Tirane- Ditëlindja në “Natën e Kadrit” në një nga netët më të rëndësishmet të Ramazanit për besimtarët mysliman, shërbeu si një ndër shtysat kryesore për Fatmën që të mbante Agjërim për herë të parë në moshën 7 vjeçare. Që prej asaj kohe e deri më sot, Fatma nuk është ndalur kurrë së agjëruari.

“Më ka qëlluar ditëlindja ime “Natën e Kadrit”, nuk kam për ta harruar atë ditë, më erdhi shoqëria ime për të festuar e sërish nuk e prisha.” tregon Fatma Shehu.

Të mbash agjërim për Fatmën nuk është vetëm çështje detyrimi fetar, por më shumë është çështje ndjesie. Fatma vjen nga një familje besimtarësh myslimanë me origjinë nga Burreli, dhe Agjërimi është trashëguar brez pas brezi, nga stërgjyshërit, gjyshërit dhe prindërit e saj.

“Prindërit dhe gjyshërit e mi kanë agjëruar edhe në kohën më të vështira, kur feja ishte e ndaluar në kohën e komunizmit. Ngriheshin për syfyrë fshehurazi" kujton ajo

Duke mbajtur agjerim vit pas viti, Fatma ka ecur në gjurmët e familjarëve të saj, duke e percjellë ritin edhe tek fëmijët.

“Ajo që është transferuar tek ne  është ndjenja, emocioni dhe dashuria e madhe që kishim për muajin e Ramazanit. Këtë ndjenjë që unë e fitova tek gjyshërit dhe prindërit e mi u mundova ta mbjell edhe tek fëmijët e mi. Falë Zotit agjëron bashkëshorti edhe djalim im 13-vjeçar”.

Të agjërosh nuk do të thotë të qëndrosh vetëm pa ngrënë dhe pa pirë thotë Fatma, teksa na tregon disa nga rregullat që duhet të respektojë një agjërues.

“Gjatë muajit të Ramazanit është mirë të mos përgojojmë, mos të ofendojmë, mos të shajmë"

Për Report TV, Fatma prezantoi disa nga ushqimet që nuk duhet të mungojnë në çeljen e Iftarit, ndërsa ky është mesazhi që përcolli për të gjithë besimtarët myslimanë në këtë muaj të begatë.

Eshtë e rëndësishme të çelet iftari me hurma arabie për të zëvendësuar sheqerin e munguar gjatë ditës, ndërsa në mungesë të tyre duhet të çelet me ujë. Tavolinës nuk duhet t'i mungojnë sallatrat as supa.