KORÇË - Duke mos i besuar ekspertizës së Policisë së Korçës, familjarët e dy vëllezërve Melsi dhe Klevis Çollaku nga fshati Shuec i Devollit, janë nisur për në Itali për të gjetur ekspertë mjeko-ligjorë.

Siç bën të ditur gazetarja jonë në Korçë, Lediona Xheladini bën të ditur se, familjarët e vëllezërve Çollaku do të kërkojnë ekspertë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Do marrim ekspertë të huaj për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia e Korçës e manipuloi dhe e fshehu të vërtetën e ngjarjes”, kanë deklaruar familjarët e dy vëllezërve Çollaku të cilët humbën jetën në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhejtor 2013.
 
ORA 10: 50 DEPUTETET E PD VIZITE NE FAMILJEN ÇOLLAKU
Anëtarët demokratë të Komisionit parlamentar të Sigurisë, Flamur Noka e Keltis Kruja, të shoqëruar nga deputetët e Korçës, Ridvan Bode e Gjergji Papa, kanë vizituar dje në fshatin Shuec familjarët e dy vëllezërve të vrarë nga policia greke, Melsi dhe Klevis Çollaku.

Anëtarët demokratë të Komisionit parlamentar të Sigurisë kanë kërkuar një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm dhe në lidhje më këtë, ata takuan familjarët e viktimave për të marrë informacion e mbledhur fakte rreth ngjarjes së rëndë. 

Deputetet e Partisë Demokratike kanë dëgjuar pretendimet e të afërmve dhe argumentat e tyre, pretendojnë se të dy vëllezërit janë viktima të pafajshme dhe nuk kanë lidhje me asnjë aktivitet të paligjshëm.

Deputetët e PD kanë konstatuar gjendjen e vështirë ekonomike të familjes së viktimave dhe rrethanat e rënda të jetës, çka e bën edhe më të vështirë të besosh se dy vëllezërit merreshin me trafiqe të paligjshme siç pretendon pala greke. 

Informacionet e mbledhura dhe pretendimet e familjarëve të viktimave do të përcillen nga deputetët demokratë në seancën dëgjimore në Komisionin parlamentar të Sigurisë, e parashikuar të mbahet në fillim të javës që po vjen.

Gjithashtu, deputetët e PD do t'i kërkojnë ministrit të Brendshëm që të bëjë transparencë lidhur me kontaktet që ka pasur me palën greke dhe rezultatet e këtyre shkëmbimeve përsa i përket zbardhjes së kësaj ngjarjeje të rëndë, ku humbën jetën dy qytetarë shqiptarë.


Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)