PARIS - Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius përshëndeti përpjekjet e mëdha të forcave rebele Siriane të cilat pavarësisht dhunës së regjimit vazhdojë përpara revolucionin e tyre.

Deklarata e Ministrit Fabius erdhi gjatë takimit të mbajtur të mërkurën në Paris, me pjesëtarët opozitarë të Sirisë, të cilët e quajnë veten e tyre, Këshilli Revolucionar Civil.

"Dëshiroj të theksoj, në emër të të gjithëve, përkushtimin dhe kurajën që po tregoni me vazhdimin e revolucionit dhe idealeve tuaja çdo ditë e më shumë, panvarësisht dhunës së regjimit. Një revolucion i cili që në fillim deklaroi se ishte demokratik dhe civil." u shpreh Fabius.

Ndërkohë në Siri, rebelët e ndarë kanë rënë dakord që të bashkohen në betejën për të hedhur nga pushteti Presidentin Bashar al-Assad, kjo sipas burimeve të agjencisë Reuters, të cilët raportojnë se luftimet të dhunshme janë shpërndarë nëpër gjithë vendin.

Revolta e nisur tashmë prej 19 muajsh kundër Assad, e cila nisi si demonstratë paqësore, u kthye në një luftë civile të përgjakshme. Ministri Fabius deklaroi gjithashtu se gjysma e Sirisë mund të konsiderohet si zonë e liruar, edhe pse një pjesë e madhe e zonave të tjera ende nuk janë të tilla.

Sipas aktivistëve më shumë se 30.000 persona janë vrarë, ndërsa qindra mijëra të tjerë janë strehuar në vendet fqinje, ndërkohë që shumë qytete janë kthyer në qytete fantazmë për shkak të bombardimeve të rënda.
(dm/shqiptarja.com)