Fajtorë pa faj/Çfarë fshihet pas
dënimit të inxhinierëve të Maliqit

Fajtorë pa faj/Çfarë fshihet pas<br />dënimit të inxhinierëve të Maliqit<br>
(Vijon nga dje...) Kjo është pjesa e dytë e referatit “Fajtorë pa faj - Dënimi i inxhinierëve të kënetës së Maliqit pjesë e justifikimeve për dështimet e regjimit komunist”, përgatitur nga Prof.as.Dr Sonila Boçi për aktivitetin përkujtimor “E vërteta e Inxhinierëve të kënetës në Maliq”,  aktivitet i organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimti të Shtetit,  mbajtur dy ditë më parë në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimtinë në Tiranë. Pjesën e parë të këtij studimi e botuam dje në “Shqiptarja.com”.

Gjyqi i inxhinierëve të Maliqit: proces i ngritur mbi dyshime, por jo mbi fakte
Konkluzionet e Komisionit Special, vinin më vonë në kohë, pasi organet e Sigurimit të Shtetit u kishin paraprirë atyre. Dy ditë më parë, me 28 shtator 1946 ata arrestuan ing. Abdyl Sharra, ing. Aleks Vasili, gjeometrat Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, bashkëshorten e ing. Vasil Manos, kroaten Zyrika Mano dhe punëtorët Jani Vasili dhe Anastas Risto, të cilët i akuzonin si korrierë të të parëve . Arrestimi i tyre ishte hapi i parë në një skemë të madhe arrestimesh që do të vijonin përgjatë muajit tetor. Organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kishin nevojë për shumë prova, mjaftonte që një nga të arrestuarit të përmendte një emër gjatë procesit të dhunshëm hetimor dhe zinxhiri i arrestimeve zgjatej. Kështu, u arrestuan më pas ing. Vasil Mano, gjeometri Mihal Stratobërdha dhe llogaritari italian Eugenio Scaturo, për ta mbyllur këtë fazë me arrestimin e ing. Kujtim Beqirit më 24 tetor 1946.

Të shtrënguar nga dhuna gjatë procesit hetimor, të akuzuarit pothuajse të gjithë pranuar akuzat e bëra. Ata akuzoheshin se kishin bashkëpunuar me anëtarin e Misionit Amerikan në Tiranë, Harry Fultz për të sabotuar tharjen e kënetës së Maliqit, me qëllim diskreditimin e qeverisë shqiptare. Sipas të dhënave të hetimeve “puna (sabotuese) u nda si vijon: Ing. Sharra mori përsipër për të sabotuar punën në kanal duke mos filluar punën sipas planit të parashikuar me përdorimin e ekskavatorëve jo në pikat e nevojshme të punës, me vendosjen e forcave vullnetare jo në vendet e duhura, me humbjen e kohës dhe rendimentin me zbukurimin e skarpateve... Aleks Vasili mori përsipër të sabotonte punën në gurore duke harxhuar mjaft materiale si barut të zi etj.

 

Gjeometri Pandeli Zografi mori përsipër të sabotonte punën në dekovile në mënyrë që të vonohej lidhja e kanalit me guroren, e cila do të vlente dhe për pengesën e punëtorëve në gurore. Eugenio Scaturo do të sabotonte në ushqimet e mensës të punëtorëve dhe specialistëve me qëllim që këta të mbeteshin të pakënaqur për të formuar urrejtje ndaj pushtetit. Ing. Vasil Mano mori përsipër të sabotonte punën në kantier duke mos ngritur shpejt barakat e punëtorëve me qëllim që këta të mërziteshin e të iknin, të mos shtrëngonte teknikët për riparimin e makinerive të ndryshme që mund të kishin defekte, do të mundohesh të nxirrte material jashtë përdorimit qofshin dhe me pak defekte” .

