TIRANË - Mundësi i Shqipërisë, Islam Dudaev nuk ia ka dalë që t'i japë vendit një medalje të artë duke u mposhtur në finalen e Evropianit të Mundjes që po zhvillohet në Pallatin e Sportit 'Feti Borova' në Tiranë. Ruso-shqiptari duhet të mjaftohet me medaljen e argjendtë, pasi në finalen e peshës deri në 65 kilogramë të stilit të lirë u mposht sot nga rusi Bashir Magomedov me rezultatin 10-0 me pikë. Magomedov dominoi ndeshjen duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi sportistit kuqezi.
Me arritjen si nënkampion i Evropës, Dudaev ka siguruar 4 milionë lekë të rinj shpërblim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo sfidë u ndoq nga pranë edhe nga kryeministri Edi Rama.
Performanca e Dudaev në këtë event
Ruso-shqiptari kaloi pa shumë vështirësi turkun Ahmet Duman në fazën kualifikuese, duke e mposhtur 6-1. Në fazën çerekfinale Dudaev u përball kundër gjeorgjianit Nika Zakashvili, duke fituar 3-1 në një përballje që tregoi gjithë cilësitë dhe teknikën e mundësit tonë.
Në fazën gjysmëfinale Dudaev mposhti pastër 4-0 me pikë rusin Islam Guseinov, i cili garon nën ombrellën e Federatës Botërore të Mundjes, për shkak se Rusia nuk është e mirëpritur në këto aktivitete pas sulmit mbi Ukrainë.
Edhe fituesi i medaljes së artë, Bashir Magomedov, garoi me flamurin e Federatës Botërore të Mundjes.
Zelimkhan Abakarov - Sportisti tjetër kuqezi, Zelimkhan Abakarov, ia doli të sigurojë sot finalen për disiplinën e stilit të lirë deri në 61 kilogramë dhe për rrjedhojë e ka 'në xhep' medaljen e argjendtë. Finalja mes Zelimkhan Abakarov dhe Zavur Uguev do të zhvillohet të dielën në orën 17:10, në ditën përmbyllëse të këtij eventi.
Në ambientet e Pallatit të Sportit 'Feti Borova' në Tiranë i pranishëm në finalet e Evropianit të Mundjes ishte edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë është parë pranë pistës, teksa ky event nisi prej të hënës dhe mbyllet të dielën (nesër). Në kohën që Rama ndodhej në sallë, mundësi i Shqipërisë, Islam Dudaev u mposht në finale nga rusi Bashir Magomedov.
Për herë të parë një event i kësaj rëndësie dhe këtyre përmasave po mbahet në vendin tonë.
Komente











