Familja e Dodë Bibës, si i mbijetuan
përndjekjeve e kampeve të internimit

Familja e Dodë Bibës, si i mbijetuan<br />përndjekjeve e kampeve të internimit
Familja e Ndue Bibës e kreu internimin, ndërsa familja e Dodës u transferua në kampin e Beratit, në kushte më të vështira. Ndue Biba nuk u kthye por shkoi në internim me familjen e vëllait.

Pas tre muajsh, Dila e Ndue Bibës me pesë fëmijët erdhën te shpia e djegme, ndërsa Ndue Biba me Prenën e Dodës dhe tri vajzat i transferuan në Berat.
Në Berat Ndoi dhe Prena e Dodës me vajzat kanë qëndruar deri në vitin 1947, kur me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Dodë Bibës iu fal jeta, me kusht që të dorëzohej.

Në Berat të internuarit jetonin në Kazermat e Pashait në kala. Një pjesë, që ishin më të rinj, i dërguan në Kuçovë për të punuar. Jetonin me 400 gram bukë dhe me supë lakrash. Të internuarit hanin gjellë kazani, ndërsa racionin e bukës e merrnin te furra.

Buka, shpesh kishte miza, nga ato që ze mielli. Kur nuk kishte fasule, u jepnin bollgur me krimba, të cilët dilnin sipër kazanit ku ziente gjella. Në ato kushte u përhapën shumë sëmundje, si: malaria, tifoja, etj, dhe fëmijët e vegjël vdisnin njeri pas tjetrit, por edhe në mes të rriturish, vdekjet ishin të shpeshta.

Prena, meqenëse kishte vajzën 6 muajshe, nuk shkonte në punë, por për të jetuar, shkonte në mal të Tomorrit, 4 orë larg, për të bërë dru, që i shiste në Berat, me 100 lekë barrën. Me ato lekë siguronte mbijetesën.
 
Internimi i dytë
Pas arratisjes së Ndoit me dy djemtë e mëdhenj, Dilën dhe dy djemtë e mitur i internuan. Fillimisht i dërguan në Kukës. Prej aty, i dërguan në kampin e Tepelenës, që ngrihej rrëzë kalasë, buzë lumit Bënçë, në kazermat e ngritura nga ushtria italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Drejtoria e Punëve të Brendshme e Beratit, përfshinte Tepelenën dhe kampin e Beratit që i kishte kaluar Tepelenës brenda juridiksionit të kësaj Drejtorie. Ajo që të binte në sy në Tepelenë, ishin gratë e fëmijët, të cilët përbënin shumicën dërrmuese të të internuarve.

Pastaj vinin pleqtë e plakat. Shumë ishin të rinjtë e të rejat të rritur në kamp. Më pak ishin burrat, sepse shumica e tyre mbushnin burgjet. Në këtë kamp kishte disa godina ku mund të futeshin “rifuxho” të dënuarit. Kampi kishte sistem të fortë kontrolli. Të burgosurve u bënin apel, të rrjeshtuar, tre herë në ditë. Ngriheshin në orën pesë për apelin dhe në orën gjashtë duhej të gjendeshin para Drejtorisë për të marrë punën. Organizimin e bënte policia e kampit, në përbërjen e  së cilës kishte 15 policë. Një pjesë e të internuarve punonin në kopshtin e komandës, pjesa tjetër priste dhe trasportonte dru në kurriz, nga mali i Turanit.

Këta dru përdoreshin për mensën, ushtrinë, si edhe për familjet e oficerëve. Gratë mblidhnin pleh organik nëpër stanet e maleve të Tepelenës dhe e transportonin në kurriz. Disa punonin me bel e bënin qilizëm, të tjera mbanin shkurre në kurriz që i merrnin pesë kilometra larg, për t’i çuar në kamp për kuzhinën.

Kampi i Tepelenës kishte rreth dymijë persona. Racioni i ushqimit ishte 80 gr. oriz, 50 gr. makarona, bollgur, groshë me krimba, 9 gr.vaj, 5 gr. kripë e 400 gr. bukë për person në ditë. Nga uria, njerëzit hanin çfarë të gjenin, si, lende dushku, me të cilën ushqeheshin derrat, mish të ngordhur që e gjenin gjatë punës, etj. Për shkak të këtyre ushqimeve, të ftohtit dhe të urisë, njerëzit vdisnin dhe varroseshin po aty, afër kampit.

Kampi ishte i mbushur me predha të mbetura nga lufta italo greke, që Komanda ua kishte ngarkuar fëmijëve për t’i stivosur. Ata fëmijë, në ato kushte, merrnin rrugën për në shkollë dhe u duhej të mësonin. E si mund të mësonin ata, duke bërë një jetë të tillë?

Tre vjet ka jetuar Dila e Ndue Bibës me Pjetrin dhe Gjonin në mënxyrën e Tepelenës. Pastaj i çuan në Plug të Lushnjës, si të internuar dhe u dhanë një barakë për banim. Atje kishin të drejtë pune në bujqësi, për të cilën merrnin pagesë si të gjithë të tjerët.

Me përjashtim të së drejtës për të lëvizur lirisht, në Lushnjë jetonin në kushtet e banorëve të tjerë të zonës. U dhanë të drejtë të merrnin pako nga jashtë dhe, në këtë periudhë, ata kanë marrë nga Ndoi dhe Biba në Itali, pako me makarona, të cilat e kishin vajin e kripën vetë, mjaftonte që të merrnin valë për 15 minuta dhe përdoreshin direkt si ushqim. Atje, Gjoni vazhdoi shkollën që e kishte filluar në Tepelenë dhe arriti të mbaronte gjashtë klasë, ndërsa klasën e shtatë e përfundoi në Klos të Fanit, pas kthimit nga internimi.
 
Fëmijtë e Përnocajve

Fëmijtë e asaj periudhe jetonin në mes të mungesave të mëdha, mungonte buka, ushqimi, shërbimi mjeksor, veshja, lojrat. Por fëmijët  e familjes së Ndue dhe Dodë Bibës ishin më të pafat se të tjerët. Ata u veçuan si të ‘armiqve’, ‘të njerëzve të pakënaqur me pushtetin’, ‘të klasave të përmbysura’, etj. Kjo kishte filluar të ndihej që në bankat e shkollës e më pastaj në jetë...

Përtej jetës që diktonte politika, edhe fëmijët e familjes së Përnocës, si të gjithë të tjerët, kryenin punë shtëpie. Atë kohë, fëmijëria ishte e shkurtër,  zgjaste pak. Sapo fëmija ecte dhe merrte mend, udhëzohej të kryente punë të vogla nëpër shtëpi dhe pastaj jashtë saj. E fillonte me mbushjen e ujit dhe e vazhdonte me ruajtjen e kecave dhe qingjave. Pasi dilnin dhitë, ishte e nevojshme që, për pak kohë, kecat dhe qingjat të kullosnin jashtë. Zakonisht mbaheshin afër shtëpisë dhe prindërit i kontrollonin shpesh fëmijët.

Kecat dhe qingjat ishin kursi i parë në profesionin e çobanit që, për dikë, zgjaste gjithë jetën. Kur shkonin me blegtori, fëmijët i mbanin bagëtitë afër ndonjë çobani tjetër.
Profesioni i bariut, edhe pse mund të ishte i pari, nuk ishte i vetmi që duhej të mësohej. Punët e fshatit ishin të shumta, po kështu edhe problemet që diktonin nevojën për të kaluar nga njëra punë në tjetrën,  prandaj, fëmijëve u kërkohej të mësonin profesione të ndryshme: largim të gurëve të vegjël nga  ara, vjelje rrushi,  mbledhje arrash,  etj. Fëmijët e prisnin me qejf verën, kur djemtë mund të laheshin dhe të zinin peshq.

Por edhe dimri ishte i bukur, se atëherë organizoheshin lojra në lagje, sa te njera shtëpi, te tjetra. Në atë kohë, fëmijët prisnin me padurim dy festat kryesore  të  vitit:  Kërshëndellat,  kur  priteshin  derrat dhe bëheshin ushqime të mira dhe Pashkët.

