TIRANE - Zv/kryeministri Niko Peleshi, ka quajtur të tepërta dhe të pahijshme akuzat që janë ngritur këto ditë nga opozita për përfshirjen e Forcave të Armatosura në transportin e lëndëve narkotike. Sipas zv/kryeministrit këto akuza nuk janë të hijshme për Shqipërinë si vend anëtare e NATO-s.

Duke vlerësuar qëndrimin korrekt të kryeministrit dhe të ministres së Mbrojtjes, Peleshi i ka quajtur shashka akuzat e hedhura nga opozita në parlament. Sipas tij, parlamenti është një vend në të cilin nuk mund të ngrihen alibi dhe akuza që dëmtojnë imazhin e vendin, ndaj edhe kushdo që zotëron akuza konkrete duhet t’i drejtohet organeve të akuzës.

“Sa i ka hije politikës shqiptare, opozitës në rastin konkret, që të përfshijë Forcat e Armatosura në shashka të tilla të cilat vijnë në parlament me mungesën më të lartë të seriozitetit, sepse siç e keni ndjekur dhe vetë nuk është se u fol për akuza të provuara, fakte e të tjera, por u fol vetëm mbi informacione dhe alibi.

Mendoj që qeveria dhe ministrja e Mbrojtjes ka mbajtur qëndrim më korrekt të mundshëm, edhe vetë kryeministri, duke inkurajuar çdo deputet që mund të ketë një informacion të tillë t’i drejtohet organeve të akuzës.”- u shpreh Peleshi.

Shkrimi u publikua sot (19.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)