Më 8 nëntor 1946, në kinemanë Nacional u hap gjyqi në ngarkim të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit. Jashtë ndërtesës së kinemasë ishin vendosur altoparlantë të mëdhenj, me anë të të cilëve qytetarët e Tiranës ndiqnin zhvillimin e gjyqit. Me porosi të veçantë të KQ të PKSH-së, punëtorët e kantierit të Maliqit duhet të ndiqnin me kujdes të veçantë gjyqin . Aktakuza vinte në dukje se: “Të gjithë të pandehurit e mësipërm që kanë qënë me përgjegjësi të ndryshme për tharjen e Maliqit dhe që kanë pasur lidhje me elementë të jashtëm, janë të akuzuar se kanë kryer sabotime të rënda duke i shkaktuar shtetit dëme të mëdha. Gjithashtu specifikohet se për të kryer këto sabotime, të pandehurit kanë kryer mbledhje të fshehta, që u kanë raportuar të huajve rreth punimeve dhe që kanë ndjekur urdhëresat e tyre për kryerjen e sabotimeve” .

Gjyqi nuk pati ndonjë zhvillim të papritur. Gjatë 10 ditëve të tij u dëgjuan të akuzuarit, prokurori, dëshmitarët e akuzës, avokatët mbrojtës. Të akuzuarit në përgjithësi i qëndruan deklarimeve që kishin bërë gjatë hetuesisë. Ajo që u vu re, ishte puna e pakujdesshme e hetuesve për të koordinuar të gjitha detajet. Kështu, një pjesë e mirë e të pandehurve, duke përfshirë dhe Zyrika Manon, e cila akuzohej si ndërlidhësja ndërmjet grupit të “sabotatorëve” dhe Fultzit, nuk pranuan të kishin marrë para nga ky i fundit. Shumë detaje për takimet apo punën sabotuese nuk përputheshin. Pavarësisht këtyre gjyqi përfundoi ashtu siç ishte paravendosur. Të gjithë të akuzuarit, me përjashtim të gjeometrit italian Mario Guarnieri, e pranuan akuzën për sabotim dhe kërkuan mëshirën e trupit gjykues. Shumë prekëse ishte fjala e fundit para gjyqit e ing. Vasil Manos, i cili nuk kërkoi mëshirë për vete, por për bashkëshorten e tij, Zyrikën.

Gjykata vendosi fajësinë e të gjithë të pandehurve duke i cilësuar si sabotatorë dhe armiq të popullit. Dy drejtuesit e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, u dënuan me varje në litar; ing. Vasil Mano, bashkëshkortja e tij Zyrika dhe llogaritari italian Eugenio Scaturo u dënuan me pushkatim; gjeometrat Pandeli Zografi dhe italiani Mario Guarnieri me burgim të përjetshëm; gjeometri tjetër Mihal Stratobërdha u dënua me 10 vjet burg dhe punë të detyrueshme; punëtori Anastas Risto 2 vjet burgim e punë të detyrueshme; ndërsa 16-vjeçari Jani Vasili u dënua “1 vjet burgim me kondicional, me kusht që të mbajë sjellje morale e politike të mira”. Për të dënuarit me burgim u urdhërua gjithashtu konfiskimi i pasurisë së tyre personale dhe humbja e të drejtave qytetare e politike. Ekzekutimi i dënimit me vdekje u vendos të bëhej në Maliq.

Ky proces mbylli siparin e një akti të tragjedisë që po fillonte të luhej në kurriz të njerëzve të shkolluar dhe të edukuar të Shqipërisë, por ky nuk do të ishte i fundit. Organet e Sigurimit të Shtetit kishin vendosur ta shfrytëzonin mirë këtë ngjarje për të eliminuar të gjithë kundërshtarët potencialë të regjimit komunist. Në një relacion që Drejtoria III e MPB ia dërgonte eprorëve të tyre ata shprehimisht pranonin se: “Synojmë për të zbuluar sabotimet që janë bërë në qarqe të tjera, lidhjet që këta kanë pasur në Tiranë, elementat dhe axhentat e tyre që janë nëpër qarqe, kur janë organizuar, nga kush dhe kohën që janë organizuar, deri ku do të veprohesh në këtë drejtim, ku i kanë pasur bazat, si shtrohesh falimentimi i qeverisë në lidhje me sabotimet dhe cilët kanë qenë elementat në qeveri” .

