Familja Aliaj në lagjen Shënkoll të fshatit Pleshë në Bashkinë e Klosit ka mbetur në qiell të hapur prej 5 ditësh. Shirat e javës së kaluar dhe erërat e forta kanë shembur jo vetëm çatinë e banesës ku jetonin tre kurorë me 7 anëtarë, por edhe muret anësore. Aktualisht familja e Alban Aliajt dhe vëllezërve të tij është e pabanueshme dhe se ata janë strehuar momentalisht tek një dhomë e njërit prej vëllezërve vetëm 16 metra katrorë rreth 12 veta. Albani thotë se banesa e tij ka qenë plasaritur që me rënien e tërmeteve vitin e kaluar, dhe gradualisht u amortizua duke u pasuar me shembjen totale të çatisë dhe disa mureve anësore. Për fat të mirë ngjarja ka ndodhur ditën dhe në banesë ka patur pak persona të cilët kanë arritur të largohen pa u dëmtuar:


“Në atë moment ishte edhe kunata ime kur u shemb, sepse po merrte rribat, ishte e papritur, ishte ora 3 e pasdites. Nga dhoma matanë isha unë me nusen dhe me gocën, ndërsa këtej ishte vëllai me nusen e vet dhe me 2 fëmijët”, u shpreh kryefamiljari Alban Aliaj.

Ndërkaq, Përgjegjësi i Sektorit të Emergjencave Civile në Bashkinë Klos, Nerim Dema, tha se nga ana e Bashkisë është hartuar i gjithë dokumentacioni për këtë familje dhe familjen e Albert Fizmanit në Kurdari, e cila ka pësuar të njëjtin fat. Ndërkohë, Dema bëri apel që të ndihmohen këta dy familje edhe nga persona të tjerë sëbashku me pushtetin vendor:

“Ne kemi kërkuar strehum të përkohshëm për këtë familje, pasi këtu janë tre kurorë. Jetojnë si të thuash kryejnë procesin jetësor të tyre në një dhomë 4 me 4. Kemi kërkuar një strehim të përkohshëm, duke kërkuar çadra arabe, nëpërmjrt prefekturës dhe zyrës së emergjencave”, tha Nerim Dema i Sektorit të Emergjencave, Bashkia Klos.

Të dyja këto famije aktualisht janë në qiell të hapur edhe pse mes tyre ka fëmijë të vegjël dhe gra shtatzëna.

e.gj/Shqiptarja.com