TIRANE-Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me burg për jetë Denis Shtrazën, pasi është shpallur fajtor për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Gazmend Çollakut në janar të vitit 2016 në Fushë Krujë. Gazmend Çollakun e rrëmbyen, më pas i thyen kokën e këmbët dhe e vranë. Ai u mor forcërisht nga ambientet e lokalit ku qëndronte në Durrës dhe u keqtrajtua me sende të forta si shkopinj bejsbolli.

Nga mënyra e ekzekutimit autorët jo vetëm që kanë dashur të hakmerren, por shfrynë të gjithë mllefin e tyre mbi trupin e viktimës, ku fillimisht e rrahën barbarisht dhe më pas e qëlluan me 4 plumba pistolete duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Trupi i pajetë i Gazmend Çollakut u gjet në orët e para të mëngjesit në janar të 2016 nga një banor i zonës së Fushë-Krujës. Për vrasjen pati disa shoqërime dhe arrestime, ndërsa sot gjykata e krimeve të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë duke dënuar përjetë Denis Shtrazën.

I akuzuar për vrasjen ka qenë edhe ish-polici Ervin Dalipaj, i cili vra në një atentat në Durrës në vitin 2017. Shkak i vrasjes është lufta mes anëtarëve të bandave në Durrës me qëllim kapjen e monopolit të trafikut të drogës. Gazmend Çollaku kishte njohje me Ervin Kodrën, të ekzekutuar në qendër të Durrësit me 27 plumba kallashnikovi në 2015.

d.b/shqiptarja.com