Natën e festës kërcisnin pushkë gjithandej, si të ishte luftë e vërtetë. Ndërsa, në festën e Pashkëve, fëmijët u gëzoheshin rrobave të reja dhe vezëve që grumbullonin në lagje. Ata lajmëronin që në mëngjes herët ardhjen e festës, duke trokitur derë më derë, për të shprehur urimet dhe për të mbledhur vezë pashke, por vezët e kuqe sillnin kënaqësi të veçantë. Djemtë hynin shpejt në shoqërinë e të rriturve dhe vështirësitë e jetës dhe puna bënin që ata të silleshin që herët si të rritur. Rritja e parakohshme shoqërohej me detyra dhe sakrifica. Djali tetëmbëdhjetë vjeç konsiderohej burrë, mjaftueshëm për të mbajtur armë, rrjeshtohej me burra dhe quhej “shtylla e shtëpisë”. Ndërsa vajzat, që të vogla, merrnin mësime për “zonjë shtëpie”. Ato duhet të dinin të pastronin, të gatuanin dhe të merrnin pjesë në të gjitha punët, krahas grave, si prerje dushkash, sjellje e druve në shtëpi, prashitje misri, etj.

Fëmijtë e Ndues dhe të Dodë Bibës, kanë kaluar një jetë me mungesa të mëdha: humbje të njerëzve të dashur, arratisje e një pjese të tyre, familje e ndarë më dysh, që nuk e kanë ditë nëse mund të bashkoheshin ndonjëherë në këtë jetë. Shumë momente nga jeta e tyre, ata nuk kanë dëshirë t’i kujtojnë sepse u shkaktojnë vuajtje. Ishin trishtuar nga internimi, nga djegia e shpive,  vrasja e Dodës, arratisja e Ndoit, Bibës dhe Zefit, ndërkohë që Pjetri dhe Gjoni ishin të vegjël. Kishin vetëm nga një prind, nënat, që duhej të kryenin detyrën e babës dhe të nënës.

Erdhi një moment që ai hidhërim i ndrydhur brenda shpirtit të shpërthente në vend të një revolte. Kur u martua Martja e Ndue Bibës, ajo nuk pranoi të dilte nuse me duvak të kuq, siç e kishte zakoni, por vendosi duvakun e zi. Ishte traditë ai veprim, por në kushtet e reja, paraqiste problem serioz, se shteti e kuptonte se ajo dhe familja e saj donte tu tregonte njerëzve dhimbjen dhe respektin për njeriun e tyre të vrarë. Guximin për ta demonstruar dhimbjen nuk mund ta ndalte askush. Ishte një moment shumë prekës, saqë, edhe krushqit që kishin ardhur për ta marrë nuse, kishin shpëthyer në lot.
 
“Mos! ashtë nipi i Dodë Bibës”

Ata që i dorëzonin vullnetarisht armët nuk dënoheshin, por ata që u gjendeshin pastaj, ndëshkimet ishin shumë të rënda. Në një rast, në Hebe, u bë mbledhje për dorëzimin e armëve me pjesëmarrjen  e  përfaqësuesve  për shpi të tri lagjeve: Shejmarke, Arushë dhe Sang. Nga lokaliteti merrnin pjesë përfaqësuesit e rendit, ku binte në sy Hodo Habibi dhe Prengë Gjaci. Familjen e Ndue Bibës e përfaqësonte Biba, atëherë 14 vjeç. Togeri pas kërcënimeve që lëshoi në adresë të atyre që nuk tregonin armët, filloi të përdorte edhe dhunën ndaj burrave. Kur i erdhi radha Bibës, Prengë Gjaci, e ndërpreu: “Mos”, dhe iu afrua e i tregoi me zë të ulët se ishte nipi i Dodë Bibës. Atëherë, Hodo e pyeti:
-    A ke armë?
-    Jo, nuk kam.
-    E di që ke, dil dhe shko e na e sill shpejt!
Biba doli për momentin jashtë, por kishte në plan që të kthehej përsëri dhe t’u thonte se s’kishte armë, por shokët e këshilluan të shkonte në shtëpi dhe të mos kthehej më, se po të ishte për t’i kërkuar armë, do ta mbanin brenda dhe ta trajtonin si të tjerët...

