'Fakte jo reale', në gjykatë, kronistët e luftës së Kosovës mohojnë shkrimet

'Fakte jo reale', në gjykatë, kronistët e luftës së Kosovës mohojnë shkrimet

Në kohën kur shkroi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, Skënder Zhitia nuk mund ta imagjinonte kurrë se libri i tij më vonë do të citohej nga prokurorët e krimeve të luftës që kërkonin të dënonin ish-bashkëluftëtarët e tij.

Së pari u shfaqën titujt në mediat e Kosovës që thoshin se libri i tij për Zonën Operative të Llapit gjatë luftës së viteve 1998-1999 kishte ndihmuar në akuzën ndaj e Sali Mustafës. Në dhjetor të vitit 2022, Mustafa u bë ish-pjesëtari i parë i UÇK-së që u shpallur fajtor nga gjykata në Hagë e krijuar për të ndjekur vetëm krimet e supozuara të UÇK-së gjatë dhe pas luftës.

Tani Zhitia është thirrur nga prokuroria të dëshmojë në gjykimin ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi, dhe tre ish-pjesëtarëve të tjerë të lartë të UÇK-së – Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Zhitia thotë se libri i tij i botuar në bashkëpunim me Institutin e Historisë së Kosovës nuk duhet të përdoret nga gjykata dhe ai nuk është i vetmi.

Një numër autorësh tashmë kanë mohuar atë që kanë shkruar për luftën, duke hezituar të shohin pjesët e librave të tyre të përdoren për të demonstruar forcën dhe koordinimin e UÇK-së.

Librat në të shumtën paraqesin heroizmin dhe autoritetin e komandantëve të UÇK-së.

Në një intervistë për BIRN, Zhitia i qëndron asaj që shkroi, por thotë se gjykata nuk duhet t'i bëjë këtij libri “një lexim të keq”.

“Nuk e di ende se çfarë do të më pyesin, por do të them atë që qëndron”, thotë ai.

Alban Bokshi, studiues i shkencave politike që ka magjistruar në Universitetin e Sussex në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se hiperbolizimi dhe ekzagjerimi i përdorur shpesh në libra për luftën ka kontribuar në “mbulimin e së vërtetës”.

“Duke i fshehur, mohuar aspektet e ‘turpshme' të saj, ngjarjet jo edhe aq heroike, viktimat civile dhe të mbijetuarit, është penguar njohja e luftës dhe gjërave që nuk janë përputhur me narrativën e përgjithshme heroike”, thotë Bokshi për BIRN.

“Mohimi i librave të tyre si të ekzagjeruara nga ata që gjenden në proces gjyqësor, nuk ndihmon për ta kuptuar të vërtetën. Por kjo ndoshta ndihmon të pyesim se cila qenka e vërteta pra? A gjendet ajo mes ekzagjerimit dhe mohimit?”.

“Pak e ekzagjeruar”

Në shkurt, Hajrush Kurtaj, një ish-epror i Brigadës së Kaçanikut, tha në një sesion të hapur të gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve se në librin e tij, “Flaka e pashuar” kishte “përforcuar, ekzagjeruar, zbukuruar, siç do të bënte secili”.

“Në librin tim, kam shkruar siç kam dashur, jo siç ishin gjërat”, ka thënë ai. Faktet u “rritën e u zbukuruan”.

Kurtaj, shefi i Departamentit për Planifikim Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, pranon se ka qenë e vështirë të dëshmojë. “U ndjeva keq”, thotë ai.

I pyetur në lidhje me një pjesë të librit ku shkruhej për një “plan të UÇK-së”, rreth të cilit u fokusuan prokurorët, Kurtaj thotë se plani ishte produkt i “imagjinatës” së tij.

“Nëse do të kishte pasur një plan, do ta kisha publikuar faksimilen”, thotë ai një intervistë për BIRN në zyrën e tij.

“Unë nuk gënjeva. Por realisht, nëse flasim në terma të përgjithshëm, çdo libër në Kosovë është paksa i ekzagjeruar”, thotë Kurtaj.

“Megjithatë, librat po keqpërdoren nga gjykata për qëllime politike”.

Kundërshtimet e mbrojtjes

Avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar përdorimin e këtyre librave, duke përmendur faktin se autorët kanë mohuar vazhdimisht ato që kanë shkruar.

“Libri përmban shtrembërime dhe zbukurime domethënëse për të promovuar karrierën e autorit, duke e vendosur atë në pozicione dhe lidhje që ai nuk i kishte realisht”, tha për librin e Kurtajt në shkurt avokati britanik i Veselit, Ben Emmerson.

