Fadil Paçrami 1500 punonjës të
Kamzës e kryqëzojnë “je tradhtar”

Fadil Paçrami 1500 punonjës të<br />Kamzës e kryqëzojnë “je tradhtar”
TIRANE- Do të duhej të ndodhte me 9 korrik 1973. Plot 1500 punonjës të Kamzës kishin thirrur në një mbledhje për të vënë para përgjegjësive Fadil Paçramin, deputetin e tyre që kishte degjeneruar rininë dhe artin me idetë e tij liberale. Ata do ti kërkonin atij të revokonte mandatin e deputetit e të shpjegonte pse kishte kryer tradhëti ndaj Partisë. Por Paçrami i njoftoi se ishte i sëmurë. E megjithëkëtë shkoi në Kamëz, madje një orë para orarit që ishte caktuar. Kur mësoi se mbledhja ishte anulluar ai kërkoi të mblidheshin punonjësit që ishin aty pranë, gjë që nuk u pranua, me cc’duket qëllimisht, pasi ishte menduar që të kishte jashtëzakonisht shumë njerëz që e dënonin Paçramin në atë mbledhje...

Stuhia do të shpërthente të nesërmen. Mbledhja ishte caktuar me 10 korrik 1973. Punonjësit dhe komunistët e Kamzës e kishin mbushur sallën që një orë para se të fillonte mbledhja. Ajo ç’ka ndodhi nga ora 18:00 deri në 20:15 për më shumë se tre orë, sot ngjan tragjikomike. Bujq, blektorë e punonjës të ndërmarrjeve të tjera venë përpara dhe dënojnë deputetin e tyre dhe anëtarin e Komitetit Qëndror Fadil Paçrami. Ata kanë bërë gati 35 pyetje thumbuese me qëllim ta venë para përgjegjësisë e ta zënë ngushtë, por Paçrami dredhon.

Ja një pjesë e pyetjeve:
“Në qoftë se do të triumfonte vija e juaj liberale, çfarë kishit ndërmend të sillnit në Shqipëri? Pse ju nuk keni ndjekur e zbatuar vijën e partisë, direktivat e saj, kur ato ishin të qarta për të gjithë ne? Pse kini dashur degjenerimin e rinisë, me çfaqjet e modës, ç’thurjeve, indisiplinimeve në shkolla etj.? Pse ti u përpoqe duke shfrytëzuar luftën kundër konservatorizmit t’i linje shteg përhapjes së liberalizmit në vendin tonë? Pse ke dashur të likuidonje partinë dhe udhëheqjen e sajë? Cilat ishin qëllimet tuaja kur thonit “të mos merremi me kontradiktat tona me armiqt por vetëm me kontradiktat midis nesh”? Cila ishte veprimtaria e juaj kundër konservatorizmit që e përmendni shpesh? Pse kini dashur të reviziononi ideologjinë e partisë sonë? Pse keni mohuar rolin udhëheqës të organizatave të partisë veçanërisht në organizatat e institucioneve kulturale e artistike? Cili ishte qëllimi i juaj, kur urdhëruat të hiqet ora politike në Institutin Bujqësor ose të mos kishte pedagog që të merreshin e të ndihmonin organizatat e rinisë? Pse për ju krijimtari është vetëm ajo e pas viteve 1960? Pse keni rënë në batakun e revizionizmit, etj., etj...”

Në fund, kur Paçrami vetëm sa ka devijuar nga seicila pyetje, ata ngrihen të gjithë nji nga nji dhe mbajnë fjalime kundër tij në foltore.
E gjtihë kjo ngjarje e pazakontë zbardhet sot për herë të parë përmes të këtij dokumenti që ruhet në Arkivin e Shtetit në fondin 14, e që Shqiptarja.com, boton ekskluzivisht për lexuesit e saj. 

Dokumenti prej 5 faqesh, nënshkruan në fund FISNIK PREZA/ Kamëz, më 11.VII.1973. Këtë informacion ia përcjell me një shkresë shoqëruese Komitetit Qëndror, sekretari i parë i Komitetit të Partisë Tiranë,  Manush Myftiu.
 
