. Për vitin 2015 ka paguar 410.998 lekë tatim të thjeshtësuar mbi fitimin. Në total ka paguar së bashku me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, 1 milion e 206 mijë lekë. Me këtë ndryshim do të kursejë 35 mijë lekë të vjetra çdo muaj. Nuk do të paguajë më tatimin e thjeshtuar mbi fitimin.

Fasha e xhiros 3-4 milionë lekë, prodhime brumërash dhe ëmbëlsirash, po marr sërish të njëjtin rast tipik të një familje të vetëpunësuar, cila do të kursejë 86.650 lekë në muaj, sepse i paguante si taksë, nuk do t’i paguajë më.

Fasha e xhiros 4-5 milionë lekë, një bar kafe, vetëpunësim dhe punësim të të tjerëve. Ka paguar 112.087 lekë të reja, si tatim të thjeshtuar mbi fitimin. Do të kursejë çdo muaj 93.400 lekë të vjetra. Pra, deri në 50 milion lekë të vjetra xhiro, nuk ka më taksa, zero, me kushtin e të qenit qytetarë të mirë që zbatojnë ligjin, sigurime shoqërore, sigurime shëndetësore, kupon, faturë tatimore nga distributori.

Vijmë tek fasha e xhiros 50-60 milionë lekë, tregti me pakicë tekstilesh. Në këtë rast ka paguar një tatim të thjeshtuar mbi fitimin me 7.5%, 1 milion e 355 mijë lekë dhe do të paguajë 900 mijë lekë. Do të kursejë 450 mijë lekë.

Vijmë tek fasha e xhiros 60-70 milionë lekë. Ka paguar për 2015, 1 milion e 722 mijë lekë, do të kursejë 574 mijë lekë.

Fasha e xhiros 70 – 80 milion lekë, ka paguar 2 milion e 149 mijë lekë, do të kursejë 720 mijë lekë, pra do të paguajë 720 mijë lekë më pak.

Redaksia Onlinë
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave