Çështja e Teatrit Kombëtar ka rrahur edhe mendimet e dy regjisorëve të njohur, Pëllumb Kulla dhe Leka Bungo. Bungo i është drejtuar fillimisht përmes një letre Kullës i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i sqaruar situatën rreth Teatrit, pretendimet për shembjen, kullat dhe ndërtimin e të riut. Bungo ishte në mesin e artistëve që i kërkoi presidentit Ilir Meta dekretimin e ligjit për ndërtimin e Teatrit të Ri.
Ndërsa në përgjigjen e tij, Pëllumb Kulla komenton paralajërimet e Lulzim Bashës për konflikt civil nëse shembet Teatri i vjetër, dhe i "këshillon" Leka Bungos të mbajë një valixhe gati për çdo rast, me qëllim largimin nga vendi.
Leka Bungo letër Pëllumb Kullës
në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I dashur Pëllumb, sot, pas kaq ditësh mora e-mailin tënd. U gëzova që jeni të gjithë shëndoshë e mirë, dhe sidomos u lumturova që më në fund ju erdhën dritat dhe do të kemi mundësi të komunikojmë regullisht si më parë. Këtej oqeanit, në katundin tonë, punët shkojnë si jo më mirë. Jo edhe aq sa do të dëshironte udhëheqja, por gjithësesi shumë më mirë se në vitin 1938.
Nëse të kujtohet, para se ju të mbeteshit pa energji, më kishe drejtuar dhjetra pyetje të cilave nuk mund t’u jap përgjigje vetëm me një e-mail. Një nga pyetjet e veçanta, për të cilën jo vetëm ti, por të gjithë njerëzit e skenës janë të shqetësuar është pa dyshim se “Cili do të jetë fati i ndërtesës së Teatrit Kombëtar?“
Shqetësimin tënd e kanë edhe më shumë këtu: përleshen fillozofët, analistët, regjisorët, aktorët, kritikët, përfaqësuesit e shoqërive civile dhe ushtarake, spektatorët… Të gjithë janë përfshirë në një debat të madh.
Ajo që është për t’u habitur, o miku im, është hera e parë që partitë politike nuk janë bërë pjesë e kësaj përleshje. Përkundrazi! Kanë qëndruar aq shumë jashtë loje, saqë populli me të drejtë ka nisur të shqetësohet si mund t’i kemi partitë kaqë moskokëçarëse!
Te vetmit njerëz që mëngjez, drekë, darkë merren me këtë punë në ekranet e televizioneve, apo në shtypin e përditshëm, janë Petrit Vasili, Ylli Manjani, Enkelejd Alibejaj dhe ndonjë tjetër, që nuk kanë asnjë lidhje me partitë politike.
Në të vërtetë, sipas gjykimit tim, po të përjashtojmë Flamur Nokën që zakonisht merakoset për repertorin, palët në konflikt nuk kanë si objekt ecurinë dhe përparimin e teatrit, por NDËRTESËN e Teatrit kombëtar.
Njëra palë është për ta shëmbur, ndërsa pala tjetër është për ta mbajtur.
Një grup tjetër, më i vogël në numur, është dakort që të ndërtohet një Teatër i ri Kombëtar modern për Shqipërinë e së ardhmes, por ….ky i vjetri, kurrsesi të mos shëmbet!
Me fjalë të tjera, këta i japin më shumë rëndësi Muzeut të teatrit se vetë teatrit, a thua sikur është ë pa mundur që brënda ndërtesës së Teatrit të ri, të përfshihet edhe Muzeu!
