Report TV këtë fillim jave ka qenë në familjen e Albert Zykës nga Cakrani i Fierit. Historia e kësaj familje është shumë e trishtë, ata jetojnë në një shtëpi që vetëm e tillë nuk mund të quhet. Kjo familje shpesh ngryset dhe gëdhihet pa future gjë në gojë.

E zonja e shtëpisë kërkon ndihmë pasi nuk ka se më çfarë të ushqejë vajzën e saj e cila është vetëm një vjeç e gjysëm. Ajo thot se çdo ditë po e mendon vetëflijimin, por nuk ka se ku të lërë gocën e saj.
Ndërkohë që deputetët zihen në parlament për pozicionet e tyre kush e kush më lart, madje në vend të gurit përdorin këpucët e tyre prej mijra eurosh, një botë tjetër është jasht këtij rrethi prej 140 vetash. Familje të shumta që natën e ngrysin pa bukë e ditën e gëdhin me lot në sy, sepse nuk kanë se çfarë të ushqejnë fëmijët e tyre. E tillë është edhe familja e Albert Zykës nga Cakrani i Fierit.

Kjo familje përbëhet prej katër anëtarësh më i madhi është 89 vjeçari, Yzeir Zykaj ndërsa anëtarja më e re është një vajzë vetëm një vitë e gjysëm. Kjo familje jeton në një ngrehinë që quajnë shtëpi, por kushte brenda saj tregojnë më së miri se çfarë jetë bëhet në të. Të vetmen të ardhur që kjo familje ka është pensioni i 89 vjeçarit që është vetëm 7 mijë lekë, ku pjesa më e madhe shkon për ilaçe, pasi i moshuari prej vitësh ka zënë shtratin. 
Nga ana tjetër edhe Alberti, burri i Silvanës, shprehet se kërkojnë punë, gjatë gjithë kohës është në kërkim të një pune, por nuk e ka gjetur një të tillë. 
Sa herë që është kohë zgjedhjesh, partitë politike dërgojnë nga një thes miell dhe shumë premtime, madje dërgojnë edhe makinë për të dërguar të moshuarin në vendin e votimit. Por pasi mbaron ky cikël, gjithçka kthehet si më parë. Ndërsa familja Zyka shpresonte që do të vinte një ditë më e mirë, por kjo nuk ka ardhur deri tani, e për Sivanën i vetmi shpëtim është largimi nga kjo botë!

Redaksia Online
A.D/shqiptarja.com