TIRANË - Në Kampionatin Evropian të Mundjes i cili po zhvillohet në Pallatin e Sportit 'Feti Borova' në Tiranë, sportistët e Shqipërisë vijojnë të shkëlqejnë me flamurin kuqezi. Zelimkhan Abakarov, ia doli të sigurojë sot finalen për disiplinën e stilit të lirë deri në 61 kilogramë dhe për rrjedhojë e ka 'në xhep' medaljen e argjendtë.
Ruso-shqiptari kaloi në fazën kualifikuese pa shumë probleme italianin Simone Vincezno Piroddu, duke e mposhtur 12-2, ndërsa në çerekfinale mposhti 6-2 gjermanin Niklas Stechele në një ndeshje të dominuar nga atleti ynë.
Në gjysmëfinale, Abakarov mposhti bindshëm 14-3 azerbajxhanasit Nuraddin Novruzov duke merituar finalen. Në përballjen që do të vendos për medaljen e artë, ruso-shqiptari do të përballet kundër rusit Zavur Uguev i cili garon me stemën e Federatës Botërore.
Kujtojmë se atletët rus garojnë nën ombrellën e Federatës Botërore, pasi simbolet e Rusisë si dhe himni nuk janë të pranuara pas sulmit rus mbi Ukrainë. Finalja mes Zelimkhan Abakarov dhe Zavur Uguev do të zhvillohet të dielën në orën 17:10, në ditën përmbyllëse të këtij eventi.
Islam Dudaev - Mundësi tjetër i Shqipërisë, Islam Dudaev nuk ia ka dalë që t'i japë vendit një medalje të artë duke u mposhtur në finale. Ruso-shqiptari duhet të mjaftohet me medaljen e argjendtë, pasi në finalen e peshës deri në 65 kilogramë të stilit të lirë u mposht nga rusi Bashir Magomedov me rezultatin 10-0 me pikë.
Komente









