Fakte dhe mesazhe/ Beteja 10-vjeçare e SHBA për të shpëtuar PD-në dhe Bashën nga Sali Berisha, nga lëvizjet e Arvizu në 2011 tek ultimatumi i Reeker në 2021 

Fakte dhe mesazhe/ Beteja 10-vjeçare e SHBA për të shpëtuar PD-në dhe Bashën nga Sali Berisha, nga lëvizjet e Arvizu në 2011 tek ultimatumi i Reeker në 2021 

Në foto Philip Reeker, Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Aleksandër Arvizu

Beteja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shpëtuar Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën nga Sali Berisha nuk ka nisur pas datës 19 maj 2021, kur Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli Berishën non grata si i korruptuar, shantazhues i drejtësisë dhe minues i demokracisë në Shqipëri. Lëvizjet e para të diplomatëve të SHBA në Tiranë për të ndarë Berishën nga Basha dhe PD-ja kanë nisur të paktën që në vitin 2011, kur Lulzim Basha nisi të konturohej si pasardhës, ndërsa Berisha nisi të përjetonte izolimin e dytë dhe të fundit ndërkombëtar, pas vrasjeve të 21 Janarit.  

Në vitin 2011, sidomos pas zgjedhjeve lokale, Aleksandër Arvizu, në atë kohë Ambasador i SHBA në Tiranë, nisi të intensifikonte takimet me Lulzim Bashën, duke shmangur Sali Berishës, si një politikan konfliktual dhe rrezik i vazhdueshëm për stabilitetin në vend. Jo vetëm kaq, por Arvizu kujdesej për t’i ekspozuar në publik takimet me Bashën, duke dhënë mesazhe të qarta, se Basha ishte i përzgjedhuri për të nxjerrë jashtë loje një ditë Sali Berishën. 

Në  shkurt të vitin 2012, Arvizu i siguroi disa takime Lulzim Bashës në SHBA si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Para vizitës së Bashës në SHBA, Aleksandër Arviu, do të shprehej kështu: “Disa njerëz e kanë parë atë si një yll në ngritje në qiellin politik shqiptar dhe pres me kënaqësi që të flas me të kur të kthehet dhe të dëgjoj disa prej përshtypjeve të tij nga vizita në SHBA. Nuk e di ekzaktësisht sa vjeç është, është afërsisht 30 e ca vjeç, është kryetar i Bashkisë së Tiranës, është një arritje shumë e madhe dhe për respektin që kam për politikanët që janë diku në të 50-tat apo në të 60-tat, mendoj se gjithashtu është e rëndësishme që të ketë gjak të ri, sepse duhet të ketë… freski”. 

Në vitin 2013, pas rrëzimit të Sali Berishës nga pushteti, Aleksandër Arvizu artikuloi një deklaratë të fortë. Ai e konsideroi rrëzimin e Sali Berishës nga pushteti po aq të rëndësishëm sa rrëzimi i Ramiz Alisë në vitin 1992.

“Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin. Këtë radhë, PS-ja punoi më fort e mori 90 mijë vota më shumë. I rëndësishëm për SHBA-në është konsolidimi i demokracisë”, tha Arvizu. 

Betejën e Arvizu, për të ndarë Berishën nga Basha dhe PD-ja e vijoi pasardhësi i tij, Donald Lu, një nga ambasadorët më të sulmuar nga Berisha, ashtu si ambasadorja aktuale Yuri Kim. Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, sot i dënuar për fshehje pasurie, ka pretenduar madje se Lu i ka kërkuar arrestimin e Sali Berishës, pretendim ky që në fakt është mohuar nga Lu. Gjithsesi, ambasadori Lu luajti një rol të rëndësishëm për të shkëputur Bashën nga Berisha dhe Meta në korrik të vitit 2016, për votimin e ndryshimeve Kushtetuese, arkitekturën e drejtësisë së re. 

Në maj të vitit 2017, ambasadori Lu si dhe ish-zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, ushtruan presion mbi Bashës për të braktisur linjën radikale të Berishës dhe mbyllur çadrën e protestës para Kryeministrisë. Presioni është pranuar më pas edhe nga vetë Basha. Kjo është edhe arsyeja se pse sot Berisha e quan Bashën një ‘lider të thyer’. 

Edhe pse sot akuzon Bashën, Sali Berisha është njeriu që hodhi i pari idenë e djegies së mandateve në shkurt të vitit 2019, në funksion të një skenari për të rrëzuar qeverinë Rama. Lulzim Basha ishte thjeshtë një zbatues i këtij vendimi me pasoja të rënda politike për opozitën. Djegia e mandateve u pasua me protesta të dhunshme dhe në fund bojkotin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. 

