ANGLI - Arsenali i është bashkuar Liverpoolit duke u bërë dy nga skuadrat e para që kanë siguruar një biletë për në fazën çerekfinale të FA Cup, kompeticionit më të vjetër në botë i cili këtë vit po zhvillon edicionin e 145-të.
Në stadiumin 'One Call' këtë të shtunë vendasit e Mansfield (Kategoria e Tretë) u mposhtën 1-2 nga Arsenali. Miqtë vuajtën në një ndeshje shumë të luftuar dhe historike. 97 vite nga ndeshja e parë mes tyre (12 janar 1929), Arsenali ia del sërish të fitojë dhe të eliminojë Mansfield nga FA Cup.
Skuadra nga Londra e nisi ndeshjen më mirë, paçka se Mikel Arteta kishte bërë disa lëvizje në formacion. Në fundin e pjesës së parë, konkretisht në minutën e 41-të ishte Noni Madueke që kaloi në epërsi Arsenalin, pas pasimit të Martinellit.
Nisja e pjesës së dytë i pa vendasit më të vendosur dhe në minutën e 50-të rezultati u barazua në 1-1, me autorin e golit Will Evans që çoi peshë stadiumin e tejmbushur. Miqtë e Arsenalit 'u shkundën' dhe hodhën shikimin drejt sulmit duke gjetur golin e fitores në minutën e 66-të me Eberechi Eze. Sulmuesi mori një pasim nga Norgaard, bëri dy driblime në hyrje të zonës dhe lëshoi një 'predhë' me të djathtën duke e ndalur topin pas krahëve të portierit Roberts.
Ndeshja e sotme mes këtyre dy skuadrave ishte e dyta në histori. Takimi i parë u luajt 97 vite më parë, konkretisht më 12 janar 1929 në fazën e katërt të FA Cup dhe fitohej 0-2 nga Arsenali me golat e Harold Peel dhe David Jack.
Tanimë Arsenali pret kompletimin e ndeshjeve të fazës së 1/8 dhe shortin për të mësuar rivalin e fazës çerekfinale.
Komente







