Një prej institucioneve më të rëndësishme të artit dhe kulturës në botë, opera e Nju-Jorkut do të mbyllet dhe përgatitet për falimentim. Në këtë kohë opera është duke e përfunduar punën 70-vjeçare të këtij institucioni, të njohur për mbështetjen e karrierës së shumë yjeve të operës. Para dy netësh është shpallur se ka dështuar një fushatë e jashtëzakonshme për mbledhjen e miliona dollarëve  për vazhdimin e veprimtarisë operistike.

Në një komunikatë zyrtare, Opera ka theksuar se janë ndërmarrë hapat e domosdoshëm financiarë dhe operacionalë për mbylljen e kompanisë. Opera ka shënuar rënie në aktivitetin e saj gjatë viteve të fundit, për shkak të asaj që kritikët e kanë vlerësuar si udhëheqje e dobët biznesore dhe artistike.

Opera e Nju Jorkut është e njohur për afirmimin e disa prej këngëtarëve më të njohur operistikë, siç janë Placido Domingo dhe Beverly Sills. Ndër vite ky institucion ka pasur vëmendjen e shumë artistëve të njohur dhe në botë, por duket se problemet financiare ashtu si dhe në tjera institucione të artit në botë sollën dhe rrënimin e kësaj opere.

Shkrimi u publikua sot (04.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)