Faktet/Lufta e PD-së dhe e gjyqtarëve KÇK për sabotimin e ligjit të Vetingut, roli i Berishës, Gaz Bardhit dhe oferta e Bashës për pazar, vija e kuqe nga SHBA-BE

Faktet/Lufta e PD-së dhe e gjyqtarëve KÇK për sabotimin e ligjit të Vetingut, roli i Berishës, Gaz Bardhit dhe oferta e Bashës për pazar, vija e kuqe nga SHBA-BE

Në foto Sali Berisha, Gazment Bardhi, Lulzim Basha dhe Oerd Bylykbashi

Procesi historik i Vetingut është një nga sukseset më të mëdha dhe të padiskutueshme të reformës në drejtësi. 220 gjyqtarë dhe prokurorë me pasuri të paligjshme dhe të fshehura, të lidhur me krimin, të përfshirë në pastrim parash dhe mbyllje të dosjeve të krimit dhe korrupsionit, janë shkarkuar nga detyra ose ia kanë mbathur nga sistemi për shkak të frikës së Vetingut. Mbi 90 % e kupolës së drejtësisë, ku përfshihen ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë, Kushtetueses, ish-kryeprokurori, ish anëtarët e KLD-së famëkeqe, si dhe krerët e gjykatave dhe prokurorive janë shkarkuar ose ia kanë mbathur nga frika e Vetingut.

Për të kamufluar pasuritë e krijuara me para të pista, një pjesë e të shkarkuarve deklaronin si të ardhura para të fituara në bixhoz, shuma dhuratë nga prindërit, tezet, kushërinjtë, kontrata fiktive, transaksione të dyshimta etj. 130 gjyqtarë dhe prokurorë kanë kaluar procesin e Vetingut, ndërsa nuk janë verifikuar ende më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimet e organeve të Vetingut për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar janë konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut. Ligji i Vetingut është konfirmuar gjithashtu nga Komisioni i Venecias dhe nga vetë Gjykata Kushtetuese, e cila u boshatis më tej pikërisht nga Vetingu.

Ndërkaq, procesi i miratimit, hartimit dhe zbatimit të ligjit të Vetingut nuk ka qenë i lehtë. Që kur nisi të materializohej në letër ideja e Vetingut në drejtësi, në Shqipëri nisi edhe rezistenca kundër tij. Fronti kundër Vetingut është krijuar dhe udhëhiqet nga Parti Demokratike, e mbështetur nga gjyqtarë të korruptuar, segmente të prokurorisë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, me në krye Ilir Metën. Sot sjellim në vëmendje një sërë faktesh rreth luftës së paprecedentë, të gjatë dhe të egër të Partisë Demokratike kundër Vetingut, i cili sot konsiderohet nga SHBA-BE si një model që duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera.

Pas miratimit të ndryshmeve kushtetueses në 22 korrik 2016, komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, i kryesuar nga Fatmir Xhafaj, nisi shqyrtimin e projektligjit të Vetingut. Partia Demokratike kishte braktisur procesin e hartimit të draftit, ndërsa ishte rikthyer në Komision për shqyrtimin e tij, për ta kaluar më pas për miratim në Kuvend. Përfaqësuesi i PD-së në komision, Oerd Bylykbashi, në mbledhjen e datës 17 gusht 2016, kundërshton projektligjin e Vetingut, duke ngritur shqetësimin se procesi cenonte të drejtat e njeriu si dhe do të ishte i kapur.

Ndër të tjera, Bylykbashi shprehet se: “Projektligji nuk ka detaje dhe procedura të cilat rregullojnë strukturat e përfshira në proces. Nuk ka afate të qarta në lidhje me procesin. Nëse ky ligj me të gjitha këto mangësi rrotull tij nuk i ka këto, ne mund të përballemi me probleme të rënda që na nxjerrin nga shinat këtë proces që duam ne bashkë të mbyllim këtu. E para. E dyta, nuk ka garanci të qarta për organet e Vetingu dhe anëtarët e tyre përfshirë personelin, të cilat do ta bënin këtë proces të pavarur dhe të pakapur. E treta, nuk mund të jetë rastësor procesi... Sa më selektiv dhe i rastësishëm aq më pak besim dhe aq më pak transparent është ky proces, dhe për rrjedhojë përsëri na bie themeli i procesit. Ne nuk e duam këtë. E katërta, duhet patjetër që projektligji, duke qenë se Komisioni i Venecias e thotë se ky është një rast i jashtëzakonshëm, duke qenë se thotë se nuk duhet të jetë një proces selektiv politik, por duhet të jetë një proces i përgjithshëm, duhet të vendosim rregullat për një proces të drejtë ligjor që mungojnë në analizën tonë. Përndryshe do të përballemi me problemet që i ka thënë Komisioni i Venecias, mund të na dalin më pas në Gjykatën Kushtetuese apo dhe më larg se sa aq, në Gjykatën e Strasburgut. Asnjë nga ne nuk e do këtë. Dhe e fundit, ligji ka një seri të madhe problematikash teknike, qoftë të teknikës legjislative, qoftë të problematikave të tjera të cilat duhen patjetër për një ligj kaq të rëndësishëm, të jenë atje”.

Ndërkaq, përfaqësuesi tjetër i PD-së, Gent Strazimiri, ndër të tjera shprehet se: “Nuk na pritët, ecët 1 vit e gjysmë për sa kohë kishit votat. Pastaj u kujtuat në darkë se nuk kishit votat. Të kishit pasur votat, nuk do të ishit këtu. E para, dhe këtë e dimë. Procesverbalet janë dhe gjërat kanë ndodhur në sytë e mediave. Jemi në këtë fazë, ku do ta shohim ligjërisht gjënë. Unë nga natyra jam njeri dyshues edhe ndaj bindjes sime kur vjen puna për gjërat teknike dhe kaq komplekse. Për sa kohë, veçanërisht tani që e shoh thjesht të dyshuar dhe të palexuar gjënë, materiali për të cilin jemi të thirrur të japim një mendim është një material tejet kompleks, ai duhet lexuar edhe me laps në dorë”.

Në mbledhjen e datës 23 gusht 2016, përfaqësuesit e PD-së Bylykbashi dhe Gazmend Bardhi erdhën me një paktë propozimesh për të ndryshuar ligjin, por shumica e ndryshimeve që synonin deformimin e procesit, u kundërshtuan nga shef i misionit të EURALIUS-it Rainer Deville dhe përfaqësuesi i OPDAT-it Jon Smibert. “Nuk duhet ndryshuar sistemi i parashikuar aktualisht në Kushtetutë, pasi kjo do të përbënte një tejkalim të vijës së kuqe”, pohonte Deville, duke u dhënë një mesazh të fortë përfaqësuesve të PD-së.

Megjithatë, në këtë mbledhje, Bylykbashi paralajmëroi goditjen e ligjit të Vetingut pas miratimit.

“Ne mendojmë që jo vetëm opinioni ynë nuk është reflektuar fare, por ne gjithashtu konsiderojmë se mosreflektimi i opinionit të opozitës vë qartazi në pah jo vetëm cilësinë e dobët shpeshherë të projektligjit, por edhe probleme qoftë edhe të karakterit parimor, që mund të çojnë nesër në goditjen e ligjit më lart.... Nuk e deshët konsensusin për asnjë sekondë, e çuat punën edhe në nivelin e ekspertizës, që të funksiononte në këtë formë, që është një goditje e drejtpërdrejtë jo vetëm për konsensusin, por edhe për efikasitetin dhe zbatimin e shpejtë të reformës në drejtësi.... Për rrjedhojë duhet të mbani ju përgjegjësinë për të gjithë barrën e dështimit dhe abuzimin me procesin e Vetingut, i cili nesër në vend që të na pastrojë gjyqësorin, thjesht do të na krijojë probleme më tepër, ndërkohë të përzgjedhur në mënyrë selektive, personale apo politike, gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, sepse i shërbejnë partisë”, tha ai.

Në 30 gusht 2016, Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme për miratimin e ligjit të Vetingut. Në këtë seancë, Sali Berisha, duke u pozicionuar hapur kundër ligjit të Vetingut tha se “Për gjah shtrigash e bëni vetting-un? Nuk do ta bëni dot kurrë atë. Do thyeni qafën, do bllokoni reformën, por këtë nuk keni për ta bërë kurrë, jo një t’ju thotë, por edhe njëqind t’ju thonë. Nuk e bëni dhe nuk jua pranon kush kurrë këtë. E provuat dy vjet rresht, zotërinj, se si u thyet nen pas neni, sepse pikërisht donit të bënit këto që s’i bëtë dot me Kushtetutë dhe ktheheni që t’i bëni tani, të organizojnë gjahun e shtrigave. Jo me gjah shtrigash. Në demokraci nuk ka gjah shtrigash, në demokraci ka dinjitet njerëzor. Nuk të lejon ai të bësh gjahun e shtrigave, por të lejon të bësh vlerësime objektive, të lejon të qëndrosh mbi bazën e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të lejon të rrisësh performancë....mendoj që kjo seancë t’i kushtohet kanabisit, të merret me kanabisin”.

Në këtë seancë, Eduard Halimi, i cili kishte qenë më parë ministër Drejtësie në qeverinë Berisha, paralajmëroi betejën për rrëzimin e ligjit.

