Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri, i pyetur nga mediat lidhur me falimentimin dhe skemën mashtruse të ndjekur anga kompania Gulf, disa prej përfaqësuesve të së cilës janë shpallur në kërkim, tha se ky nuk është rasti i parë që bëhen mashtrime të tilla nga kompani private.

Kreu i dikasterit të Energjitikës, tha se ai shpreson që organet kompetente që po e hetojnë rastin t’i çojnë sa më para përpara drejtësisë personat përgjegjës.

Ministria nuk ka ndonjë rol rregullator te kompania. Duhet të kuptoni që tregu i karburanteve, është një tregti e liberalizuar. Ministria ka vetëm kontrollin teknik të cilësisë së produkteve. Kështu që nuk është rasti i parë i kompanive që falimentojnë, mashtrojnë, e historia të tilla si këto. Nga kjo pikëpamje organet hetimore dhe tatimore janë ato që po e ndjekin me imtësi ecurinë e këtij procesi. Dhe ne shpresojmë që shumë shpejt përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë.

Deklarata e Gjiknurit e dhënë sot.

Prokuroria e Tiranës gjatë verifikimeve të kryera ka zbuluar se menaxheri i shitjeve i Gulf Albano Aliko, shiste tek qytetarët dhe biznese të ndryshme tollona nafte, me çmim që varionin nga 125 deri në 130 lekë për litër, ofertë kjo shumë e çmuar për këto, pasi çmimi real i naftës në tregun vendas është 170 deri në 175 lekë litri.

Mirëpo megjithëse kishte vënë në dispozicion këtë ofertë, prokuroria ka verifikuar se vetë “Gulf” blinte naftën tek kompanitë furnizuese me cmimin 150 lekë, çka tregon se ky biznes shiste produktin e naftës nën koston e çmimit fillestar që e merte nga furnizuesi.

Dëmi që i krijoi klientëve, të cilëve u kanë mbetur në dorë tollonë pa vlerë, është 1.5 milionë euro. Kjo vuri në lëvizje furnizuesit, të cilët nisën të kërkonin llogari, ndërkohë që detyrimi financiar i pashlyer që “Gulf” kishte krijuar vetëm ndaj dy kompanive të njohura është 900 mijë dhe 700 mijë euro, gjithsej 1.6 milionë euro në total.