Përjashtimi që iu bë Bibës nuk  tregonte dashamirësi, por taktikë... Ruajtja e Bibës, përmes përjashtimit nga rrahja, ishte një sinjal i qartë se ai dhe familja e tij nuk ishin si të tjerët edhe në vuajtje dhe nuk e kishin statusin e të nënshtruarit të regjimit, por më keq akoma, të armikut të tij.
 
Burgosja e Zefit
Zef Përnoca është burgosur njëherë në Shqipëri dhe ka kaluar disa ditë në burg. Arsyeja duket pak ligjore dhe pak banale... Ishte i mitur dhe duhej të trajtohej si i tillë, por ata që e dënuan e kishin një synim përse vepruan me burgosje. Duhej të mësohej Zefi me qelinë se, mesa dukej, planifikonin t’i rezervonin një pjesë të madhe të jetës në qeli.

Po e japim burgosjen e Zefit në vetë të parë, siç e ka treguar ai vetë.
 
Pata lidhë kontratë me Hasan Pashkun prej Malit të Zi të Kukësit, për të pre bar në Kumbull. Marr 19 vetë në punë dhe racionin mujor për ta. Puntorët ishin kryesisht prej Sangut të Domgjonit dhe Xhuxhes. Secili prej tyre mori 19 kg miell, vaj, e ushqime të tjera, sipas triskës së kategorisë A.

Ata, punën që ishte llogaritë për një muej, e kryen vetëm në dy ditë. I shkoi fjala Preng Gjacit. Filluen procedimet ndaj meje dhe puntorët i kaluen të gjithë në polici, kurse mue jo. “Po vepruet ma kështu, në burg do t’ju fus”, u kishte thanë Prenga.

Ka ardhë Pjetër Gjoni nga Thirra dhe na ka thanë te shpia se Bibën dhe Zefin duen me i futë në burg. Në atë moment kam mendue si të veproj. I kam dhanë Bibës origjinalin, se ndoshta më fusnin në burg, ndërsa  vetë kam plotësue tjetrën, ku secilit i kam shënue 15 ditë punë. Po prisja se çfarë do të ndodhte. Një ditë, kur unë isha te mullini, kishte ardhë nji rreshter prej Selite me dy policë e më kërkojnë. Shkoj në shpi dhe i gjej tu hangër dardha. Ku asht Zefi? pyesin. Ky asht Zefi, s’kemi tjetër. Isha 12 vjeç dhe, mesa duket, ata kishin kujtue se kishin të bajshin me ndonji burrë. Biseduen ndër veti dhe pastaj thanë: po e marrim edhe të vëllanë. Më çuen në postë dhe më vunë hekurat. Mue më futën mbrenda, ndërsa Bibës i thanë të rrinte jashtë. Erdh Preng Gjaci dhe më thirri: Hajde këtu, si e ke punën? Ishte problem se kishim marrë racionin e muajit, kategoria A. Duheshin justifikue ushqimet e marruna. I dhashë listën e puntorëve, por ai deshti me e grisë. I thashë: mos e gris se ta kërkoj në gjyq. Prenga thirri Kolë Laskën:
-    Lidhe, ti heq një dru të shnoshë
-    Mundesh me më vra, por jo me më rrah, i them, jam i Ndue Bibë Përnocës.
Thirrën Bibën e i thanë të shkonte në shpi, ndërsa unë mbeta vetëm, aty në Postë. Rreshterin që më kishte marrë në Sang, Prenga e kishte nxjerrë roje nate. Ai vjen e më thotë: mos u frigo, jam unë sonte me ty. Hoqi pallton e vet e ma dha mue. Vetëm kur ka dalë drita, ma mori. Në mëngjes, Prenga ishte tu lexue gazetën “Bashkimi” dhe kur më pa zgjidhë, e treti gazetën dhe i briti rreshterit:
-    Lidhe ate, çfarë ban?
-    Me qeshë Mirdita me mue? joo... shkoj vetë me te, por nuk e lidh se asht fëmi.
Më çuen për Kukës, rreshteri me një tjetër banor të zonës, që shërbente si polic lokaliteti. Ky kishte për detyrë me na shoqnue deri te Ura e Kukësit, në hymje të qytetit dhe pastaj me u kthye, por rreshteri e ktheu sapo u nisëm.
-    Shko në shpi dhe nesër thuj Preng Gjacit se e shoqnova deri te Ura e Kukësit.
Kur shkuem te Ura e Sangut, më thotë: duhet të ecim këndej, në të djathtë, por unë e kundërshtova:
-    Nuk vi gjallë pa shkue te shpia.
-    Të vras!
-    Due me shkue me hangër bukë te shpia. Po të isha nga ata që qajnë nuk m’i kishte vu hekurat Preng Gjaci.
Kur shkova më pyeti nana:
-    He bir, ku ke fjetë?
-    Ke Zef Nikoll Bardhoci, e rrejta, e tash do të shkoj me marrë rrogat e puntorëve dhe rreshteri më shoqnon se nuk lejohet me shkue vetëm.
-    A e pi rakinë ai?
-    Po, e pin, na ban edhe do bukë.
Nana bani bukë, tlyen e djathë. Dardhat ishin pjekë, i kërkova rreshterit të marr do dardha për të dy dhe u nisëm. Shkuem në Qafën e Kumbullës. Diku, në nji vend, ma la pushkën, hoqi dhe rripin e fishekëve dhe u ndal për nevoja personale. (Në atë moment, më erdhi ndër mend që axha Dodë më kishte mësue me gjuejt në shej qysh kur isha katër vjeç). Rreshteri u vonue rreth 10 minuta dhe mandej erdh. Ky veprim më bani shumë përshtypje, se unë kisha mundësi të largohesha bashkë me pushkën e tij... por nuk i thashë gja.

Më çoi te burgu dhe më dorëzoi. Në burg më hoqën rrypin dhe më futën në një birucë. Ditën e tretë e të katërt më çuen me mbledhë domate. Kur u banë shtatë ditë më thirrën.  Kërkova  Kapitenin, kisha kuptue se atë që kërkon në burg nuk ta japin. Në fakt, Kapitenin e kishin arrestue, por unë nuk e dija. Ishte puna e triskave dhe ushqimeve që na kishin dhanë. Ra zilja dhe erdh një rreshter: “merre e fute në burg!” e urdhnuen. Më çuen në një zyrë. Kur po kaloja korridorit ndigjoj të burgosunit që të habitun pyesnin: çfarë ka ba ky voc? Në zyrë, kam ra ‘dekun në gjumë’... Më kanë lanë dy ditë në një dhomë me nji batanije e nji kulaç, asgja tjetër. Hajsha me duer lidhë. Gardianët i çonin të burgosunit dy nga dy në nevojtore, ndërsa mue vetëm.

Pastaj më muerën në pyetje: “Kallxo se kam me të mbyt keq”, më tha hetuesi, por nuk pranova asgja, atëherë më transferuen në burgun e madh. Në gjyq më çuen të lidhun me nji burrë që ishte shumë i madh në trup dhe hekurat po e vrisnin. Unë isha i vogël dhe më binin lirë. Ndreko Shava ishte gjyqtari që më gjykoi mue.
Ai tjetri që shkoi në gjyq i lidhun me mue, kishte hy në burg se kishte dorëzue vetëm 31 kg grunë, dhe atë, të keq. Akuza ishte se kishte dorëzue grunë me egjër me qëllim që të helmonte njerëzit. kurse Brahim Tahirin nga Shëmria që e kishin fut në burg se nuk kishte deklarue shtatë dhi.