 Dokumenti i plotë
 PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI I PARTISË
TIRANË
Ekzemplar Nr. 1
Nr. 731 Prot.                                
Tiranë, më 20.7.1973
 
Komitetit qendror të P.P.SH.
Tiranë
 
Bashkangjitur ju dërgojmë informacionin mbi zhvillimin e mbledhjes së punonjësve të Kamzës, ku u diskutua dhe iu kërkua llogari Fadil Paçramit për pikëpamjet dhe veprimtarinë e tij revizioniste, antiparti e armiqësore dhe ku ai u revokua si deputet.
 
SEKRETARI I PARË I K.P. TIRANËS
                                           (Manush Myftiu)



I N F O R M A C I O N
 
Punonjësit e N. B. “Ylli i Kuq” u njohën me përmbajtjen e raportit të shokut Enver Hoxha mbajtur në Plenumin e 4-të të K. Q. të P.P.SH., si dhe me vendimet shumë të rëndësishme të këtij plenumi. Ata diskutuan në mënyrë të veçantë dhe dënuan ashpër pikëpamjet dhe veprimtarinë antiparti të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës. Me qënë se Fadil Paçrami ka qenë zgjedhur deputet në zonën e tyre elektorale ata vendosën unanimisht që ta revokojnë dhe vendimin e tyre ia njoftuan Presidiumit të Kuvendit Popullor. Mendimi i të gjithë zgjedhësve ishte se Fadil Paçrami nuk meriton më besimin e tyre; sepse ai është një revizionist, armik, që ka punuar e luftuar kundër vijës së partisë e udhëheqjes së saj, kundër interesave të popullit, socializmit e revolucionit në Shqipëri.

     Gjithashtu ata kërkuan me insistim, që Fadil Paçrami të vinte në Kamëz e të jepte llogari përpara tyre për qëllimet dhe veprimtarinë e tij armiqësore, për dëmin që u ka shkaktuar interesave të partisë dhe të popullit.
     Mbledhja u la të zhvillohet më 9 korrik 1973, por u anullua për shkak se Fadil Paçrami njoftoi se ish i sëmurë. Megjithkëtë, ai erdhi në Kamëz nji orë para kohës së caktuar. Kur mësoi që mbledhja ish anulluar, kërkoi të grumbulloheshin punonjësit që ishin aty pranë në sektorin e Qendrës. Kjo gjë nuk u pranua nga ana jonë dhe vendosëm që mbledhja të bëhesh të nesërmen, më datë 10 korrik 1973. Ndërkaq komunistë në Kamëz u njohën edhe me fjalën e mbylljes të shokut Enver në Plenumin e IV të K.Q. të Partisë.

     Në mbledhjen e organizuar morën pjesë mbi 1500 punonjës. Kishte nga ata që, megjithse u kërkua të mos vinin në këtë mbledhje sepse do të vazhdonin ujitjen ose punët në blegtori e tjerë, nuk pranonin dhe kërkonin me insistim të merrnin pjesë duke thënë: duam t’u tregojmë vendin revizionistëve, tradhtarëve, atyre që duan që të na minojnë nga brenda, etj. Në mbledhje muarrën pjesë punonjësit e Ndërmarrjes Bujqësore Kamëz si dhe disa kuadro e studentë të Institutit të Lartë Shtetëror të Bujqësisë, zgjedhës të zonës Nr. 237, ku ish deputet Fadil Paçrami. Në sallën e kinemasë merrnin pjesë mbi 700 vetë, ndërsa të tjerët dëgjonin me altoparlanta rreth pallatit të kulturës. Nji orë para se të fillonte mbledhja në sallë nuk kishte vend të qëndroje në këmbë. Ajo filloi në orën 18.00 dhe mbaroi në 21.15.

