Evropa autorizon policinë e
përbashkët të shtojë aksionet

Evropa autorizon policinë e<br />përbashkët të shtojë aksionet
Parlamenti Evropian ka dhënë dje dritën jeshile për më shumë kompetenca për Europol, me qëllim luftimin e terrorizmit. Falë votimit në seancë plenare, agjencia policore europiane do të mund të intensifikojë së shpejti përpjekjet kundër terrorizmit, kriminalitetit informatik dhe krimeve të tjera dhe t’u përgjigjet në kohë kërcënimeve. Kompetencave të reja u bashkohen edhe garancitë për mbrojtjen e të dhënave dhe instrumenteve të kontrollit demokratik, raportojnë mediat ndërkombëtare në edicionet online. 

“Rregullat e reja për Europol janë një mjet i fuqishëm legjislativ që do të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë së qytetarëve europianë”, deklaroi relatori Augustin Diaz de Mera gjatë debatit që i parapriu votimi. 
Europol dhe struktura të tjera europiane përgjegjëse për sigurinë u gjendën nën një valë kritikash të rënda në muajt e fundit për shkak të pamundësisë së parandalimit të sulmeve të nëntorit në Paris dhe ato të Brukselit në fillim të vitit.
 
Atentati
Ndërkohë, vijon masakra terroriste në Lindjen e Mesme. Shpërthimi i një autobombe në një treg shumë të frekuentuar të Bagdadit ka marrë të paktën 64 jetë të tjera njerëzish, duke e kthyer këtë të sotmin në njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse të kohëve të fundit në kryeqytetin irakian. Plot 87 janë të plagosurit në lagjen me shumicë shiite të Sader City-t. Përgjegjësinë e sulmit e morën përsipër militantët e Shtetit Islamik. Grupi sunit, që kontrollon zona të mëdha në Veri dhe në Perëndim të vendit, i ka vënë shpeshherë në shënjestër shiitët, që i konsideron heretike.

Pjesa dërrmuese e viktimave në treg, sipas burimeve të policisë irakiane dhe atyre spitalore, ishin gra e fëmijë. Disa prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën. Vet ISIS-i, në deklaratën e lëshuar “online”, pretendon se shënjestra e tij kanë qenë milicët shiitë.
Sulmi u krye me një kamion fruta-perimesh të mbushur me eksplozivë. Dëshmitarët okularë tregojnë se, drejtuesi e ka parkuar mjetin, e pas kësaj është zhdukur mes turmës së njerëzve me shpejtësi.
 
Shpërnguljet
Numri i personave të shpërngulur brenda vendeve të tyre, për shkak të konflikteve apo dhunës, arriti në shifrën rekod prej 40.8 milionë njerëz në 2015-n. Kjo gjë bëhet e ditur në një raport të ri ndërkombëtar, të hartuar nga Këshilli norvegjez i Refugjatëve dhe nga Qendra Monitoruese e Shpërnguljeve të Brendshme, me seli në Gjenevë. Jan Egeland, sekretari i Përgjithshëm i këshillit norvegjez pohoi se, ky ishte numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Sipas raportit, 8.6 milionë njerëz ishin shpërngulur brenda vendeve të tyre vetëm vitin e kaluar, gjysma e të cilëve në zonat e konfliktit të tilla si Iraku, Siria dhe Jemeni. “Ndërsa vëmendja e botës është përqëndruar te fluksi i refugjatëve jashtë rajonit, miliona njerëz shpërngulen brenda tij në Lindjen e Mesme, më shumë sesa pjesa tjetër e botës e marrë bashkë”, pohon Carsten Hansen, drejtor rajonal për Lindjen e Mesme i Këshillit norvegjez të Refugjatëve.

Numri i të zhvendosurve brenda rajonit, në Siri dhe Irak, është rritur me 1.3 për qind, ose 1.1 milionë, shifër kjo që i shtohet miliona të tjerëve që janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e konflikteve të gjata.
Jemeni është vendi i prekur më rëndë nga kjo dukuri, me rreth 2.2 milionë njerëz të shpërngulur, si rezultat i sulmeve ajrore të drejtuara nga sauditët. Arabia Saudite dhe shtetet aleate të gjirit po ndërmarrin një operacion ushtarak e një bllokadë ekonomike kundër rebelëve Huthi në Jemen, duke shkaktuar atje një katastrofë humanitare.
Mbi një milion refugjatët që arritën në kontinentin e vjetër vitin e kaluar ishin vetëm maja e ajsbergut të shpërnguljeve globale, që mund të vlojnë prej vitesh brenda rajonit para se të shpërthejnë përtej kufijve.

Redaksia online
A.N shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Spanjolla 'Mundo Deportivo': Zbuloni Rivierën Shqiptare plot me atraksione

Spanjolla 'Mundo Deportivo': Zbuloni Rivierën Shqiptare plot me atraksione