FERIZAJ (Kosova) - Prej vitesh jetonte në Zvicër, por kthimi në vendlindjen e tij në Kosovë ka rezultuar fatal për një shqiptar, për të cilin mediat raportojnë të jetë gjetur i vrarë me armë brenda makinës së tij.
Babai i tre fëmijëve të mitur kishte humbur kontaktet me familjarët e tij që prej së premtes, ndërsa mbrëmjen e djeshme autoritetet policore në Ferizaj të Kosovës kanë deklaruar se ai është gjetur i pajetë brenda makinës së tij “Range Rover”.
Brenda makinës, siç thotë policia është gjetur edhe një armë zjarri, por nuk dihet ende nëse ajo është arma me të cilin është qëlluar viktima.
“Për dy vite ai ka udhëtuar gjithmonë në Kosovë dhe ka qëndruar atje për disa ditë. Ai bën biznes me vetura”,- ka thënë nipi i tij, teksa bënte kallëzimin në polici.
Sipas dëshmisë së nipit, duke qenë se bënte biznes me makina, Abdyli ka pasur një sasi të konsiderueshme parash me vete.