Lajmi i parë jep "ditën" e protestës kundër vizitës së serbëve në qytetin në kufi. Lajmi i dytë thotë se kërkimet në varrezën masive në Serbi po vazhdojnë. Besohet se aty tash e sa vjet, nën themelet e një shtëpie dhe nën shpinën e një autostrade “prehen” eshtrat e shqiptarëve.

Lajmi i tretë thotë se bisedimet po vazhdojnë. Krahu i luftës dikur, që luftoi për paqen sot, është pro bisedimeve. Me gjasë pro janë të gjithë. E shkuar e harruar e shkuara jo e largët. Faji as këtë herë nuk bën përjashtim nga të mbeturit jetimë.

Të mbijetuarit e familjes Bogujevci kanë gjuajtur si një bombë në kryeqytetin serb një copë të rrëfimit tonë të trishtë. Por mesazhi, është e qartë se ka shkuar vetëm te ata që përtej artit, njohin njeriun, e që duket të kenë qenë tmerrësisht pak.

Çdo gjë tjetër u shndërrua në paradë primitive politike dhe në një paradë të zakonshme nacionaliste. Dren Caka është i mbijetuari i vetëm i mbi pesëdhjetë fëmijëve dhe grave, të vrarë brenda pak minutash në një bodrum shtëpie. Rrëfimi i tij, që ka shëtitur botën, duket të mos jetë aq i dhimbshëm, sa për të kërkuar falje. Grave të Krushës u është krijuar një “Lesbos mallkimi”.

Dhe mallkimi për to do të jetë i gjatë. Nënat, me fotografitë që i mbajnë ngjitur në gjoks, me gjasë kurrë nuk do të marrin një trastë me eshtrat e tyre. Luftërat krijojnë legjenda, dhe legjendat luftëra, thonë, prandaj dhe historia e burrave të tyre, e fshehur kushedi se në cilën tokë, do të marrë formën e një legjende, dhe do të jetë po aq e “vërtetë” sa ç‘është një legjendë.

Legjendat që vazhdojnë të jenë sa krejt jeta e përtejme, për të gjithë ata që kanë jetuar në Drenicë e në Dukagjin, në Prekaz e në Obri, në Lubeniq e në Qyshk, ose gjithandej ku kishin shkelur barbarët për më shumë se 100 vjet.

Vetëm një vit më parë presidenti serb kishte kërkuar falje publike për krimet e kryera në Bosnjë, por nuk e kishte bërë të njëjtën për krimet në Kosovë. Kryeministri serb thotë se viktima ka pasur në të dy anët, dhe kjo është e saktë. Zëvendësi i tij që dikur në “perandorinë e Milosheviqit, krijoi Ligjin e “famshëm” për informim, thotë se gjërat duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Edhe kjo më se e saktë. Por “Zoti nuk është mace me grithë” thonë, dhe në këtë jetën tonë dhe në luftën e pashpallur kurrë, por të ngjizur në secilin prej nesh, ata ishin barbarët.

Kundërshtarët e luftës kanë ditur shpesh që edhe ta ngrenë zërin e ta vënë në dyshim luftën në Kosovë. Do të duhej një vështrim prapa mbi argumentet e saj për ata që dyshojnë.

Në këtë javë, ata që nuk kishin guxuar të kërkonin falje për tmerret që i kishin shkaktuar barbarët e tyre një qyteti, kishin guxuar të niseshin po aty, për të bërë festë në qytetin ku mungojnë varret e shumë njerëzve të tij.

"Fara e keqe" po kthehej për të parë se si ato të shkretat e Gjakovës ishin tharë duke kërkuar trastat me eshtrat e djemve të tyre, por me shpirtin sa një mal sa për të thënë "nazad"!

Ka vite që barbarët e deridjeshëm, kanë filluar të shndërrohen në po ata që ishin, dhe të provojnë të vrasin për të satën herë.

Është përtej civilizimit dhe kulturës, përtej nderit dhe krenarisë, për më tepër është përtej zotit dhe njerëzisë, që të provokohet një qytet dhe një popull, i cili i ka harruar festat e veta, sepse akoma ka plot plagë të hapura dhe varre bosh.

Është tepër që kjo të ndodh, qoftë edhe në festën e tyre, që këtë vit, nuk e ngriu as kryqin.

Mos i prekni aty ku ata nuk mbajnë, aty ku ata kanë plagë... Mund të ndodhë që miqtë ndërkombëtarë, por edhe policia jonë "popullore" që mysafirët e paftuar do të duhej t'i kishte ndaluar atje në kufi, te dera e shtëpisë nuk do të mund t’i mbrojnë më! "Se Gjakova e ka adet ka 'i pashë me e vra për vjet"!

Disa gjëra janë më se të tmerrshme, disa më se të pakuptueshme, por ato që janë dëshmi historike, dhe shumë të vonshme madje, janë lehtësisht të kuptueshme. Pushtetarët do të duhej ta dinë dhe ta ndiejnë se cila është përgjegjësia e tyre karshi dhimbjes së popullit, dhe të mësojnë që ndonjëherë edhe ata të thonë “nazad”, kur viktimat i quajnë çnjerëzore .