Faik Ballanca, Peripecitë
e një romani në vitet ‘70

Faik Ballanca, Peripecitë<br />e një romani në vitet ‘70
TIRANE - Librat kanë fatin e tyre. Ai përcaktohet nga niveli që kanë – vlerësohen dhe lexohen nga një numër i panumërueshëm lexuesish ose lexohen për një farë kohe, ose fletët e tyre lexojnë vetëm njëra-tjetrën nëpër raftet e bibliotekave ose depove plot lagështirë.

Romani i parë e i fundit i shkrimtarit Faik Ballanca “Nomeja e largët”, ashtu si gjithë proza e tij, edhe pas dyzet vjetësh po lexohet e po studiohet deri në nivelet shkencore kudo në trevat shqiptare.

Ky roman ka “përjetuar” peripecitë e veta. Në mesin e viteve ’70 të shekullit të kaluar  iu kthye autorit si i pabotueshëm nga shtëpia botuese “Naim Frashëri (e vetmja në atë kohë në Republikën e Shqipërisë që botonte letërsi artistike) për “të meta” e “gabime ideore”.

Romani u botua pas vdekjes së autorit më 1989. Në kritikat e studimet letrare ky roman është analizuar, komentuar e interpretuar drejt e me objektivitet për vlerat e qenësishme artistike si një nga romanet e rrallë që thyen traditën e romanit të periudhës së realizmit socialist jo vetëm me strukturën, po edhe në konceptimin përmbajtësor.

Përvoja e hidhur historike e shqiptarëve nga pushtimet e shumta e të pandërprera, si rrjedhojë e situatës gjeopolitike të vendit tonë, ka ngjallur natyrshëm shpirtin e qëndresës, instinktin e vetëmbrojtjes për të mos u asimiluar nga të huajt që kanë qenë përherë numerikisht e potencialisht më të mëdhenj si mbretëri e perandori.

Nëpër faqet e romanit “Nomeja e largët” shpaloset karakteri e shpirti human i shqiptarit mbi përvojën tragjike të luftërave. Shqiptari ende nuk e ka harruar të kaluarën, por nuk ka mbetur rob i saj, duke mos ushqyer  brenda vetes urrejtjen si helm të fshehur.

Në këndvështrim të parë e të njëanshëm mund të krijohet përshtypja sikur autori rrezikon të bjerë në ksenofobi. Por fakti që barinjtë e kanë pranuar Bendon, një ish-ushtar të huaj – personazhi problematik e dramatik i romanit – në gjirin e tyre, si të barabartë, pa kurrfarë diskriminimi ose përçmimi, dëshmon artistikisht qartë humanizmin e këtyre malësorëve shqiptarë.

Por kur vjen çështja  te martesa me të, banorët e fshatit nuk e pranojnë një hap të tillë, pra lidhjen trashëgimore  me atë të huaj. Thellë në vetëdijen e tyre, që tashmë ka kaluar si nënvetëdije, ekzistojnë hijet e së kaluarës. Dhe nëpërmjet rrëfimeve në pasvështrim, me krerët “Gjithsecili rrëfen një histori”, autori motivon drojën e mospranimin e malësorëve.

Mbeturinat e luftës së fundit, predha e bomba avionësh të paplasura, fishekë e krehër fishekësh, copa bombash, granatash të përhapura  nëpër pllajën e malit, ca të mbuluara, ca të mbetura mes barit e gurëve, dhe Bendoja si i tillë, nuk mund të mos u kujtonin barinjve luftën.

Figura e Bendo kujtesëhumburit mund të konsiderohet një përgjithësim simbolik. Përpjekja për ruajtjen e identitetit barazohet me kërkimin e përjetshëm të lirisë së mohuar, por ta konservuar mes maleve qoftë dhe në stad embrional.

Faik Ballanca ka pasur aftësinë për të gdhendur karakter e marrëdhënie të vërteta e të gjalla të personazheve që janë tejet të zakonshëm e të thjeshtë, po ka mes tyre edhe të pazakonshëm, çka i ngjyros  me tipare legjendare; përshkruan mjedise reale aq dhe ekzotike të barinjve.

Stili i përkor, karakteristikë e prozës së  Ballancës, në përshkrimin jetës së fshatit, ndryshon në rrëfimet e të kaluarës, duke marrë tipare herë fantastike e herë romantike, por në tërësinë e romanit harmonizohen, ashtu si relievet e thyer të maleve që kanë kontraste të natyrshme.

Organizimi mozaikal i kompozicionit e ka bërë të veçantë këtë roman, duke pasur një tjetër tipar origjinal mes romaneve të kohës kur ky roman u shkrua, të cilët, me pak përjashtime, kanë një zhvillim linear. Krerët e ndërfutur, “Gjithsecili tregon një histori”, janë njësi kompozicionale më vete, të cilat funksionalizohen brenda intencës ideore të autorit.

Pra, kemi një gërshetim të së tashmes me të kaluarën historike. Këto rrëfime tronditëse kushtëzojnë idenë e veprës nëpërmjet faktorëve shkak-pasojë-shkak. Në këtë ribotim të romanit, sipas tekstit origjinal të lënë nga autori, janë ndrequr disa ndryshime  dhe heqje që ka bërë redaksia në botimin e parë.

Veprat artistike që arrijnë t’i rezistojnë kohës vlerësohen e rivlerësohen në mënyra e këndvështrime të ndryshme teoriko-estetike, duke mbetur në fondin e artë të kulturës së çdo populli. Edhe “Nomeja e largët”, ky roman me thelb antologjik, ka një vend të vetin të qëndrueshëm si një margaritar në ngrehinën e romanit modern të letërsisë shqipe.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Fryt i marrëveshjes pozitë-opozitë, vota e diapsorës zhvillim historik! Debati për listat? Nuk është tagri im

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Fryt i marrëveshjes pozitë-opozitë, vota e diapsorës zhvillim historik! Debati për listat? Nuk është tagri im