Ish-trajneri italian, Fabio Capello, ka reaguar ashpër pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, duke e cilësuar situatën si një nga momentet më të errëta në historinë e futbollit italian.
Në një prononcim për 'Marca', Capello nuk e fshehu zhgënjimin.
“Nuk munda të flija gjithë natën, ende nuk mund ta besoj atë që ndodhi. Po flasim për një ekip katër herë kampion bote, kjo është një tragjedi sportive, një turp", tha ai fillimisht.
Ai theksoi se situata është e papranueshme për një komb me traditë të madhe si Italia, duke e cilësuar këtë dështim si një nga ngjarjet më negative në historinë e futbollit të vendit.
Capello drejtoi kritika të forta edhe ndaj drejtuesve të Federatës Italiane të Futbollit, duke përmendur drejtpërdrejt presidentin Gabriele Gravina.
“Askush nuk po jep dorëheqjen dhe kjo është gjëja më shqetësuese. Personi i parë që duhet të marrë përgjegjësinë është presidenti, së bashku me të gjithë drejtuesit”, tha 79-vjeçari.
Sipas tij, zgjidhja kërkon një analizë të thellë dhe një rindërtim total.
“Duhet të sjellim ekspertë, të kuptojmë çfarë nuk funksionon dhe të nisim nga baza. Problemi nuk është vetëm rezultati, por është strukturor", vijoi ai.
Në fund, Capello pranoi se rikuperimi do të jetë i vështirë, por shprehu besimin se kjo krizë mund të shërbejë si pikënisje për një rilindje të futbollit italian.
“Italia duhet të rishpikë veten. Për një vend si ky, mungesa për herë të tretë në Botëror është shumë e vështirë për t’u pranuar", mbylli Capello.
Lajmi kryesor:
'Tërmeti' i Kupës së Botës sjell pasoja në Itali, dorëhiqet Gabriele Gravina! Zgjedhjet e reja për kreun e Federatës së Futbollit Italian do të mbahen më 22 qershor










