Evropa paralajmëron: Monedhat
virtuale janë me rrezik të lartë

Evropa paralajmëron: Monedhat<br />virtuale janë me rrezik të lartë<br>
Autoritetet Mbikëqyrëse Evropiane për titujt, bankingun, sigurimet dhe fondet e pensionit kanë publikuar një paralajmërim për vendet e Bashkimit Evropian lidhur me rreziqet e blerjes së monedhave virtuale. Autoritetet paralajmërojnë konsumatorët se monedhat virtuale janë produkte me rrezik të lartë dhe kuadër të parregulluar, si dhe janë të papërshtatshme për investime, kursime apo plane pensioni.

Çfarë janë?
Monedhat virtuale që ekzistojnë aktualisht janë përfaqësimi dixhital i një vlere, që as nuk është e emetuar dhe as nuk është e garantuar nga një bankë qendrore apo autoritet publik dhe nuk e kanë statusin ligjor të monedhës apo parasë. 

Ato janë tejet të rrezikshme, dhe përgjithësisht nuk janë të mbuluara nga aktive të trupëzuara dhe nuk rregullohen nga legjislacioni i BE-së; rrjedhimisht, ato nuk u ofrojnë konsumatorëve mbrojtje ligjore. Te tria Autoritetet shprehin shqetësimin për faktin se një numër gjithmonë e më i madh konsumatorësh po blejnë MV, veçanërisht me pritshmërinë se vlera e MV-ve do të vazhdojë të rritet, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun e lartë se ata mund t’i humbasin paratë që kanë investuar.

Monedha të tilla si Bitcoin, Ripple, Ether dhe shumë të tjera, së fundmi kanë pësuar shumë luhatje, që do të thotë se çmimet e tyre kanë pasur luhatje domethënëse çdo ditë. Për shembull, vlera e Bitcoin-it u rrit dukshëm në vitin 2017, nga rreth 1.000 euro që ishte në muajin janar, arriti deri në vlerën mbi 16.000 euro në mes të muajit dhjetor dhe më pas humbi pothuaj 70% të vlerës, në 5.000 euro në fillim të muajit shkurt.

Së fundmi, ajo ka rikuperuar rreth 40% të vlerës më të ulët që shënoi dhe aktualisht tregtohet në rreth 7.000 euro. Kapitalizimi total i tregut i 100 monedhave virtuale më të mëdha mendohet se e tejkalon barasvlerën e 330 miliardë eurove në nivel global sot.

Rreziku
Të tria Autoritetet evropiane i paralajmërojnë konsumatorët se monedhat virtual (MV) mund të jenë jashtëzakonisht me rrezik dhe janë zakonisht tejet spekulative. Nëse blini MV, duhet të jeni të vetëdijshëm se ka një rrezik të madh që të humbisni një shumë të madhe, ose edhe të gjithë shumën, e parave të investuara. Kur blini MV, ose produkte financiare që sjellin ekspozim të drejtpërdrejtë të konsumatorëve ndaj MV-ve, jeni të ekspozuar ndaj një numri të lartë rreziqesh, përfshirë sa më poshtë:

Luhatshmëri ekstreme dhe i ashtuquajturi rrezik i flluskës – Pjesa më e madhe e MV-ve i nënshtrohen luhatjeve ekstreme të çmimit dhe kanë treguar shenja të qarta të një flluske çmimi. Nëse vendosni të blini MV ose produkte financiare me MV, duhet të jeni të vetëdijshëm se mund të humbisni një shumë të madhe, ose të gjithë shumën, e parave të investuara.

Mungesa e mbrojtjes – Pavarësisht nga kërkesat e BE-së për parandalimin e pastrimit të parave që do të hyjnë në fuqi për ofruesit e portofoleve dixhitale dhe platformat e këmbimit valutor të MV-ve, këto të fundit mbeten të parregulluara sipas legjislacionit të BE-së. Po ashtu, platformat ku tregtohen MV-të dhe portofolet dixhitale që përdoren për të mbajtur, ruajtur dhe transferuar MV-të janë të parregulluara sipas legjislacionit të BE-së. Kjo do të thotë se nëse blini ose mbani MV, nuk do të përfitoni nga garancitë dhe mbrojtja që lidhet me shërbimet e rregulluara financiare.

Për shembull, nëse një platformë për këmbimin e MV- ve ose një ofrues i një portofoli dixhital dështon, del nga tregu, ose i nënshtrohet një sulmi kibernetik, përvetësimit të fondeve apo sekuestrimit të pasurive si pasojë e veprimeve ligjzbatuese, legjislacioni i BE-së nuk ofron ndonjë mbrojtje ligjore specifike që do të mbulonte humbjet apo ndonjë garanci që do t’ju siguronte rifitimin e aksesit në mbajtjet tuaja në MV. Këto rreziqe janë materializuar në raste të shumta në gjithë botën.

Mungesa e opsioneve të daljes – Nëse vendosni të blini MV, rrezikoni të mos jeni në gjendje t’i tregtoni MV-të tuaja apo t’i këmbeni ato në monedha tradicionale, si për shembull euro, për një periudhë të gjatë kohe. Për rrjedhojë, mund të pësoni humbje në këtë proces.

Mungesa e transparencës së çmimit – Formimi i çmimit të MV-ve shpesh nuk është transparent. Prandaj, ekziston një rrezik i madh që të mos merrni një çmim të saktë kur blini ose shisni MV.

Ndërprerje operacionale – Disa platforma tregtimi të MV-ve kanë pësuar probleme të rënda operacionale, të tilla si ndërprerje të tregtimit. Gjatë këtyre ndërprerjeve, konsumatorët nuk kanë pasur mundësi të blejnë apo të shesin MV në momentin që kanë dëshiruar dhe kanë pësuar humbje për shkak të luhatjeve të çmimeve të MV-ve që konsumatorët kanë mbajtur gjatë periudhës së ndërprerjes.

Informacion keqorientues – Informacioni i vendosur në dispozicion të konsumatorëve që dëshirojnë të blejnë MV, nëse ky informacion është dhënë, është në pjesën më të madhe të rasteve i paplotë, i vështirë për t’u kuptuar, nuk paraqet si dhe sa duhet rreziqet e MV-ve dhe mundet, pra, të jetë keqinformues.

Papërshtatshmëria e MV-ve për pjesën më të madhe të qëllimeve, përfshirë investimet ose planet e pensionit – Luhatshmëria e madhe e MV-ve, pasiguria për të ardhmen e tyre, mosbesueshmëria e platformave për këmbimin e MV-ve dhe ofruesve të portofoleve dixhitale i bën MV-të të papërshtatshme për shumicën e konsumatorëve, në veçanti për ata që kanë qëllime afatgjata, të tilla si plane kursimi për pension.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Vrasja e 14 vjeçarit, shtohen efektivët e policisë në të gjithë shkollat e kryeqytetit

Tiranë/ Vrasja e 14 vjeçarit, shtohen efektivët e policisë në të gjithë shkollat e kryeqytetit