     Fadil Paçrami u prit nga kryetari i kryesisë së Frontit të ndërmarrjes dhe para fillimit të mbledhjes u ul në rreshtin e parë të sallës. Në ardhjen e paraqitjen e tij të gjithë vunë re mëndjemadhësinë, fodullëkun, sikur me atë nuk kish ndodhur gjë, ai mendonte se ishte fjala vetëm për të hequr thjeshtë mandatin dhe të kalonte radhën. Mbasi zuri vend presidiumi, mbledhjen e hapi kryetari i frontit shoku Rapo Nurçellari. Ky njoftoi kolektivin që simbas kërkesës tonë, Fadil Paçrami u suall për të dhënë llogari për fajet e tij të rënda përpara partisë dhe popullit.

     Qysh në fillim iu dha fjala Fadil Paçramit, i cili tha: “Unë kam bërë gabime dhe faje dhe më vjen keq që nuk realizova besimin që më dhatë. Partia më vuri në dukje të gjitha gabimet që unë kisha, si shfaqje të mëndjemadhësisë, të liberalizmit dhe me të drejtë Partia më hoqi si antar të Komitetit Qendror, bile më përjashtoi fare nga radhët e saj. Në këto kushte ju keni të drejtë të më hiqni si deputet, si kryetar i Kuvendit Popullor, sepse unë nuk meritova besimin tuaj dhe të partisë. Unë humba të kaluarën time, të tashmen dhe të ardhshmen time, por do të pyes ndonjëri pse jetoj unë tani, çfarë qëllimi i kam vënë vetes? Unë do të punoj si qytetar i thjeshtë sepse mua nuk më beson më njeri”.

     Në këtë kohë ndërpremë Fadil Paçramin duke i thënë: kolektivi përpara pak ditësh ka kërkuar të revokojë mandatin tënd si deputet. Ti asnjëherë dhe asgjëkund nuk ke bërë autokritikë. Tani ne nuk presim qëndrim tjetër. Jeni këtu jo për t’u justifikuar, por për të dhënë llogari përpara zgjedhësve, pse keni rënë në batakun e revizionizmit, pse keni tradhtuar idealet e shenjta të partisë etj. Ai i revoltuar tha: “Unë nuk kam tradhtuar, këtë epitet nuk ma ka thënë njeri, këto gjëra kam thënë në ndërmarrjen time, këto i kam thënë në Komitetin Qendror, këto do të them edhe sot. Unë kam humbur jetën dhe veprimtarinë time dhe po mendohem çdo ditë se ku më çoj kjo rrugë, duke i vënë vetes për detyrë të punoj sipas porosisë së partisë”. Në këtë kohë u ngrit e tërë salla duke i thënë: Ti je tradhtar, ti je kundërrevolucionar, ti je revizionist, prandaj do të na përgjigjesh mirë dhe hapur pa demagogji pyetjeve që do të bëjmë për veprimtarinë tënde armiqësore.

     Punonjësit i bënë atij mbi 35 pyetje nga më të ndryshmet si: Në qoftë se do të triumfonte vija e juaj liberale, çfarë kishit ndërmend të sillnit në Shqipëri? Pse ju nuk keni ndjekur e zbatuar vijën e partisë, direktivat e saj, kur ato ishin të qarta për të gjithë ne? Pse kini dashur degjenerimin e rinisë, me çfaqjet e modës, çthurjeve, indisiplinimeve në shkolla etj.? Pse ti u përpoqe duke shfrytëzuar luftën kundër konservatorizmit t’i linje shteg përhapjes së liberalizmit në vendin tonë? Pse ke dashur të likuidonje partinë dhe udhëheqjen e sajë? Cilat ishin qëllimet tuaja kur thonit “të mos merremi me kontradiktat tona me armiqt por vetëm me kontradiktat midis nesh”? Cila ishte veprimtaria e juaj kundër konservatorizmit që e përmendni shpesh? Pse kini dashur të reviziononi ideologjinë e partisë sonë? Pse keni mohuar rolin udhëheqës të organizatave të partisë veçanërisht në organizatat e institucioneve kulturale e artistike? Cili ishte qëllimi i juaj, kur urdhëruat të hiqet ora politike në Institutin Bujqësor ose të mos kishte pedagog që të merreshin e të ndihmonin organizatat e rinisë? Pse për ju krijimtari është vetëm ajo e pas viteve 1960? Pse keni rënë në batakun e revizionizmit, etj., etj.

