TIRANE - Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit (FAF sh.a.) që vepron në një treg për ata që nuk u shërbehet nga bankat, po rrit ndikimin në zonat rurale, duke përmirësuar sivjet treguesit e portofolit të kredisë me disbursime të reja, rritje të numrit të klientëve të rinj, ulje të përqindjes së kredisë me probleme.
Sipas burimeve nga FAF, shoqëria mbështet ekonomitë lokale duke j'u përgjigjur kërkesave për kredi të mikrobizneseve dhe investimeve të vogla dhe të mesme në zonat malore dhe rurale më pak të mbështetura, me synim, zhvillimin e bizneseve të reja dhe fuqizimin e atyre ekzistuese.
FAF që është nën varësi të Ministrisë së Financave, me shërbimin e mikrofinancës u shërben klientëve në zona rurale dhe malore. Në total FAF sh.a, ka rreth 3,678 klientë aktivë dhe një portofol kredish prej afro 20 milionë usd, me klientë kryesisht në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, tregtisë, shërbimeve, prodhim, etj.
Ndikimi social-ekonomik është një nga elementet më të rëndësishëm të institucioneve të mikrofinancës, me ndikim në punësim nga FAF.
Sipas të dhënave të këtij institucioni, një mikrokredi e disbursuar nga FAF mesatarisht krijon 1,70 vende të reja pune me kohë të plotë dhe 1,33 vende të reja pune me kohë të pjesshme. Brenda një harku kohor në 300 ditët e para të qeverisjes, rezulton se në bazë të raportit të matjes dhe vlerësimit të ndikimit nga mbështetja me mikrokredi e FAF, janë krijuar 833 vende të reja pune me kohë të plotë dhe 682 vende të reja pune me kohë të pjesshme./ATSH/