Fabula dhe veçanësitë e saj në
prurjet e shkrimtarit Vangjush Saro

Fabula dhe veçanësitë e saj në<br />prurjet e shkrimtarit Vangjush Saro
Shkrimtari Vangjush Saro sapo ka publikuar librin e tij të ri me fabula, titulluar “Gomar apo Kaproll?” Krijimtaria letrare e këtij autori, i njohur për qasjet groteske, është e gjerë dhe e larmishme; ajo karakterizohet nga struktura të kohës dhe një koncizitet bindës.

Vangjush Saro ka publikuar libra me fabula, me tregime satiro-humoristike, si dhe novela, për të rritur e për fëmijë; ai ka shkruar, gjithashtu, skenarë për filma artistikë, dokumentarë e vizatimorë, si dhe publicistikë.

Fabulat janë një aspekt i veçantë i krijimtarisë së shkrimtarit; në këtë zhanër, ai operon duke kombinuar rrëfimin gazmor e shpotitës, me elementet lirike. Dilema, meditimi, zhgënjimi, finalet e papritura, janë karakteristike për fabulat e tij. Në to, shpesh ai vizaton edhe peizazhe, ku vendos ngjarjet dhe shpërfaq karakteret.

Me të drejtë, është konstatuar se në krijimet e shkrimtarit Vangjush Saro, veçmas në zhanrin për të cilin po flasim, dallohen “shenja të reja në krijimet fabulore. I gjejmë ato në konceptim, në këndvështrim dhe ndërtim. Kjo lidhet me aktin poetik individual të tij.” (Xhahid Bushati - shkrimtar, studjues)

Në fabulat e Vangjush Saros, bien në sy, gjithashtu, gjetjet interesante, dialogu intensiv dhe fjalori i pasur, e në funksion të mesazheve që përcjell krijimi. Falë simbolikës bindëse, rrëfimit tërheqës, autori qaset natyrshëm te lexuesit e çdo moshe. Dhe kjo është një e vërtetë rreth së cilës nuk mungojnë asnjëherë argumentet.

Fabula e autorit Vangjush Saro “nuk është thjesht një vjershë e shkurtër me karakter alegorik a satirik. As edhe ndonjë kategori e tillë që vetëm lexohet. Ajo tërheq!” (Fatmir Terziu - shkrimtar, kritik letrar) Ndër veçanësitë e tjera të krijimtarisë së shkrimtarit, është “përcjellja e fabulës përtej subjekteve e botës së kafshëve, tani edhe te sende e dukuri të ndryshme të jetës; këto sende e dukuri personalizohen, duke hyrë në marrëdhënie varësie a sjelljeje me njëra-tjetrën.” (Pandeli Koçi - shkrimtar, kritik letrar)

Besojmë se këto tipare, që nga koha në kohë kanë ndërtuar profilin artistik të autorit, shfaqen edhe më mirë në librin e tij më të fundit “Gomar apo Kaproll?” Vëllimi i sapopublikuar nga Shtëpia Botuese ERIK, është një përmbledhje e fabulave më të reja të autorit, ndërkohë që një pjesë e krijimeve janë botuar gjatë viteve të fundit në gazeta e rrjete. Me sa shohim, libri i drejtohet tregut pas një përzgjedhjeje të kujdesshme dhe të menduar mirë, për të mos humbur lexuesit e çdo moshe. Duke e përcjellë “Gomar apo Kaproll?” në publik, besojmë se fabulës, por edhe letërsisë shqipe, iu shtohet një prurje me vlera. 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Zjarri përfshin Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, e vështirë të ndërhyhet nga terreni! Në operacion edhe 50 forca të ushtrisë

Zjarri përfshin Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, e vështirë të ndërhyhet nga terreni! Në operacion edhe 50 forca të ushtrisë