Debati është ndezur dhe përhapur aq shumë sa nganjëherë të krijohet përshtypja se populli i ynë nuk i ka problem as varfërinë, as taksat, as strehimin, as shkollimin, por “shëmbjen apo rikonstruksionin e asaj ndërtesës prapa ministrive!“
E kam vrarë mendjen shpesh këto ditë si është e mundur qe
Robert Ndrenikës, Reshat Arbanës, Pëllumb Kullës, Gëzim Kames, Albert Mingës, Artan Imamit, Sotiraq Bratkos, Luftar Pajës dhe shumë të tjerëve që kanë lidhur jetën me veprimtarinë teatrore dhe janë larguar nga skena vetëm ditën kur kanë dalë në pension, t’u dhimbset teatri më pak se Fatos Lubonjës, Andi Bushatit, Përparim Kabos, Artur Zhejit, Artan Fugës, që pragun e Teatrit e kanë kapërcyer vetëm si spektatorë me bileta.
I dashur Pëllumb!
Këto që shkrova më lart nuk janë flakët që mbajnë ndezur konfliktin për Teatrin Kombëtar. Jo!
Një sy i hollë, “shumë i hollë“, pas Teatrit të ri Kombëtar sheh të fshehur korrupsionin e qeverisë. Madje, ata që ngulin këmbë për këtë flasin edhe me shifra .
Kam dëgjuar me veshët e mi, se nga kjo marrëveshje e fshehtë autoritetet qeverisëse, dhe konkretisht Edi Rama me Erion Veliajn, do të përfitojnë mbi dyqint miljon euro!
Nuk janë pak, apo jo? Ata do të lëshojnë mbi letër vetëm nga një firmë dhe do të marrin nga njëqind miljonë sejcili, kurse ti, o lumëmadh, ke shkruar e vënë dhjetra shfaqje në skenë, tani pret sezonin kur ulet çmimi i biletave ajrore për të ardhur në Shqipëri! (Nga njëqind miljon them unë, se Edi mund të marrë edhe më shumë!… Le që ç’më duhet mua, puna e tyre se si i ndajnë!)
Pra, miku im , siç e sheh, rrënjët janë shumë më të thella se sa duken pemët.
Miku i im, ti gjithmonë ke thënë se unë jam më i mënçur se ti. Dhe ke thënë një të vërtetë të qartë si drita e diellit. Dhe që të mos pendohesh për përcaktimin tënd objektiv, po të them se unë kam arritur të depërtoj në thellësi të kësaj historie.
Nuk është fjala as për shëmbje as për ndërtim, as për nostalgji dhe as për korrupsion. Gjetiu fshihet lepuri. Pas kësaj historije qëndron një marrëveshje e heshtur.
Neqoftëse të gjithë kundërshtarët e projektit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt janë të bindur se nëpërmjet kësaj afere do të përfitohen miljonat e eurove, përse nuk i lenë ata që të realizojnë pikësynimin e tyre korruptiv?!
Kjo do të bënte që kryeqyteti i Shqipërisë do të fitonte ndërtesën e re dhe madhështore të Teatrit Kombëtar, kurse nga ana tjetër, duke ndjekur logjikën e atyre që i kundërshtojnë, Edi Ramën dhe Erion Veliajn, do t’i kishim të përfunduar në qelitë e burgut!
I mbajnë të dy në një qeli apo i ndajnë, ajo është puna e drejtorisë së burgjeve.
Mirëpo ata kanë angazhuar të gjitha forcat për të kundërtën. Ata duan ta pengojnë me çdo kusht shëmbjen e ndërtesës së teatrit, vetëm e vetëm që Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë të mos fusin dot në xhepa ato dyqind miljonë eurot! Por, ama, kështu ata do t’i shpëtojnë burgut dhe pastaj do t’i kemi mbi krye edhe dhjetra vjetë të tjerë!
Marrëveshje e fshehtë i thënçin, por më e zbuluar se kjo, zor se mund të ketë .
E marr me mend, shumë gjëra kur i sheh nga përtej oqeanit duken paradoksale, por tek shqiptarët mund të hasësh gjëra edhe më të çuditëshme .
Unë i njoh mirë . Para pesë vjetësh kam qenë vetë shqiptar.
Duke përfunduar për sot të uroj gjithë të mirat .
Leka
p.s.