Ata këshillonin të vazhdonin arrestime të tjera në Maliq dhe të gjendeshin lidhjet që inxhinierët dhe teknikët e Maliqit mund të kenë edhe me inxhinierë dhe teknikë në Ministrinë e Punëve Botore në Tiranë, apo gjetkë në Shqipëri. Kështu, ende pa mbaruar procesi i parë i Maliqit një tjetër proces po ndërtohej. Më 29 tetor 1946, organet e Sigurimit të Shtetit arrestuan ing. Aleks Vasili, gjeometrat Mirush Përmeti, austriakun Hans Vala, shoferin Lambi Napuçe dhe mjekun italian Golfredo Paskual Rizo. Akuza ishte e ngjashme si për grupin e parë. Ata po gjykoheshin si armiq të popullit, sabotatorë të pushtetit dhe anëtarë të grupit të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit .

Më 21 nëntor 1946, gjithashtu në sallën e kinemasë Nacional filloi gjyqi i hapur edhe për këtë grup. Gjatë zhvillimit të gjyqit, ata pranuan hapur që nuk kishin simpati për regjimin e vendosur në Shqipëri, ata gjithashtu pranuan se në Maliq punët nuk kishin ecur siç duhet, kishte pasur vonesa, mungesë organizimi etj., ata, madje, e konsideruan veten fajtorë që nuk kishin folur më herët për këto problematika që kishin vënë re në Maliq, por në përfundim të procesit ata nuk pranuan që të kishin sabotuar dhe të kishin qenë pjesë e ndonjë grupi sabotatorësh . Mungesa e pranimit të fajësisë nuk e pengoi prokurorin e çështjes të kërkonte dënim me vdekje për ing. Aleks Vasilin dhe gjeometrin Hans Vala dhe burgime të rënda për tre të tjerët. Ajo nuk e pengoi as gjykatën që në përfundim të gjyqit të jepte dënim me vdekje për ing. Aleks Vasilin dhe gjeometrin Mirush Përmeti. Hans Vala, gjeometri austriak, i cili kishte punuar në shumë zona të Shqipërisë që prej vitit 1940, u dënua me 30 vjet burgim, mjeku italian Golfredo Rizo me 10 vjet burgim dhe Lambi Napuçe me 5 vjet.

Reflektime mbi një proces që nuk duhej të ndodhte
Gjyqi kundër inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit është një proces që nxit një reflektim të thellë mbi sistemin e drejtësisë gjatë regjimit komunist, por edhe mbi marrëdhëniet e këtij regjimi me individët. Pa dashur të bëj një analizë juridike të procesit, gjë që shkon përtej ekspertizës sime nuk mund të mos vë në dukje disa fakte lehtësisht të dallueshme:

Së pari, gjatë procesit të hetuesisë dhe atij gjyqësor në asnjë rast nuk u paraqit asnjë provë konkrete. U fol për mbledhje dhe takime të grupit të “sabotatorëve”, por nuk u dhanë prova mbi bisedat e zhvilluara në këto takime. Të gjithë të akuzuarit flisnin me fjalë të përgjithshme dhe përsërisnin ekzaktësisht njëri-tjetrin. Po kështu nuk u dha asnjë provë mbi takimet e anëtarëve të këtij grupi me anëtarin e Misionit Amerikan në Tiranë, Harry Fultz. Duke qenë se Sigurimi i Shtetit ndiqte nga afër të gjithë lëvizjen e z. Fultz, madje dhe të vajzës së tij, Joanës, nuk do të ishte e vështirë të gjendeshin prova për këto takime dhe shkëmbime korrespondence.

