Fast-food: Ushqimi i shpejtë
me pasoja të vonshme

Fast-food: Ushqimi i shpejtë<br />me pasoja të vonshme
Ndryshimet e zakoneve të ushqyerjes, të nxitura nga një ritëm jetese i përshpejtuar dhe stresues, ka bërë që shumë persona ta shohin veten të detyruar që shpesh të ushqehen me atë që njihet si “fast food”, pra ushqim i shpejtë.

Ushqimet si hamburgerat, sanduiçet, patatet e skuqura, krahë pule të skuqura, sufllaqe, patatina, pizza dhe ushqime të tjera të amballazhuara bëjnë pjesë në vaktet e përditshme të një pjese të mirë të njerëzve, të cilët pa e ditur janë duke mbajtur një dietë të varfër dhe të çekuilibruar, që sjell probleme dhe rreziqe për mirëqenien në përgjithësi dhe shëndetin në veçanti.

Është e rëndësishme të nënvizohet fakti se kur ky lloj ushqimi konsumohet në mënyrë sporadike, nuk përfaqëson asnjë lloj rreziku për shëndetin tonë. Kemi të bëjmë me problem atëherë kur këto ushqime konsumohen shpesh ose përditë, pasi kjo lloj ushqyerje jo e ekuilibruar sjell mungesë të lëndëve ushqyese me efekte të padëshirueshme për shëndetin e organizmit tonë.
Nga ana tjetër, analiza të ndryshme kanë nxjerrë në pah faktin se ushqimet e shpejta paraqesin parregullsi në etiketime, pasi përbërja e tyre nuk përputhet me përshkrimin në to. Ndërkohë që në raste të tjera, vendet e prodhimit ose shërbimit të tyre nuk përmbushin kushtet higjieno-sanitare.

Çfarë përmban ky lloj ushqimi?
§ Sasi të madhe proteinash me origjinë nga kafshët.
§ Lëndë konservuese, ngjyruese dhe fuqizuese të shijesh, që nxisin krijimin e zakonit për të konsumuar këtë lloj ushqimi.
§ Sasi të mëdha sheqernash, yndyrnash të ngopura, kolesterol dhe natrium.
§ Sasi të vogël fibrash dhe vitaminash.
§ Sasi të lartë kalorish
Shembuj të ushqimeve që përmbajnë këto lëndë:
§ Hamburgera, sanduiçë, sufllaqe: përmbajtje të lartë në yndyrna (mish, majonezë, disa lloje djathi), si dhe sasi të mëdha kripe.
§ Patatet e skuqura: sasi të lartë yndyrnash (patatja përmban rreth 70% ujë, gjatë skuqjes ky ujë zëvendësohet me vaj) dhe kripe.
§ Ëmbëlsirat dhe brumërat me prodhim industrial: sasi të lartë karbohidratesh (miell dhe sheqerna) dhe yndyrna (vaj).
§ Pije me gaz: sasi të lartë sheqernash.

Ushqimet e shpejta mund të shkaktojnë depresion
Një ekip hulumtuesish të Universitetit të Las Palmas në Kanaries dhe Universitetit të Navarrës kanë zbuluar një lidhje të rrezikshme midis ushqimeve të shpejta dhe depresionit. Ky studim përfshiu 9000 individë përgjatë 6 viteve, dhe doli në përfundimin se sa më shumë hamburger e piza të konsumohen, aq më i lartë është rreziku për të zhvilluar depresion. Në 2011, studiues të Universitetit të Maryland dhanë rezultate të ngjashme në një studim mbi gratë në moshë të mesme.
Ushqimet e shpejta dhe adoleshenca
Adoleshentët janë veçanërisht të tërhequr nga ushqimet e shpejta. Është përllogaritur se ky lloj ushqimi përfaqëson afërsisht 20% të vakteve të tyre, qoftë nga mungesa e kohës apo dhe nga parapëlqimi për to. Vendet ku shërbehen ushqime të shpejta janë kthyer në pika reference ku të rinjtë kalojnë pasditet. Adoleshentët identifikohen plotësisht me ambientin e “fast food-it”: jo formal, larg skemës tradicionale të kuzhinës familjare dhe me çmime të pranueshme. Tjetër përparësi është fleksibiliteti në orar.

JA ALTERNATIVAT E SHENDETSHME
Ushqimi i shpejtë nuk do të thotë domosdoshmërisht ushqim i dëmshëm. Përzgjedhja e përshtatshme e ushqimeve dhe ulja e frekuencës së konsumit mund t’i shndërrojnë ushqimet e shpejta në një propozim origjinal, të ekuilibruar dhe të shëndetshëm.
1.Ushqim i shpejtë në shtëpi
Në rast se nuk kemi kohë për të gatuar apo thjesht përtojmë, atëherë gjejmë si zgjidhje ushqimet e shpejta. Pavarësisht se nuk rekomandohet që të abuzohet me to, kur përgatitet në shtëpi të paktën njohim me siguri sasinë dhe cilësinë e ingredientëve të përdorur. Patatet mund t’i gatuani në mikrovalë, e më pas t’i kaloni në tigan me pak vaj. Yndyrën e tepërt largojeni duke shtruar letër kuzhine në pjatë. Çelësi qëndron në përfshirjen e ushqimeve të tjera në menu, me qëllim përgatitjen e një vakti të ekuilibruar dhe ushqyes.
2.Përbërës më të shëndetshëm
Ka shumë lloje sanduiçësh dhe pizza. Mundohuni të përzgjidhni ato me ingredientë pa shumë yndyrë (djath i bardhë, ton, pulë, domate, qepë, speca, kërpudha, spinaq, patëllxhan). Sa herë që mundeni, zëvendësoni mishin e kuq me mish të bardhë.
3.Pije freskuese më pak energjike.
Do të ishte e përshtatshme përzgjedhja e versionit light, ose akoma më mirë, zëvendësimi me ujë ose lëngje natyrale.
4.E fundit por më e rëndësishmja është që alternativa e përsosur është eliminimi i këtij lloj ushqimi nga dieta juaj, duke e zëvendësuar me 5 racione frutash e perimesh të freskëta në ditë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Ushtria Izraelite godet objektivat e Hezbollahut në të gjithë Liban! E akuzon se fshihet pas sulmit me raketë në Lartësitë e Golanit 

Lufta/ Ushtria Izraelite godet objektivat e Hezbollahut në të gjithë Liban! E akuzon se fshihet pas sulmit me raketë në Lartësitë e Golanit