Më doli nga mendja dhe nuk ta shkrova më lart. Dikush solli një dëshmi që mund ta kish sjellë me kohë: përpara se të vdiste regjisori i madh Mihal Luarasi i paske lënë porosi që kjo, ndërtesa që ka sjellë sherrin, të mos shëmbet. Nga ana tjetër një burrë fort i moshuar, që paska qenë në Kajro më 1930, tregoi se fjalët e fundit të Çajupit paskan qenë: “nuk do të më tretë dheu po s’ma panë shqiptarët ‘14 vjeç dëndërin’ tim në mes të Tiranës, në një teatër madhështor, pa kompensato italjanësh!” Pisk e kemi, o Pëllumb! Po qe se, paturpësisht, do të fusim që të votojnë dhe të vdekurit…
Pres të më shkruash.
Pëllumb Kulla i përgjigjet Leka Bungos
SE E MBAN NJË VALIXHE GATI, NUK BËN KEQ!
I dashur Lekë,
U qetësova për fatin tënd vetëm kur Presidenti Meta i trembur, e dëgjoi kërcënimin me luftë të kryetarit teatërdashës të PD-së, iu bind dhe e shpëtoi Shqipërinë nga Lufta Civile.
Por qetësimi përfundimtar ende nuk është siguruar, se ata që miratuan ligjin janë të çmëndur, nuk përfillin refuzimin e Metës dhe do të vazhdojnë atë që kanë në kokë. Dhe Basha, dihet, e mban gjithmonë fjalën, po përgatitet për luftë në vend të përgatitet për votime.
E kështu, atdheu i të parëve tanë është në prag të konfliktit të madh vëllavrasës.
Pra, se ti Leko, mban edhe një valixhe gati, nuk bën keq. Nuk e di se çfarë hapash do të ndërmarrë ambasada, për evakuimin qytetarëve amerikanë, por mua nuk më merakosin të tjerët. Mbase për ty mund të dërgohen marinsat dhe ndonjë avion i posaçëm që të të heqë që andej, por ku i dihet!
Ik ti njëherë se je shumë i mënçur, (e kam thënë këtë!), je dhe shumë i vlefshëm (këtë s’e kisha thënë akoma, po ja e thashë tani. Fute në të thënat e mia dhe përdore sa herë të të nevojitet!) Largohu ti një herë, pa aty, pas ikjes tënde, le të bëhet qameti! Veçse unë ta dij kokën dhe e dij që nuk do t’ia mbathësh. Unë të them bëj gati valixhen, por e dij që ti në vend të saj do të hedhësh mbi kurriz çantën e ushtarit. Dhe para syve të bashkëkohësve do të nisesh i vendosur drejt frontit të luftës. Pak rëndësi ka se pastaj do kërkosh një vend ku të fshihesh! Se edhe këtë cilësi ta njoh mirë. Ti je i ndërgjegjshëm se teatrit botëror i duhesh i gjallë, jo i vdekur!
Të them të drejtën në këtë skenar të përgjakshëm, mua më vjen keq për të dyja palët ndërluftuese. Duhen kursyer dhe aktorët që manifestuan te oborri i dy ndërtesave, por edhe ca drejtorë që rrijnë në tako, si ato makinat e parkuara në hangar dhe presin të ndërrohen pushtetet që të marrin çelësat e drejtorive të teatrove të Tiranës. Edhe gjaku i tyre nuk ka pse të vejë dëm nëpër konflikte të tillë.
Pastaj si të mos të të dhimbset shoqëria civile, paçka se me luftën ajo mban të njëjtin epitet?! Mua psh më vjen keq edhe për z. Kabo. Në vitin ‘92 ai ishte ende profesor në katedrat e Shkollës së Partisë “Vladimir Iliç Lenin” dhe në dramaturgji kishte idhull Fadil Paçramin, po asnjeri nuk i mban mëri për këtë. Aq më tepër që ai i ka kthyer kurrizin të dy idhujve: edhe Iliçit dhe Fadilit. Asnjërin nuk e përmend më. Se njeriu evoluon, Lekë. Është dialektike kjo. Njeriu ndërron mendje.
Por ja, Andi i Bushatajve nuk ia fal Robert Ndrenikës që të ndërrojë mendje! Edhe pasi falë këmbënguljes së këtij kryeaktori të rrallë, qeveritarët e sotmë u detyruan të ruajnë të paprekur truallin dhe ta ngrenë godinën, aty, ku teatri i ka mbledhur tërë jetën artdashësit! Andi, ky djalë i fismë që ka mend, sa të mbajë me bukë të tërë kanalet televizivë të Ballkanit, duhet të ishte më i kujdesshëm në fjalorin e tij për një individ që për nga vlerat që ka, nuk i gjen dot të dytë. Por prapë edhe për Bushatin më vjen keq të rrezikojë në luftë. Dituritë që ka ai për tëra fushat, nuk ia vlen t’i humbin në një palo luftë civile. Le të sakrifikohen të tjerë, por jo ai!
Një ndërkallje të shkurtër… Ore Lekë, është e vërtetë ajo ngjarja që më treguan, që në maternitetin e Tiranës një shtatzënë u ndodh në një lindje tepër të vështirë dhe tërë gjinekologët e vendit nuk i gjenin dot zgjidhje? Vërtet u detyruan të thërresin specialistë të gjinekologjisë nga Franca ,e Gjermania dhe tok me ta edhe dy kinezë? Dhe pasi edhe ata ngritën duart, se nuk dinin si të vepronin, pa, ç’pa, Shtëpia e Lindjes u detyrua të thërresë Andin?
Kjo më bën të vlerësoj jo vetëm atë por edhe Fevziun, Eni Vasilin dhe të tjerë, që për hallet e kombit e thërresin atë djalë, për “pleqërime” natë për natë.
Le t’i lutemi Zotit që flakët e luftës të kusejnë qoftë edhe një dorë të vetme artistësh që ashtu, si feniksi nga hiri, të ngrihen e të venë themelet e një teatri, daç me ndërtesë të re daç me këtë të vjetrën e në vëndin e rrafshuar, mes gërmadhave, të fillojnë shfaqjet e para.
Më vjen keq për njerëz që do të japin jetët pa e ditur përse i japin, por kur i përgjigjen apeleve si ky i Bashës, ata meritojnë respekt
Epo, more mik, të shuhet një popull në luftë të brendshme civile për një teatër! A nuk na bën krenarë kjo sakrificë sublime e një populli teatërdashës? E shmangëm luftën kur qe rasti i piramidave, ku njerëzit humbën shtëpi e katandi, shitën lopët dhe tufat e dhenve, vunë krahëve kallashnikovët e zotëruan tanke dhe avionë dhe ja ku jemi! Punë e madhe fort, për ca lopë e për ca topa! Por të prishet ai teatër që pas orës tre pasdite i perëndon dielli, ngaqë i bie hija e atyre ministrive të mëdha që ka përpara vetes, njerëzit nuk do ta lejojnë kurrë!
E në rast se ka vetëflijime biblike si ky, e derdhet gjaku i një populli për të, atëherë hapni rrugën, o grekë të vjetër të Eskilëve dhe Aristofanëve, edhe ju, o anglezë të mesjetës, me Shekspirët tuaj. Qëndroni në gatitu, para therrorisë së shqiptarëve, që për teatër, nuk ka popull të dytë t’ia kalojë në dashuri!
PELLUMB KULLA BISHT QENI JE DHE ATY.....
PërgjigjuNa çate b.... me gjithe teater.keni 6 muaj teter sot,teater mot.E ka fajin ai gjatavilua qe kerkon tju beje teater. nje shprehje pop[llore thot qeni nuk eshte mesuar te mbaje brek
PërgjigjuI madhi Kulla! Per mua, edhe ky mund te jete i korruptuar. Se cka te beje dhe ky "Kulla" me ato kullat e teatrit.
Përgjigju