"Ligji i sotëm vjen këtu pa konsensusin e opozitës dhe arsyeja e vetme është se ligji është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Për ta thënë shkurt dhe shqip për shqiptarët: procesin e vetting-ut nuk do ta kryejë ky komision, për të cilin ne u grindëm natën e datës 22 korrik, por, sipas projektligjit që vjen sot, atë do ta bëjnë organet dhe institucionet ekzistuese, të cilat janë nën varësinë e Kryeministrit. ...Opozita do të ndjekë çdo rrugë në mbrojtje të Kushtetutës së 22 korrikut për një reforme në drejtësi vetëm dhe vetëm sipas asaj Kushtetute dhe bazuar në standardet më të mira euroatlantike. Ju faleminderit! Ne po largohemi”, u shpreh ai.

Dhe ashtu ndodhi. Partia Demokratike kërkoi rrëzimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese, me shpresë së do të shpëtonte nga shkarkimi armatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët i kishte emëruar vetë, për mbylljen e dosjeve të Gërdecit, 21 Janarit, shitjes së detit, mbylljen e dosjeve të Lulzim Bashës dhe Fatmir Mediut, trafikut të armëve, privatizimeve, përvetësimit të pronave publike, çështjes ‘Fazlliç’ etj. Në këmbim të mbrojtje së krimit dhe korrupsionit politik, gjyqtarët dhe prokurorët ‘ushtarë’ mund të abuzonin dhe të pasuroheshin në sistem, nën ombrellën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili komandohej nga Berisha.

Dalin në skenë gjyqtarët

Në 24 tetor 2016, dolën në skenë gjyqtarët e trembur nga Vetingu, të mbledhur në Shoqatën e Gjyqtarëve. Ata bënë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, për t’ju bashkuar betejës së Partisë Demokratike për rrëzimin e ligjit të Vetingut. Ndërkohë edhe prokurorët nisën të mblidhnin firmat për t’u paraqitur si palë e interesuar në gjykimin. Megjithatë, prokurorët u tërhoqën më pas në heshtje. Tashmë në ballë të betejës kundër ligjit të Vetingut ishin Partia Demokratike dhe gjyqtarët, të cilët ishin bashkuar në një front.

Në fund të muajit tetor 2016, Gjykata Kushtetuese, e cila ishe subjekt i ligjit të Vetingut, vendosi që të pezullonte zbatimin e ligjit të Vetingut, duke iu drejtuar për opinion Komisionit të Venecias.

“Ky ligj për momentin nuk mund të zbatohet deri në një vendim përfundimtar. Nëse ky ligj do të zbatohej do të kishte pasoja të pakthyeshme”, tha Oerd Bylykbashi.

Basha kërkon pazar

Ndërkohë që kishte disa sinjale që Komisioni i Venecias do të konfirmonte ligjin e Vetingut, kryetari i PD-së Lulzim Basha, kërkoi pazar për ndryshimin e ligjit, ende pa u shprehur Venecia. Kërkesa e Bashës mori këtë përgjigje nga Fatmir Xhafaj: “Kjo ishte gjëja më absurde që kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time parlamentare, pra që partitë politike paskan fuqi të zhbëjnë edhe Gjykatën Kushtetuese. Pra partitë politike të konsiderojnë më të rëndësishme një marrëveshje apo një pazar ndërmjet tyre, - sepse kështu duhet konsideruar kjo gjë, - sesa rëndësinë e veprimit kushtetues”.

Komisioni i Venecias rrëzon PD-në dhe gjyqtarët

Në 7 dhjetor 2016, Komisioni Venecias rrëzoi Partinë Demokratike dhe Unionin e Gjyqtarëve duke konfirmuar në çdo germë ligjin për Vetingun, si në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe normat ndërkombëtare. Venecia konfirmoi jo vetëm ligjshmërinë e përmbajtjes dhe parashikimeve të ligjit të Vetingut, por edhe procedurat e ndjekura për hartimin dhe miratimin e ligjit.

PD kundër Komisionin e Venecias

Partia Demokratike refuzoi të njohë opinionin e Komisionit të Venecias. PD-ja bëri një deklaratë ku shprehje se Venecia nuk merrte përsipër të analizonte përputhshmërinë e ligjit me Kushtetutën dhe legjislacionin e brendshëm. Në deklaratë thuhet se “...Ne nxisim Gjykatën Kushtetuese që të përfundojë në një kohë të shkurtër shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të Vetingut, sipas të gjithë çështjeve të ngritura në kërkesën e Partisë Demokratike. Komisioni i Venecias shprehet qartë në paragrafin 15, se nuk merr përsipër të analizojë përputhshmërinë e ligjit me Kushtetutën dhe legjislacionin e brendshëm. Kjo detyrë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të garantojë që ligji i Vetingut të jetë në përputhje me Kushtetutën...”. Me këtë qëndrim, PD-ja i dha një mesazh të qartë Kushtetueses se duhet të rrëzonte ligjin e Vetingut, me pretendimin se ndërhynte në jetën private, ishte politik, ishte i kapur, cenonte të drejtat themelore etj.