Aksionit të Berishës iu bashkua edhe Ilir Meta, duke zhdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit dhe zhvillimin e tyre në 15 tetor 2019. Këtë herë ishte Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA Matthew Palmer, i cili deklaroi prerë se SHBA nuk njohin asnjë datë tjetër përveç 30 qershorit. 

"Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Presim që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente... Është një situatë më pak se ideale, që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet në vetvete nuk janë të vlefshme. Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë”, tha Palemer. 

Dy ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, Palemer shtoi presionin mbi Bashës për t’u ndarë nga Sali Berisha. Palmer paralajmëroi: “Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Por, po; absolutisht është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës që, në këto rrethana, t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se dhuna është një mjet i papranueshëm”.

Ndërhyrja energjike e diplomatëve amerikanë detyroi Lulzim Bashën të braktiste linjën radikale të Berishës dhe të mos njihte dekretin e dytë të Metës për zhvillimin e zgjedhjeve në 25 tetor 2019. Ndërsa Berisha vijonte thirrjet për revolucion, Ilir Meta akuzoi Bashën për tradhti në korrik 2019. 

Akuza për tradhti ndaj Bashës, Meta i përsëriti edhe në maj 2020, teksa tha se “Këtu ka një mungesë korrektësie nga opozita, se unë kam marrë fjalën nga z. Basha se do të hynin në zgjedhje pastaj ata mbajtën atë qëndrimin edhe kështu edhe ashtu. Kjo është punë dhe përgjegjësia e tyre. Nuk kam asnjë problem”. 

Beteja e Perëndimit për të shpëtuar opozitën në Shqipëri nga Sali Berisha do të kulmonte në 19 maji dhe 30 qershor 2021. Në 19 maj, DASH shpalli njoftimin e shpalljes non grata të Sali Berishës dhe Familjes së tij për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë. Fillimisht Lulzim Basha mbështeti alibinë e Berishës se ndëshkimi amerikan nuk ishte bazuar në prova. 

Mesditën e 30 qershorit, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker, u shfaq në selinë blu, ku zhvilloi një takim 60 minuta me Lulzim Bashën për çështjen e Sali Berishës. 

Siç edhe u konfirmuar më pas, në këtë takim, Philip Reeker i ka kërkuar Lulzim Bashës në mënyrë ultimative përjashtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike, duke i zbuluar detaje tronditëse nga dosja e Berishës. Janë pikërisht këto detaje të cila bindën Lulzim Bashën për të braktisur alibinë Berishës dhe vendosur më pas përjashtimin e tij nga grupi parlamentare dhe rrjedhimisht nga partia. 

“Arsyet se përse u largua Berisha nga grupi parlamentar janë publike për aq sa mund të bëhen publike, detajet më të hollësishme i di edhe vetë Sali Berisha, për të cilat mbase publiku dhe ju nuk do të informoheni kurrë”, tha Basha tre ditë më parë në një mbledhje të kryesisë së grupit parlamentar të PD-së. 

Përjashtimi nga PD-ja duhet se nuk shënon fundin e betejës së Perëndimit për të shpëtuar PD-në dhe Lulzim Basha nga Sali Berisha dhe Familja e tij. Sali Berisha ka nisur një aksion për të rimarrë partinë, duke e shpallur Lulzim Bashën tradhtar dhe akuzuar për dorëzim të sovranitetit të PD-së tek amerikanët. Ditën e djeshme, nga Fieri, Berisha i dha një mesazh të koduar Lulzim Bashës, duke e paralajmëruar që të ‘ikte atje nga erdhi’, pra në Holandë, edhe pse në fakt Basha u shndërruar në ‘birin politik’ të Berishës me rekomandim dhe si shok i Argita Berishës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Patrioti: 23/09/2021 08:30

    Do te rekomandoja te ribotohet intervista e Adriatik Docit(me te drejten e autorit) bere gazetarit Robert Papa, ish mikut te Sali Berishes, botuar ne Gazeta Sot, dt 23 shkurt 2014 i cili i ben nje pershkrim te paster figures se dyshimte dhe kriminale te Sali Berishes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Keni mungesë hekuri? Konsumoni këto 4 fruta të thata

Keni mungesë hekuri? Konsumoni këto 4 fruta të thata