Pas kërkesave të vazhdueshme drejtuar qeverisë si pasojë e humbjeve të krijuara nga kursi i këmbimit dhe paketave të cilave i konsiderojnë jo të duhura, shoqata e manifakturës i është drejtuar qeverisë me një sërë kërkesash të reja.

Industria e manifakturës po përballet me një nga periudhat më të vështira, ndërsa sektori i fasonerisë vijon të humbasë vende pune dhe kompani. Nga rreth 65 mijë punonjës që kishte dikur kjo industri, sot numri ka zbritur në rreth 40 mijë.

Shifrat u bënë publike gjatë një takimi të Shoqatës “Manifaktura Shqiptare” me bizneset e sektorit të fasonerisë në qarkun e Elbasanit, kryesisht në fushën e tekstileve. Sipas të dhënave të shoqatës, nga rreth 700 njësi fasonerie që kanë qenë pjesë e saj, rreth 150 janë mbyllur gjatë viteve të fundit.

Kryetari i Shoqatës “Manifaktura Shqiptare”, Florian Zekja, tha se sektori po përballet me një sërë faktorësh të jashtëm dhe të brendshëm. Ndër problematikat kryesore ai renditi mungesën e punëtorëve, tarifat doganore, zhvlerësimin e euros dhe vështirësitë në administrimin e granteve.

Përfaqësuesit e bizneseve në qarkun e Elbasanit shprehen se situata po vështirësohet nga viti në vit. Sipas tyre, rënia e euros, rritja e çmimit të naftës dhe kostot e prodhimit kanë ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e fasonerive, por edhe në marrëdhëniet me partnerët e huaj.

Një prej kërkesave kryesore të sipërmarrësve është mbështetja për investime në makineri të reja, me qëllim automatizimin e proceseve të prodhimit dhe rritjen e produktivitetit.

Përballë kësaj situate, “Manifaktura Shqiptare” ka propozuar gjashtë masa që kërkon të përfshihen në Paketën Fiskale 2027. Ndër to janë lehtësimi i kostos së punës, rritja e amortizimit fiskal, ulja e tarifave doganore për lëndët e para, lehtësira për fitimin e riinvestuar, si dhe krijimi i një fondi grantesh për teknologjinë dhe automatizimin.

Kërkesat

-Përllogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga paga të nisë mbi nivelin e pagës minimale dhe që ky prag të ndryshojë automatikisht sa herë ndryshon paga minimale;

-Kompensimin e pjesshëm të kontributeve të sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi për sektorët prodhues me intensitet të lartë punësimi;

-Rritja e normës së amortizimit fiskal nga 20% në 40%,

-Rishikimi i tarifave doganore për lëndët e para.

-Pjesa e fitimit të kompanisë që riinvestohet në aktivitetin prodhues të përjashtohet nga tatim-fitimi;

– Krijimi i një skeme të posaçme grantesh për teknologjinë dhe automatizimin.

Sipas shoqatës këto kërkesa vijnë në përputhje dhe me procesin e integrimit të cilat do t’u kërkojnë plotësimin e kriteret dhe përshtatjen me standardet.