Gjiganti i rrjeteve sociale, Facebook deklaroi këtë të martë se ka mbyllur mijëra llogari të hapura në këtë rrjet nga vende si Irani, Rusia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Si arsyetim mbi këtë nismë të marrë nga Facebook është thënë se po kryhet për të parandaluar "veprime të koordinuara dëmtuese".
Sipas të dhënave në njoftimin e Facebook-ut janë hequr 2,632 faqe, grupe dhe llogari personale. Gjithashtu nga kjo reformë janë prekur edhe llogaritë e Instagramit. "513 llogari ishin të lidhura me Iranin, ndërsa 1,907 ishin të lidhura me Rusinë", shpjegon Facebook. Ndërsa 212 prej llogarive të mbyllura ishin me vendndodhje në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Facebook tha gjithashtu se faqet dhe llogaritë ishin mbyllur për mënyrën e funksionimit dhe jo për përmbajtjen. Platforma e medias sociale kohët e fundit ka marrë masa ndaj llogarive të tilla në shumë vende, pasi është kritikuar ashpër dy vitet e fundit për zvarritje – të pranuar edhe nga vetë kompania – në zhvillimin e instrumentave për të luftuar ekstremizmin dhe operacionet e propagandës.