Pas Lara Colturit, edhe vëllai i saj Yuri është bashkuar me Shqipërinë dhe do përfaqësojë ngjyrat kuqezi në ski. Bijtë e kampiones Daniela Ceccarelli, dyshja italiane tanimë duket se janë natyralizuar si shqiptarë.

Për herë të parë, Yuri vetëm 13 vjeç ka zbritur në pistat e skive në një garë zyrtare për të rinj, më e famshmja për fëmijë e quajtur ‘Alpe Cimbra’, nën ngjyrat kuqezi.

Në këtë debutim të parë ai u rendit në vendin e katërt në garën e zhvilluar në Bolzano. Pritshmëritë për të janë të mëdha, për të qenë mes emrave të rëndësishëm të skive europiane dhe jo vetëm. Zgjedhja e tij për Shqipërinë ka ende kohë për t'u konkretizuar pasi ai duhet të vendosë brenda moshës 16-vjeçare.

Lara Colturi e ka vitin e dytë ne ngjyrat kuqezi dhe në ditën e sotme emri i saj është ai që ka bërë çuditë më të madhe në arenën e skive botërore, me pjesëmarrjen e saj në Kupën e Botës mes emrave më të mëdhenj të kategorisë së femrave.

Kevin Koni është emri i tjetër që ka debutuar së bashku me vëllanë e Larës, por në garën për moshën 15 vjeçare. Koni ka lindur në Itali dhe rritur e stërvitur në këtë sport në shkollat e famshme italiane.