Këtyre pyetjeve e të tjera Fadil Paçrami nuk iu përgjigj, rrëshqiste vazhdimisht me gjithë ndërhyrjet nga salla. Përsëriste shpesh “që kam 30 e ca vjet antar partie, kam luftuar kundër revizionizmit dhe për këtë në kohën e Koçi Xoxes jam përjashtuar edhe nga partia, nuk kam tradhtuar njeri, nuk jam kundërrevolucionar, kam bërë gabim që luftova vetëm në një krah” etj.

Në këtë kohë e gjithë salla, e indinjuar nga qëndrimi i tij, kërkoi të mos e dëgjonin dhe ta ulnin në vend.
Diskutimet e punonjësve ishin të shumta. Nuk kërkonin leje për të diskutuar, siç ndodh zakonisht. Çoheshin vetë, renditeshin njëri pas tjetrit në tribunë e kush të diskutonte më parë. Të gjithë dënuan me vendosmëri pikëpamjet e qëndrimet e Fadil Paçramit, qëllimet dhe veprimet e tij antiparti. Ata shpjeguan e argumentuan përmbajtjen ideologjike e politike të veprimtarisë së tij. Duke mos luftuar në të dy krahët, thanë punonjësit, ai dëshironte që tek ne të penetronte ideologjia borgjeze e revizioniste, të degjenerohej jeta në vendin tonë, veçanërisht rinia, arti dhe kultura, donte të likuidonte rolin udhëheqës të organizatave bazë të partisë.

Punonjësit vërtetuan se ai ka punuar e luftuar kundër vijës së drejtë marksiste-leniniste të partisë, ka punuar kundër interesave jetike të popullit tonë, ka qenë për dobësimin e fuqisë mbrojtëse të atdheut, ai donte dobësimin e unitetit të çelniktë të popullit rreth partisë. Ai me mëndjemadhësinë, arrogancën dhe gënjeshtrën, që e karakterizonin, nuk u lidh asnjëherë me masën, nuk dëgjoi asnjëherë mendimet e zërin e punonjësve të Kamzës, ai nuk donte klasën punëtore e fshatarësinë punonjëse, etj., etj.

     Të gjithë punonjësit treguan një qartësi të thellë e të jashtëzakonshme ideologjike si dhe një pjekuri të madhe politike. Ata treguan në mënyrë të shkëlqyer për një kuptim të drejtë të fjalimeve të kohëve të fundit të shokut Enver. Duke demaskuar Fadil Paçramin si armik të betuar të partisë e të popullit, ata premtuan se do të zhdukin pasojat e ndikimeve të huaja në ekonominë tonë, do të rrisin më lart frymën luftarake, qëndrimet revolucionare, mobilizimin në punë, për të plotësuar me nder detyrat në prodhimet bujqësore e blegtorale e në fushat e tjera.

     Mbledhja u zhvillua me një frymë të lartë luftarake e revolucionare, me një entusiazëm të pa përshkruar për partinë dhe udhëheqësin tonë të dashur shokun Enver. Brohoritjet për partinë dhe për shokun Enver ishin pa mbarim. Fadil Paçrami, me sa u duk, nuk parashikonte që t’i bëhesh një demaskim i tillë i tmerrshëm dhe i argumentuar nga ana e punëtorëve, ai mendoi se do ta kalonte lehtë dhënien e llogarisë përpara popullit.

Mbledhja do të vazhdonte deri në orët e vona, asnjeri nuk donte të largohesh pa e demaskuar, megjithse në sallën bënte mjaft vapë. Mbas shumë diskutimesh, nga të gjithë pjesëmarrësit u kërkua me insistim që Fadil Paçrami t’i jepet organeve të drejtësisë për ndjekje penale, si tradhtare i partisë dhe i popullit, si revizionist i kulluar, që ka dashur të përmbysë pushtetin tonë popullor. Ata shprehën urrejtjen e madhe për armikun e klasës, për frikacakun e rënë në prehrin e imperialistëve e revizionistëve.
 
                  FISNIK PREZA
                  Kamëz, më 11.VII.1973


Shkrimi u publikua sot (18.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)