Së dyti, gjatë procesit nuk u morën parasysh një numër shumë i madh dokumentesh e letërkëmbimesh, të cilat dëshmojnë se gjatë muajve maj-shtator vazhdimisht të akuzuarit kishin ngritur problematikat që lidheshin me vështirësitë, ndonjëherë dhe të pakapërcyeshme që ata hasnin në punën e tyre të përditshme. Ata nuk morën parasysh konkluzionet e Komisionit Special të Kontrollit, i cili pranonte që preventivat mbi normat e punës ditore të një punëtori ishin të ekzagjeruara, që projektet paraprake kishin pasur llogaritje të gabuara, madje dhe që data për përfundimin e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit ishte shumë optimiste.

Së treti, gjyqi nuk shqyrtoi në thellësi kontradiktat që lindnin nga deklarimet e të akuzuarve, të cilat do të ishin shqetësuese për çdo njeri të logjikshëm. Në fakt ato ishin shqetësuese edhe për drejtuesit e lartë komunistë. Nako Spiru do t’i ankohej ambasadorit sovjetik në Shqipëri, D. Chuvahin për paaftësinë e hetuesve të çështjes së inxhinierëve të Maliqit, të cilët, sipas tij, e kishin kthyer procesin në qesharak.

Për të gjithë ata që kanë rast të lexojnë dokumentet mbi procesin e Maliqit, nuk e kanë vështirë të kuptojnë manipulimet që gjenden në të. Ajo që duhet analizuar janë arsyet se përse i shërbeu regjimit në Shqipëri një proces i tillë i montuar. Siç u përmend dhe në fillim, viti 1946 ishte viti në të cilin maska e regjimit u rrëzua. Ndërsa deri atëherë për të bindur Aleatët Perëndimorë për të njohur regjimin e ri dhe për të siguruar mbështetjen maksimale në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, regjimi kishte qenë disi më i kujdeshëm, tanimë ai nuk kishte më nevojë të fshihte qëllimet e tij. Ai iu vu punës për të zbatuar programin e tij ekonomik dhe politik, një pjesë e rëndësishme e të cilit ishte zbatimi i luftës së klasave, e cila përkthehej në eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të shpallur apo edhe atyre potencialë.

Gjatë vitit 1946 u zhvilluan një sërë procesesh gjyqësore, përfshirë gjyqin ndaj klerikëve të lartë katolikë, apo gjyqin e grupimit socialdemokrat, monarkist dhe të rezistencës, në përbërje të të cilit ishin disa nga intelektualët më të spikatur në vend, si Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, av. Fuad Asllani e shumë të tjerë. Dëshmitë e misioneve të huaja që gjendeshin në Shqipëri në atë kohë flasin për lëvizje të shumta të trupave ushtarake shqiptare drejt Veriut të vendit, për të vendosur nën kontroll grupet e kundërshtarëve të regjimit . Regjimi shihte te njerëzit e shkolluar në universitetet më të mira të Europës, kundërshtarët e tij realë dhe u tregua shumë agresiv për neutralizimin e tyre. Në këtë kategori bënin pjesë, padyshim, edhe inxhinierët e dënuar në procesin e Maliqit.

Tharja e kënetës së Maliqit ishte një ndërmarrje e jashtëzakonshme që do të kishte ndikim sa në ekonominë e vendit, aq edhe në rritjen e prestigjit të qeverisë shqiptare në popull. Jo më kot propaganda zyrtare e kishte trumbetuar pa reshtur aksionin për tharjen e kësaj kënete dhe zyrtarët më të lartë partiakë i ndiqnin zhvillimet e punimeve me shqetësim të posaçëm. Koha tregoi se projekti i tejkalonte mundësitë reale të shtetit shqiptar të asaj kohe. Mungesa e makinerive, e punëtorëve të kualifikuar, paaftësia e drejtuesve lokalë, nisja e punimeve jo në kohën e duhur ishin arsyet kryesore që tharja e kënetës së Maliqit nuk u bë në kohën e caktuar. Kaq e vërtetë është kjo sa edhe në muajt në vijim të gjyqit famëkeq të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit, vështirësitë të cilat kishin kushtëzuar rendiment të ulët të punimeve vazhdonin të ekzistonin dhe ritmet e punës ishin shumë larg asaj që kërkohej.