SHBA-BE thirrje PD-së: Prano ‘Venecian’

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kërkuan Partisë Demokratike që të pranonte opinionin e Komisionit të Venecias për ligjin e Vetingut. “Politikanët shqiptarë duhet të dëgjojnë Komisionin e Venecias. Reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe integrimin në Bashkimin Europian”. Megjithatë, Partia Demokratike nisi një tjetër betejë paralele në Tiranë, me Zyrën e BE dhe Ambasadën Amerikane, teksa akuzoi misionin EURALIUS për përkthimin në mënyrë të gabuar të ligjit të Vetingut. Pretendimet u dënuan si mashtrime nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e SHBA.

Kushtetuesja e konfirmoi ‘Vetingun’

Në 18 janar 2017, Gjykata Kushtetuese, në bazë të opinionit të Venecias, konfirmoi në përputhje me Kushtetutën e re ligjin e Vetingut. PD-ja përfaqësohej nga Oerd Bylykbashi, Gazmend Bardhi dhe Ivi Kaso. Unioni i Gjyqtarëve përfaqësohej nga Gerd Hoxha. Ndërkaq, Kuvendi, i cili kukonte konfirmimin e ligjit, përfaqësohej nga Pandeli Majko, Vasilika Hysi dhe Alma Vokopola. Bashkim Dedja, Vladimir Kristo, Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha dhe Fatos Lulo konfirmuar si në përputhje me Kushtetutën ligjin e Vetingut, duke rrëzuar PD-në dhe gjyqtarët. Besnik Imeraj dhe Gani Dizdari votuan për rrëzimin e ligjit të Vetingut. Nga të gjithë anëtarët e Kushtetueses, vetëm Vitore Tusha arriti të kalonte Vetingun. Ligji nuk pësoi asnjë ndryshim, por zbatimi i tij u vonua mbi 9 muaj për shkak të luftës së PD dhe gjyqtarëve për ta rrëzuar.

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • TDCI: 25/07/2021 09:35

    Efektet e reformës do të jenë të ngadalëta por të pandalara krejtë kur shifet se ishte kriminalizu një pjesë e madhe e shoqërisë dhe ate në çdo pore të saj

    Përgjigju
  • Taku: 25/07/2021 03:14

    Po, ashtu eshte , PD ose opozita "armike" populllit! Qe nuk do drejtesi kur nuk ka pushtet! Hajde dokrra hajde. Po ja shyqyr qe kur Rama ka pushtet, lodhet te rregulloje drejtesine ne menyre qe tja fusi vetes. Ajo qe te vjen keq me shume me keto teori e shkrime eshte se i dine njerzit akoma gomere qe e hane sapunin per djath edhe ne 2021shin.

    Përgjigju
  • Festimi: 24/07/2021 20:45

    PD paska patur plotësisht të drejtë. Respekte që paskan bërë çdo gjë në dorë të tyre. Po kur te ne drejtojnë të huajt… E vërtetë që nga vetingu janë shkarjëkuar disa gjyqtarë e prokurorë me pasuri marramendëse, por po aq e vërtetë është se e kanë kanë kaluar vetingun po aq të korruptuar. Përveç kësaj një numër i vogël janë skarkuar padrejtësisht, dhe kjo është e dhimbshme. Mbaj mend në shkollë na mësonin se më mirë të jetë jashtë burgut një kriminel sesa të dënohet një i pafajshëm. Vetingu po bën pikërisht këtë të fundit, shkarkimi i i të pafajshmëve.

    Përgjigju
  • endri: 24/07/2021 18:27

    kjo eshte analiza me e sakte. pd gjithnje ka bere zhurmuesin ne kete reforme aq te mirepritur

    Përgjigju
  • Kasem Rexhep Kasap Bule Leka [ kepi ]: 24/07/2021 17:15

    O Shqiptar a e shikoni kush është partia wc pd parti anti Shqiptare. Mos haroni e u kujtoni kur votën ta thoni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ Burri me një çantë me eksploziv, kërcënon se do hedhë në erë Gjykatën e Selanikut (VIDEO)

Greqi/ Burri me një çantë me eksploziv, kërcënon se do hedhë në erë Gjykatën e Selanikut (VIDEO)