Mue më liruen në orën 10 të natës. Erdhi një polic, ndezi dritën dhe më vu revolen te kryet, gjeti një batanije, ma dha me vete dhe më nxori përjashta. U gjenda vetëm, nuk dita çfarë të baj dhe kur po ecja ashtu kot, nga më çonin kambët, takova rastësisht atë policin e lokalitetit që, mesa duket, nuk kishte marrë vesh gja për mue dhe më foli:
-    Pse jashtë në kët orë?
-    Nuk pat hotel dhe mendova me e kalue natën jashtë.
-    Hajde shkojmë në zabel e mbulohemi me batanije.
Bamë zhurmë. Kaq mjaftoi që të tërheqim vëmendjen e policisë që erdhën në vend.
-    Çfarë po bani këtu?
-    Po flemë sonte se nuk kishte hotel. Jemi shumë mirë.
-    Po këtu ka reaksionarë e ju vrasin.
Kur e tregova  ngjarjen  në  shpi,  Lala  po  qeshte,  ate i kishin nisë me më pru bukë në burg, por ai e dinte që nuk lejohej e ua kishte dhanë shtegtarëve...”
 
 
LARGIMI I PARALAJMËRUAR...
Në aksion do të çojmë Zef Përnocën, kishte thënë një zyrtar i shtetit. Priste që Zefi të kundërshtonte dhe pastaj ai ta ndëshkonte, por kjo nuk ndodhi. “Më çuen vullnetar me zor”, thotë Zef Përnoca. Po punohej për hapjen e rrugës së makinës në Shëmri. Turni zgjati dy muaj. Nga Sangu ishte edhe Preng Ndrecë Bajraktari.
Ndue Biba po e piqte mendimin se duhet të largohej nga vendi. Ky plan ishte marrë vesh në shtëpi, megjithëse nuk donin ta besonin se një ditë do të ndodhte me të vërtetë. “Edhe unë gjallë nuk rri”, kishte ndërhyrë në një rast Zefi në bisedë.

Si mund të iknin burrat e familjes e të linin në ditën më të keqe dy gra me fëmijë të vegjël dhe pa asnjë mbështetje? Shto pastaj dhe persekutimin që do të kishin në shenjë hakmarrjeje për arratisjen. Të gjitha ishin shoshitur deri në hollësi, por s’kishte rrugë tjetër. Pushteti kishte dhënë shenja se nuk ishte i kënaqur vetëm me vrasjen e Dodës, por kërkonte edhe kurbanë të tjerë. Zefi ishte burgosur qysh fëmijë, kurse tashti, prangat “po i silleshin rrotull” edhe Ndoit e djalit të madh, Bibës. Menduan të largohen për pak kohë, pa e hequr shpresën se një ditë do të ktheheshin. Regjimet në Shqipëri binin shpejt. Pas pushtimit pesëqindvjeçar turk, më i gjati kishte qenë regjimi i Zogut me afro pesëmbëdhjetë vjet, të tjerët disa muaj, e shumta pak vite.

Frrok Kola nga Sangu i Xhuxhës e takonte shpesh Ndue Bibën dhe i jepte çdo informacion që i dukej me rëndësi. Por edhe njerëzit e lidhur me sigurimin e bënin punën e vet, në zyrat e shtetit shkonin informacione për Nduen. Një ditë, vjen Çup Paci te Ndue Biba dhe e pyet: a je pa me Gjon Marka Nduen, kush të takoi me ta, Gjin Marka Ndoj?

Ndue Biba ishte takue vetë e s’kishte nevojë për të tjerë, por e kishte kundërshtuar Çupin, se kështu e donte puna. Me shtëpinë e Pacit marrëdhëniet kishin qenë gjithmonë të mira, por Çupi, si operativ sigurimi, ishte i detyruar të vinte, të verifikonte informacionet që mblidhte dhe të bënte presion, se kështu ia donte puna. Në një nga takimet me të, Ndoi i kishte kërkuar që ta ndihmonte për shkollimin e Zefit, por Çupi, krejt i sinqertë, i kishte treguar se Zefi nuk shkon në shkollë për kët jetë. Ndoi e kishte kuptuar se fëmijët e tij, në këtë pushtet, do të mbeteshin të pashkolluar e, me njollën e te deklasuarit, nuk do të ngrinin kokë kurrë...

           Në një nga bisedat që bëheshin buzë vatrës familjare, Prena e Dodës foli:
-    Pushka e parë të marrtë ty Lala Ndue, e dyta Bibën! Si po mendoni të ikni? Si po mendoni ta merrni  Zefin me veti?”
-    Jo, nuk po e marr Zefin, por po e çoj te një mik në Thkellë, sa të kalojë këtë dimën dhe në pranverë vjen prap.
 
Atëherë, ndërhyri Zefi vetë e iu përgjigj gruas së axhës:
-    Kët fytyrë, t’dekun ke me e pa, por kurrë sa të jetë Enver Hoxha gjallë!
Dhe vërtetë, ashtu ndodhi, u panë kur Enveri kishte shkuar në atë botë e regjimi i tij ishte rropullisë... Kur Zefi ia kujtoi këto fjalë Prenës, ajo, me një gëzim që nuk e fshihte, u përgjigj: “pasha Zotin, e majti fjalën djali!”
 
Një ditë, një nga shokët e besueshëm, i kishte sjellë Ndue Bibës një të dhënë se kishte dëgjuar diçka rreth arrestimit të afërt të tij. Përse? Për asgjë, por edhe pa faj, në atë periudhë, mund të përfundoje në burg, se liria, me ligj, të hiqej edhe për një fjalë goje. Në shtëpi shpesh diskutohej për burgun dhe trajtimet çnjerëzore që u bënin të burgosurve. Në fakt, ndihej pezmi i kobit se dikush nga familja do të arrestohej...

Ndoi nuk e pranonte kurrën e kurrës rrahjen dhe shpesh thonte: “Ve gisht me më pushkatue, por jo me më rrah!” Kështu, vendosi të arratisej sa më shpejt dhe, që nga ajo ditë, mendoi si do ta realizonte këtë aventurë tejet të rrezikshme. Po të arratiseshin Ndoi me Bibën dhe Zefi të qëndronte në Shqipëri, ai rrezikonte të përfundonte në burg dhe familja në internim. Po të qëndronin të tre në Sang, nuk kanë pasë me ndejtë gjatë me familjen sepse, shumë shpejt, një nga një, ose të tre bashkë, do të përfundonin në  burg, ku fati “mos Zot ma zi!” i priste me i marrë.

Prandaj, në mes të gjitha të këqijave, që dihej se nuk do t’i ndaheshin familjes, duhej zgjedhë më e vogla...

Dy ditë përpara se të arratiseshin, ka qenë dhjetvjetori i çlirimit. Me këtë rast, pushteti në lokalitet kishte thirrë në mbledhje nga një burrë për shpi dhe u kishte dhënë udhëzimet për të  organizuar festën  si  lagje,  duke prerë  të paktën një berr me këtë rast, përndryshe, nuk do të lejoheshin të festonin Shënkollin, që binte një javë më vonë. Edhe Sangu i Domgjonit e kishte organizuar festën e tij në mënyrë kolektive, në një lëndinë poshtë shtëpisë së Ndue Ndrecë Gjokë Gjerës. Kur erdhi koha me fillue rakinë, Ndue Biba i kërkoi Gjokë Bajraktarit ta drejtonte atë drekë:
-    Fillo o Gjokë!
-    Për Zotin, veç ti o Ndue!
Ndoi e kishte filluar rakinë, kishte lëvdue Krishtin dhe, në mes të tjerash, thotë:
-    Nëqoftë se më ze kjo ditë vitin tjetër, siç jemi tash, mos më zantë gjallë!
Për ta qetësuar situatën, ndërhyri Biba:
-    Ky s’vjen ma për të gjallë në takimet në popull. Tash e mbrapa do të vi unë.
Askush nuk e kapi atë mesazh...
 
Largimi ishte çështje orësh, burrat e familjes Përnoca ishin përgatitur ta linin vendlindjen, në një ikje të mundimshme e të dhimshme, duke mbajtë një peng të madh në shpirt...

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

28 Nëntori/ Policia nuk lejon shqiptarët të festojnë në Londër! Në Athinë festa me flamuj e muzikë në rrugë! Vishet kuqezi edhe 'Duomo' e Milanos

28 Nëntori/ Policia nuk lejon shqiptarët të festojnë në Londër! Në Athinë festa me flamuj e muzikë në rrugë! Vishet kuqezi edhe 'Duomo' e Milanos