Punimet për tharjen e kënetës së Maliqit vijuan përtej vitit 1946. Madje edhe në fund të viteve ’50, këneta nuk ishte mundur të thahej plotësisht. Në vitin 1959, një vendim i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së njoftonte aplikimin e një projekti të një inxhinieri rus, i cili do të realizonte përfundimisht tharjen e kënetës. Akuza dhe dënimi i inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit ishte thjesht një mekanizëm për të kamufluar dështimin e qeverisë shqiptare në përfundimin e një projekti kaq madhor. Nga ana tjetër, ajo do të shërbente për të frikësuar popullsinë dhe për t’i bërë ata më të përulur ndaj urdhrave të drejtuesve politikë. Jo më kot u zgjodh Maliqi si vend i ekzekutimit të të dënuarve me vdekje.

Së fundi, qeveria shqiptare mund ta përdorte këtë proces për të përligjur politikën e saj ndaj SHBA-së. Gjatë vitit 1946, prirjet e qeverisë shqiptare ndaj Jugosllavisë së Titos dhe Bashkimit Sovjetik ishin fare të dukshme. Ndërkohë marrëdhëniet me Perëndimin po acaroheshin gjithnjë e më shumë. Incidentet në Kanalin e Korfuzit përcaktuan përfundimisht marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me Britaninë e Madhe. Ndërkohë, marrëdhëniet me SHBA-në vazhdonin të ishin disi më të paqarta. Enver Hoxha në disa dalje publike gjatë vitit 1946 kishte kritikuar qëndrimin e SHBA-së për mospranimin e Shqipërisë në OKB, si dhe votën amerikane për të lejuar që në rend të ditës të Konferencës së Paqes të futej paraqitja e pretendimeve greke ndaj Shqipërisë së Jugut.

Propaganda zyrtare kishte ndërmarrë /një fushatë të gjerë për të diskredituar misionin amerikan në Tiranë dhe anëtarët e tij. Që prej fillimit të vitit 1946, anëtarët e Misionit Amerikan ishin izoluar plotësisht nga kontaktet me njerëz të zakonshëm, ndërkohë që dhe marrëdhëniet me zyrtarë shqiptarë ishin kufizuar. Në këto kushte, duke parë prirjet pro-sovjetike të qeverisë shqiptare dhe sjelljen e saj në vijimësi ndaj SHBA-së, Departamenti i Shtetit vendosi se nuk do të ishte oportune për ta njohur qeverinë shqiptare. Më 2 nëntor 1946, Misioni Amerikan në Tiranë i kërkoi qeverisë shqiptare leje për largimin e tij nga Shqipëria. As Misioni Amerikan në Tiranë, as vetë Fultzi nuk i kanë pranuar akuzat e paraqitura në gjyqin e inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit dhe, deri më tash nuk kemi asnjë të dhënë që të implikojë Harry Fultzin në këtë proces.

Procesi i Maliqit u kushtoi jetën shtatë njerëzve të kualifikuar, të cilët e kishin treguar aftësinë dhe përkushtimin e tyre ndaj zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë. Ai ishte fillimi i një kalvari të gjatë vuajtjesh për të gjithë të dënuarit dhe familjet e tyre. Për fat të keq, ky ishte vetëm një episod nga shumë e shumë të tjerë që i kushtuan Shqipërisë elitën intelektuale të vendit. Askush nga ne nuk mund të kthehet prapa në kohë për të vënë në vend padrejtësitë e së djeshmes, por ne kemi një mision shumë të rëndësishëm. T’i analizojmë me objektivitet dhe paanshmëri dëshmitë dhe faktet e së shkuarës, në mënyrë që të mos e lejojmë veten dhe shoqërinë që t’i përsërisë sërish ato gabime.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit