Më 29 shtator të këtij viti, u publikua raporti i AMA-s për muajin gusht, sipas të cilit Partia Demokratike dhe Sali Berisha gjatë këtij muaji kishin një dominancë absolute në televizionet kombëtare (90.20%). Nga ana e PD-së, kjo u justifikua me pretendimin se gjatë atij muaji “të gjithë, përveç Berishës, kishin ikur në plazh” dhe se një tregues i tillë nuk ishte realist.

Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mediave Audiovizive, narrativa e PD-së për “censurë” bie poshtë. PD dhe Berisha ankohen për “regjimin” që i censuron dhe nuk i lejon të dalin në media, ndërkohë faktet e AMA-s tregojnë të kundërtën e këtij pretendimi.

Siç shihet edhe në grafikun bashkëlidhur, dominanca e Sali Berishës dhe e PD-së së drejtuar prej tij është ruajtur në shifrën 64.31% edhe gjatë muajit shtator, në të cilin e gjithë qeveria dhe Partia Socialiste kanë qenë në aktivitet të plotë politik. Shifra e PD-së (64.31%) për shtatorin vijon të jetë më e madhe se e të gjithë partive të tjera të marra së bashku: PS (35.36%), PL (0.84%), Lëvizja Bashkë (0.05%), Partia Mundësia (0.29%) dhe Shqipëria Bëhet (0.15%).