TIRANË- Kryeministri Edi Rama ia ka besuar drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, deputetes nga Durrësi dhe kardiologes Klodiana Spahiu. Burime për Report Tv, bëjnë me dije se pas dorëheqjes së Evis Salës, në drejtimin e këtij dikasteri do të emërohet Spahiu. Propozimi i kryeministrit Edi Rama i dërgohet fillimisht Presidentit Bajram Begaj i cili duhet ta dekretojë brenda 7 ditëve. Më pas dekreti i kreut të shtetit i kalon Kuvendit për votim dhe i hapet rrugë betimit të Spahiut.

Lëvizja erdhi pas pas dorëheqjes së Evis Salës, ministres më jetëshkurtër të Shëndetësisë të mandateve të qeverisë Rama nga 2013-a. Pa bërë ende një vit në detyrë, Sala njoftoi dje në mbledhjen e qeverisë dorëheqjen, me argumentin se do të vazhdojë karrierën e saj shkencore.

Kush është Klodiana Spahiu?

Në moshën 36-vjeçare, Klodiana Spahiu u bë deputete për herë të parë. Prej vitit 2009, ajo ka qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa në legjislaturën e kaluar mbajti edhe postin e nënkryetares së Kuvendit dhe drejtoi Komisionin parlamentar të Shëndetësisë. 17 vite më pas, në moshën 53-vjeçare, Spahiu merr postin më të lartë në karrierën e saj politike, atë të ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

E lindur më 22 maj 1973 në Durrës, Spahiu është mjeke kardiologe. Ajo përfundoi studimet për Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës, në vitin 1997, ndërsa nga viti 1998 deri në 2002 u specializua në kardiologji pranë QSUT “Nënë Tereza”.

Gjatë karrierës mjekësore ka kryer një sërë specializimesh jashtë vendit. Në Universitetin Katolik “Sacro Cuore” në Romë është specializuar në kardiologjinë joinvazive, ndërsa në vitin 2005 kreu specializim në kardiologjinë invazive, kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës pranë Spitalit “Santa Chiara” në Pisa. Në vitet 2012-2014 përfundoi edhe masterin profesional për Menaxhim Shëndetësor.

Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekes në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT, ndërsa nga viti 2003 deri në 2009 ka punuar si kardiologe në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit, institucion të cilin më pas e drejtoi për pak kohë.

Ajo ka qenë pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, pedagoge e jashtme e fiziologjisë, si dhe docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”. Spahiu mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.

Ministrat e Shëndetësisë gjatë qeverisë ‘Rama’
Shtator 2013 – Mars 2017 Ilir Beqaj
Shtator 2017 – Shtator 2023 Ogerta Manastirlliu
Shtator 2023 – Shtator 2025 Albana Kociu
Shtator 2025 – Shtator 2026 Evis Sala
Shtator 2026- Klodiana Spahiu