Në qershor, gazetari Nuhi Bytyci gjithashtu kërkoi nga gjykata të mos mbështetet në librin e tij, “Libri i Luftës”, duke thënë se e kishte ekzagjeruar fuqinë e UÇK-së.

“E kam portretizuar dhe përshkruar siç doja të ishte”, kishte thënë ai në gjykatë. “Duke marrë parasysh këto zbukurime e ekzagjerime, ju lutemi mos e merrni këtë libër si fakt reale sepse ato nuk janë fakte reale”, ka thënë Bytyçi.

“Unë u përpoqa ta afirmoja UÇK-në pak më shumë se ç'duhej”, tha ai. “Nuk e kam llogaritur se libri do t'i shërbente kësaj gjykate për të akuzuar ish-udhëheqësit e UÇK-së”.

Një pohim i tillë bie ndesh me recensionin e profesorit të gazetarisë, publicistit dhe ish-kryeministrit, Bajram Kosumi, ku thotë se Bytyqi ishte “bazuar në fakte dhe dokumente konkrete”. Në vitin 2018, Bytyqi u dekorua nga Thaçi me medalje presidenciale.

I pyetur për dëshminë e tij, Bytyqi tha se “i qëndron asaj” që ka thënë në gjykatë. “Nuk dua që gjykata ta konsiderojë librin tim si provë', thotë ai për BIRN.

Një autor tjetër, ish-pjesëtari i UÇK-së, Ilaz Kadolli, gjithashtu nuk preferon që libri i tij “Syri i shqiponjës” të përdoret nga gjykata. Por libri po citohet nga prokurorët. “Në librin tim, mund të shihni se disa gjëra janë marrë nga burime të pakonfirmuara dhe nuk mund të përdoren si provë”, tha ai për BIRN përmes telefonit, duke treguar se ishte në Francë dhe kishte probleme shëndetësore që e pengojnë të flasë më shumë.

Njëri nga të akuzuarit, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, gjithashtu ka kërkuar që libri i tij, “Kthesa e madhe”, të mos përdoret si provë, pasi prokurorët cituan një pjesë për komunikimet e përditshme telefonike brenda UÇK-së.

“Ju lutemi mos abuzoni me shënimet e mia”, i tha ai gjykatës. “Shënimet e mia për të shkruar librin janë përdorur nga prokuroria, por ato nuk janë prova”.

Avokati Emerson, gjithashtu ka kundërshtuar, duke thënë se “autori tashmë ka treguar se nuk është një dokument që mund të merret si provë e saktë. Nuk mund të bazoheni në diçka të kundërt me atë që ai e tha në gjykatë, pasi nuk është dokument”.

Bislim Zyrapi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në dëshminë e tij ka treguar se shtabi ishte shpesh nuk dinte për veprimet e ndërmarra nga komandantët rajonalë. Ai ka theksuar se ofensivat serbe e bënin të pamundur për krerët e UÇK-së që të ushtronin kontroll të plotë mbi të gjitha njësitë në terren, duke vënë në dyshim edhe librin e Krasniqit.

“Nga ajo që po lexoj dhe që kam mundur të shoh, përmbajtja e librave nuk përputhet me realitetin”, ka thënë Zyrapi. “Pavarësisht se kush e ka shkruar këtë, Jakup Krasniqi apo tjerë, kjo nuk është në përputhje me realitetin. Po flas në realitet për atë se çka e kam gjetur në atë kohë prej majit ‘98 e deri në fund”.

Përtej ndikimit të tyre në kërkimin e drejtësisë, Abit Hoxha, ligjërues  dhe studiues i drejtësisë tranzicionale në Universitetin e Agderit në Norvegji, thotë se libra të tillë kanë përfituar nga një boshllëk në qasjen e shtetit ndaj historisë së Kosovës, duke dëmtuar mënyrën se si lufta kujtohet dhe interpretohet.

“Autorët që mohojnë librat dhe interpretimin e tyre të ngjarjeve, në veçanti, kanë kontribuar në keqinterpretimin e së kaluarës dhe padyshim vazhdojnë të dëmtojnë paraqitjen e luftës dhe të vërtetave në Kosovë”, thotë Hoxha për BIRN.

“E gjithë lufta është kondensuar kryesisht në video dhe libra historikë jozyrtarë të heroizuar dhe shkruar në një format dikotomik”, thotë ai. “Praktika të tilla kanë ndikuar dhe do të vazhdojnë të ndikojnë në memorializimin e luftës në të gjitha aspektet e saj”./Reporter.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Putin rithekson mbështetjen e Moskës për palestinezët në takim me Abassin

Putin rithekson mbështetjen e Moskës për palestinezët në takim me Abassin